Njohësit e Artit (barcoletë)

Një grua e bukur dhe elegante e viziton njërën nga ekspozitat e qytetit dhe shtiret sikur është njohëse e thellë e çështjeve artistike. Duke u gjendur afër një zotëriut, i cili ia kishte ngulitur sytë një pikture, i flet:
– Artist i madh ky Rembrandti, apo jo?
Burri ktheu kokën, e shikoi gruan e panjohur, anise pak çaste më parë s’kishte ndërmend të fliste, megjithatë ia ktheu:
– Jo zonjë, ky është Renoir… mund dhe ta lexoni pllakën me detajet përbri pikturës, janë të gjitha infot aty.
– Ndërsa kjo tjetra patjetër duhet të jetë e Rafaelos. – foli prapë gruaja.
– Më vjen keq zonjë… kjo pikturë është e Rubens.

Zonja e panjohur “gaboi” dhe shumë herë të tjera, gabonte për secilën pikturë që fliste, ndërsa burri me mirësjellje e ndreqte “gabimin” e saj. Filloi ta shoqëronte duke i ndenjur një hap pranë dhe ngadalë për burrin sikur u shua interesi për të gjitha pikturat e ekspozites, sikur e gjithë vëmendja e tij u përqendrua në një “pikturë” të vetme.
Më vonë duke iu afruar daljes zonja prapë foli, thuase e dinte mirë se për çfarë po fliste:
– Kësaj radhe e di, këso figura të shtrembëruara vetëm Pikaso mund të vizatonte, s’besoj të jetë kush tjetër…!
– Jooo zonjë… është një pasqyrë e thyer që e paskan mbështetur këtu, ju po rrini tani para një pasqyre.

 

Norman Rockwell (1894-1978) – Kritiku i Artit, 1955