Sytë si “dritare të shpirtit”, dhe shpirti si “dritare” e qenies!

(…“vajza sygjelbër” e Afganistanit, “Mona Liza Mediatike” e bashkëkohësisë, si simbol universal i brishtësisë shpirtërore, një nga fytyrat më të njohura të “individëve të panjohur” të shek. XX, ndoshta asnjë palë sy s’u ka “folur” shpirtrave të kësaj bote si sytë e gjelbër të Sharbat Gula…)

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2018

Fama është diç fort e “çuditshme”, nganjëherë njeriu s’duhet bërë ama hiçasgjë, as gishtin e vockël ta lëviz… dhe hooop bëhet i famshëm. Bie fjala ndonjë bukuroshe e kësaj bote mund të bëhet e famshme dhe vetëm për sytë e vet të bukur.
Politikanët e mediatikët, janë aq të “paturpshëm” në këtë drejtim, sa mos pyet… dmth. ata që vërtiten e gravitojnë rreth mediave. Të gjithë politikanët e kësaj bote, pa përjashtime, njëjtë. Askush s’mund të shtyhet me ego-famozitetin e tyre, dihet kjo 🙂

Dikur moti (në një lloj humoreske, me titull “Mustaqet e Hekurta”) pata bërë shaka duke thënë se ai piktori Salvador Dali, edhe nëse t’mos na ishte fare artist, a “surrealist”, t’mos merrej fare me art, ashtu-kështu do ishte fort i famshëm… dhe falë vetëm mustaqeve të veta.
Madje pata “ekzagjeruar” duke shkruar nëse dikush t’na ishte kujtuar atëbotë t’ia këpuste mustaqet (thjesht ashtu me gërshërë, kur pati ikur në botën tjetër) sot mustaku i tij do ishte endur andej-këndej oqeanit si ofertë pompoze nëpër ankandet e pasanikëve të Nju Jorkut, Londrës, Parisit… duke i tejkaluar ndoshta shitje-blerjet prej qindra miliona dollarë.

Apo ndoshta shembulli më i mirë për ta ilustruar “fenomenin” e çuditshëm të famës do ishin sytë. Dhe dmth. do mjaftonin vetëm sytë e thjeshtë të pafajësisë.
Nuk thuhet kot “sytë janë dritaret e shpirtit” – thënie kjo që nuk dihet saktë kush ta ketë thënë i pari. Më së shpeshti i atribuohet Leonardo DaVinçit (unë vetë deri vonë e dija ashtu). Pastaj pata lexuar diku se mendohet ta ketë thënë jo DaVinçi, por vetë Shekspiri… Ndokund tjetër nuk përmendet “autor”, thjesht thuhet se është “fjalë e urtë angleze”!

Epo, atëherë njëjtë, njësoj pra mund të thuhet se është dhe “fjalë… italiane”, e pse jo dhe “fjalë e urtë shqiptare” 🙂 Qëkur s’kemi saktësi “shkencore” atëherë të gjitha spekulimet e mundshme janë të “mbrojtura” nga pafajësia. Mua vetë se si më duket më e besueshme ta ketë thënë DaVinçi… para Shekspirit, nuk e kam idenë pse! Meqë ra fjala, rreth kësaj më pëlqen dhe një thënie e A. Hamillton, i cili e pati ndryshuar pak: “thonë se syri është dritare e shpirtit, por mbase është shpirti vetë dritarja” (ose kështu diç, ngjashëm, pati thënë Hamillton).

Sharbat Gula ishte 12 vjeç kur qe fotografuar nga Steve McCurry në një kamp refugjatësh në Pakistan. Fotoja qe shkrepur në v. 1984, një vit më vonë u shfaq në ballinën e National Geographic dhe sytë e Gulasë e mahnitën botën me gjelbërsinë e brishtësisë shpirtërore.

Vajza me sy të gjelbër thjesht u bë simbol universal i refugjatëve, i trazirave politike e sociale nga rajoni. Fotoja është përdorur gjithandej, aq gjerësisht, ndoshta s’ka sy të kësaj bote që nuk e kanë parë. Mediatikët thonë se fytyra e Sharbat Gula u bë një nga fytyrat më të famshme, më të njohura të “individëve të panjohur” të shekullit XX.

Gjithçka e impresionit rreth “vajzës sygjelbër” e pati shtyrë fotografin McCurry ta gjente znj. Gula në v. 2002, pati hequr për ta gjetur mirëpo e pati gjetur, dhe përsëri e pati shkrepur “portretin” e saj. Sipas meje lirisht mund të quhet “Mona Liza Mediatike” e bashkëkohësisë, asnjë palë sy të kohëve moderne s’e kanë gëzuar statusin spontan të “famës” si sytë e saj, ndoshta asnjë palë sy s’u kanë “folur” shpirtrave të kësaj bote si sytë e gjelbër të Sharbat Gula.

***
(sg – ap, 26 nentor 2021)
“Mona Liza Mediatike” qenka strehuar në Itali – (Sharbat Gula, “vajza” afgane) – nga lajmet mësova se Sharbat Gula paska mbërritur në Itali…

 

Fotot: Steve McCurry – Sharbat Gula, 1984 dhe 2002 – National Geographic