Simbolizmi Mitologjik – Artemisa dhe “Arusha e Madhe”!

S. Guraziu – Ars Poetica, Prill 2019

| – – – ekstrakt – – –

Vetë ai greku skeptik, Palepatusi juaj thoshte se kur gjërat shpikeshin së pari, njerëzit euforizonin dhe i shihnin gjërat edhe më “mistike” sesa realisht ishin: kentaurët psh. s’ishin gjysmë-njerëz, gjysmë-kuaj, ishin thjesht të parët që e patën mësuar kalërimin – pati thënë.
Sot, varësisht si “artikulohet”, nëse s’ke parë kurrë njeri mbi kalë (s’ka ekzistuar diç e tillë për sytë e askujt, sepse sapo është shpikur diç e tillë), nga ndonjë pozitë… “kentauri” si siluetë edhe sot mund të duket si kentaur, krijesë gjysmë-njeri, gjysmë-kalë.
Kështu i shihte gjërat Palepatusi 2500 vjet më parë, pse t’mos i shoh dhe unë njësoj, pse do duhej t’i shihnim ndryshe.

Ose psh. ai dhe për Kalistonë i pati “racionalizuar” gjërat sa s’ka më. Mitologjia s’e pati kurrë as të saktë e as të “qartë” nëse Kalistoja ishte një nimfë, apo ishte vajza e ndonjë mbreti (e Likaonit psh.). Sidoqoftë, Ovidi na i la kronikat e veta, ai pati thënë ashtu, na i la “metamorfozat” dhe Kalistoja sot është nderuar përjetshëm nga vetë qielli, sot është “Arusha e Madhe”, ajo qe vendosur mes yjesh si Ursa Major.

Pse “Arusha e Madhe”? Sepse padyshim mitologjia kishte të bënte diç me arushat. Apo dhe sepse ajo ishte e dashura e Kryezotit (ky e kishte mashtruar në fakt… se mos vetëm atë) dhe Hera nga inati e pati kthyer në një arushë. Apo dhe sepse e ngrata pati qenë e pafat, thjesht pati rënë viktimë e një ariu të uritur, pastaj Zeusit i qe dhimbsur.

Kalistoja ishte një nga pasueset e motrës së Apollonit, perëndeshës së gjuetisë, Artemisa (ose Diana, ekuivalenti i saj romak). Të ishe pasuese e perëndeshës së virgjër Artemisa nënkuptonte t’i takoje dhe vetë pastërtisë e virgjërisë. Përndryshe nuk shitej, zor t’ua hedhësh perëndeshave. Kalistoja s’kishte ndonjë problem me “rregulloren”, ajo e kishte virgjërinë, devotshmëria e saj nuk ishte në pikëpyetje. Ama problemi do vinte sepse, meqë jashtëzakonisht e bukur, do t’i pëlqente fort Zeusit. E ky s’na ishte “kushdo”… na ishte Zeusi.

Burri i botës… na qenkësh dashuruar marrëzisht (jo “burri”, se u ngatërruam, i bie zoti i botës 🙂 aq sa i duhej ta shpikte një plan, i duhej ta mashtronte disi. Mirëpo dhe aq e lehtë s’ishte, edhe vetë kryezotit i duheshin dredhira e plane. Në fakt gjërat ishin mjaft të koklavitura dhe për vetë Zeusin. Pasi jo ndokush tjetër por ai vetë ishte babai i perëndeshës Artemisa.

Pastaj kishte dhe detaje tjera, psh. ishte i martuar. Gruaja e tij s’ishte kushdo por vetë Hera. Anise Hera s’ishte “gruaja e parë” (Zeusi do t’i kishte disa gra legjitime që i “njeh” mitologjia). Gjithsesi në kohën kur Kalistoja bëhet pjesë e tragjedisë mitologjike, mbase ishte Hera. Nëse Hera ta merrte vesh do t’ia punonte disi, do ta “vriste” nga inati, do ta “mbyste”… siç ia themi ne sot, paçka se pavdekshmëria e tij s’mund të “vritej”.
Nëse hiçasgjë, tekefundit do t’bëhej gazi i botës, i dy botëve, i botës së vdekatarëve, dhe i asaj të hyjnorëve. Ishte në pyetje vetë prestigji kryehyjnor, zotat në Olimp do t’mahniteshin me fyerjen e me skuqjen e Kryezotit. Meqë ata padyshim dhe mund ta përcillnin spektaklin, s’kishin Netflix… ama mund ta shihnin në syprinën kristalore të ujit, si në pasqyrë. I kishin dhe ata “teknikat” e veta.

Zeusi pra do duhej të shkilte dy-tri herë “ferrishtes së mëkatit”. Gjoja në emër të dashurisë me një hap të vetëm do t’i kryente dy-tre mashtrime. Fillimisht ndaj vajzës së vet, Artemisa. Pastaj ndaj gruas legjitime, Herasë. Dhe sëfundi ndaj vetë pafajësisë, ndaj nimfës… shërbëtores së Artemisa, të pafajshmes Kalisto.
Sa për burrërinë, asgjë e jashtëzakonshme për një Zeus, durimi i tij do mbaronte një ditë dhe thjesht do shndërrohej në figurën e vajzës së vet, do ta merrte pra pamjen e perëndeshës Artemisa. Pothuaj sikur metamorfogonizmi i tij kështusoj do t’i kalonte të gjithë kufijt e mundshëm të “marrëzisë”.

Shih habinë, zoti i botës… aq ulët mund të zhytej, Cili burrë ordiner i lashtësisë do ta bënte një mashtrim kaq të pafalshëm! Cili vdekatar… do ta bënte, askush – jo pra, vetëm zotat!? 🙂
Zeusi s’kishte vënë thjesht një “maskë” fytyrës… por tërësisht e pati marrë formën e saj, formën e vajzës së vet. Kalistoja e ngratë tashmë s’kishte asnjë shans t’i rezistonte vardisjes së “perëndeshës Artemisa”, të cilën ajo e adhuronte. Pa le ta refuzonte një bukuroshe që shkëlqente si vetë Hëna. Padyshim do ketë qenë e pamundur të refuzohej një virgjëreshë siç ishte Artemisa.

Mitologjia tutje i komplikon gjërat bukur shumë duke na thënë se Kalistoja pati ngelur shtatzënë! Okidoki, ama ndoshta “ngelet” dhe ky detaj me një pikëçuditëse në bisht! Qëkur Artemisa e vërtetë si perëndeshë ishte e virgjër. Edhe sikur t’mos ishte e virgjër, prapëseprapë i mungonte diç e rëndësishme… si detaj për shtatzaninë. I mungonte sepse ishte vajzë. Mitologjia askund s’thotë ndryshe, as për vajzërinë as për parregullsinë eventuale të hormoneve. As Artemisa… dhe apo as Diana e romakëve si analogji, s’e përmendin kund, s’flasin kurrë për ndonjë shenjë “hermafroditeske”.

Dhe tashmë Zeusi thjesht na transformohet në “Artemisa”, qe bërë vajza e vet, qe kthyer në një virgjëreshë. Hm… vetë zoti i botës lozte me të tilla kartash mashtrimtare! Në rregull transformimi, s’e kemi problem këtë, sot pajtohemi madje dhe me “transformerët” prej llamarine të Hollivudit. Dihet se ai ishte zot suprem, njëkohësisht Kryezot, zot i madh mashtrimtar dhe metamorfogon i paparë. Herë kthehej në ndonjë dem, herë në diç si skifter, ama kësaj radhe si duket vetëm një detaj na paskësh harruar ta “transformonte”.

Për të pafajshmën Kalisto do t’pasonte tregjedia, gjithçka pastaj do t’rrënohej e do t’merrte fund. Kalistoja do t’na dhimbset tutje që nga lashtësia e deri në përjetësi. Kur perëndesha Artemisa përfundimisht e zbuloi shtatzaninë e saj, Kalistoja u përjashtua nga grupi i pasueseve, s’mund as t’i afrohej perëndeshës, e kishte “tradhtuar” gjithë rendin.
Pastaj do vinte pezmi i Herasë së furishme, i gruas së Zeusit.

Si duket Hera duke mos patur ç’t’i bënte “gomarit… i mëshonte gjithçkaje që i dilte në rrugë”, e shndërroi Kaliston në një arushë. Më vonë, pafatësia e saj do ta arrinte kulmin, duke mos e njohur (ashtu me pamjen “arushore”) për pak sa s’do ta vriste vetë djali i saj, gjerësa ai në gjueti. Por jo, ishte vetë fëmija i “Artemisa-Zeusit” (i transformer Zeusit), perënditë e patë mëshiruar nga detaji i vrasjes nga i biri. Thjesht e patën fiksuar lart në yllësinë, do t’shndriste përjetshëm si një “Arushë e Madhe”.

Ashtu përafërsisht me fjalët e mia tani, greku skeptik, Palepatusi pakashumë pati thënë se miti për Kaliston na flet se gjoja gjatë gjuetisë ajo u shndërrua në një arushë. Në rregull, por si e kuptoj unë – pati shkruar – gjatë gjuetisë Kalisto e gjeti rrugën në një shkurishte ku, fatkeqësia e saj qëlloi t’na ishte një ari i uritur i cili e kullufiti. Ajo qe parë të hynte në shkurishte por s’dilte nga aty, pati dalur vetëm ariu i ngopur dhe i cili tashmë pati vajtur i qetë rrugës së vet. Dëshmitarët okularë do ta interpretonin pastaj se vajza qe kthyer në një arushë.

Nëse një dikush, nëse vetë një grek para dy-tre mijëvjeçarëve mund të shkruante kaq “qetë”, kaq thjeshtë dhe kaq afër njëmendësisë tokësore, atëherë do ishte absurd që sot t’i interpretonim gjërat ndryshe.

| – – – v i j o n – – –

Piktura:
Gaetano Gandolfi (1734-1802) – Diana (Artemisa) dhe Kalisto, ~1780
(në pikturën e Gandolfi na paraqitet pikërisht momenti i “zbulimit” të shtatzanisë së saj (Kalistosë) nga perëndesha Artemisa)

Gaetano Gandolfi (1734-1802) – Diana (Artemisa) dhe Kalisto, ~1780

segura

Leave a Reply

Your email address will not be published.