Shaip Beqiri – Çasti para Apokalipsit

ÇASTI PARA APOKALIPSIT
Shaip Beqiri

E kaluara largohet hopangop
Cucërruar ndërmjet kukëzash
Derisa duket veç si pikëçuditje
Në fund të një fjalie pa kuptim

Ajo ik tutje me i zbrazur trastat
Në ndonjë hon harrimi pa fund

E tashmja një pikë që ngrin
Më duket peshk që jep grahmën
Në akuariumin gjigant të gjithësisë

Vija e saj bisht i padukshëm ngjale
Që çan oqeanë të paqenë mespërmes

Më duhet të hyj në tjetër mosqenësi
Pyllit asnjëherë të prerë të së ardhmes

Shkoq protezat e një ankthi
Parukën e ndukur të shpresave
Dhe vë maskën e re të gjumit

Ndryqem zhveshur deri në asht
Midis bregoresh të pagjelbëruara
Dhe nga çdo anë më vijnë ulërima
Përendur me re e lumenj të gulçuar

Të gjitha së toku keqas ngatërruar
Dynden në theqafje gjirit të çarë
Të apokalipsit që nuk përsëritet

Unë i jap lajmin e fundit botës
I nxënë në një vërzomë ëndrrash

segura

Leave a Reply

Your email address will not be published.