Monark Ndjenjash

S. Guraziu, 2010

(lepidoptera si një “monark” ndjenjash e ndjek trajektoren e ëndrrave)

Metafora është trop
i nxehtë, me vargje s’mund
të imitosh as yll as diell,
por prore i zjarrtë do t’jesh,
mos ik tani, fal ngrohtësi
për brezat, fshij ekuatorin
imagjinar të zemrave,
hijen rrethore pa fill as fund,
bëhu si diell buzëzjarrtë,
me njërën buzëvalë në Veri,
me tjetrën në Jug.

Mos vallë ekzotikat
poetike synon, koordinatat
tropikale të ndjenjës,
por s’ka ishuj “paradise”
gjeografia e zemrës,
mbylli sytë, le të dynden
engjëj ndjenjash, njësoj
si fluturat, mos i trazo,
imagjino freskinë e flatrave,
ndiq kureshtar “trajektoren”
e ëndrrave – në agim
buzëqesh si dielli tropik.

Lepidoptera

* Lepidoptera – një rend i insekteve që përfshin kryesisht flutura. Lepidoptera përbën jo më pak por rreth 10% të specieve të përgjithshme ndër organizmat e gjallë! Fluturat që nga kohët e lashta janë simbolika më e “përkryer” poetike dhe pothuaj është e paimagjinueshme të anashkalohen nga cilido krijues. Me termat e “shkencës”, njihen rreth 180000 lloje të Lepidopterasë, nga studiusit janë ndarë në 126 familje dhe në 46 mbigrupe. Cikli jetësor i Lepidopterasë ka katër faza: veza, larva (vemja), pupa (krizalida) dhe metamorfoza e plotë në insektin e rritur. Është i njohur migrimi spektakolar i Lepidopterasë, dhe është tipik sezonal. Migrimet më të njohura janë ato të fluturës “Monark”, duke u dyndur nga Meksiko e deri në veri të ShBA, si dhe në Kanadanë Jugore, një distancë pothuaj e pabesueshme prej 4000-4800 kilometrash. Emri Lepidoptera, rrjedh nga fjalët greke “lepido” për leskër ose luspë (mikroskopike) dhe “ptera” për krahë. Konsiderohet ndër grupet më të suksesshme të insekteve, janë gjetur në të gjitha kontinentet (me përjashtim të Antarktikut). Pjesa dërrmuese e Lepidopterasë jetojnë në regjionet tropike, por një shumëllojshmëri e konsiderueshme ekziston në të gjitha kontinentet. [ Përgatiti S. Guraziu, 2010 ]