Izmat e Moralizmat – Eksponenca dhe Varietetet!

S. Guraziu – Ars Poetica, D 2016 (humoreskë…)

(…-izmat mund t’jenë të tmerrshëm, kam frikë pikërisht -izmat e moralizmat e turpëruan “Politikën” e Platonit …moralistët na e kërkojnë amullinë intelektuale, pandehin se duhet t’i ndjekim nga pas, devotshmërisht, njësoj siç yllkat e fatosat dikur duhej të rendnin pas “xhaxhit”, njësoj si të vegjlit e patës krenaroshe vargëzuar në bisht duke e kaluar autoudhën moderne, atje diku përmes ndonjë ligatine të fierakëve – do thoshte mbase Jakov Xoxa : )

Vetë jeta si “mrekulli ekzistencialiste” është pafundësisht e lloj-llojshme, planeti është i ngopur me jetën e me ekzistencën, me miliarda gjallesash e speciesh janë dëshmi e bollshmërisë, dëshmi e pafundësisë së makro-ekosistemit. Njësoj siç bota moderne është e stërmbushur me variacione të panumërta të “-izmave”, kemi dhe aq shumë variacione të frutave, apo jo. Lloj-lloj-llojesh të ëmbla, joshëse e ekzotike – një varietet marramendës i krenarisë. Frutat dhe llojshmërinë e paskajshme na i përmendin madje dhe vetë Bibla e Kurani, dhe vetë librat e shenjtë nuk e fshehin krenarinë se perëndia pati bërë çmos që t’na e begatonte jetën duke e bërë sa më të larmishme, vetëm e vetëm që ne të ndjeheshim “okay”, si në shtëpinë tonë të përjetësisë.

Dhe pra s’jam duke thënë se na qenka keq të ketë laryshi e varietete… përkundrazi, edhe një herë: planeti është i ngopur me shumëllojshmërinë e gjithçkaje të mundshme. Ama në rastin e marramendjes (së kohës sonë) sa u përket “-izmave”, e keqja është se na imponohen, janë kryekëput diç si shtojcash artifiça. Janë larg për t’qenë diç e pafajshme, larg për t’qenë ndonjë fenomen i pafajësisë.

Modernizmi ynë ka të bëjë me formash të panumërta të “-izmave”, arenave politike së njeriut modern defilojnë lloj-lloj moralistësh. S’e mohon kush, kurrë s’ka patur më shumë. S’mund as të kapërthehet, por e qartë, historia ndoshta kurrë s’ka njohur ndonjë eksplozion të tillë -izmash e moralizmash.
Roma dikur ishte perandori e paskajshme, mirëpo në kohën e Romës bota s’i kishte as 1 miliard njerëz. Pra ka shumë dallim me të sotmen, dhe ky detaj i dallim-sisë është diç si ai “peri i kuq” i krahasimit tonë (meqë ra fjala, krahasuar me atëbotën romake, dhe ca dekada… dhe fjala do jetë për 10 miliardë).

Jemi duke folur për eksponencial-izmin e rrezikshëm. Pra nuk është fjala për eksponentët e vullnetmirët, s’jemi duke folur për persona që besojnë dhe e promovojnë të vërtetën (të cilën vërtetësi ata e ushqejnë me idetë e me teoritë e tyre). Këto “-izmat” dhe variacionet e panumërt na i imponojnë -izmologët dhe moralistët e shumëzuar eskponencialisht.

Perandoria romake padyshim ishte diç si “eksperiment” i vetë historisë – thuase historisë i qe tekur ta “hibridizonte” një truk, ta ujdiste një eksperiment milenial, thuase pati provuar t’i “shartonte” të arriturat më kulmore të kulturës së qytetërimit me “barbarizmat” e kudoskajshëm të botës.
Se ç’është nxjerr nga ky lloj shartimi shekullor (i qytetarisë së avancuar me “barbarizmat”) askush s’është i sigurt, zor t’i thotë kush të gjitha në një libër të vetëm. Pseudo-historianët s’kanë si ta dinë, ashtu-kështu ata as që e lodhin mendjen. Mirëpo padyshim historianët e dinë; s’është gjithmonë e lehtë të distilohen leksionet nga laboratori “eksperimental” i vetë historisë.

Njësoj sikur që, bie fjala s’është asfare e thjeshtë të nxirret ç’pati “zier” mirëfilli historia me nomadizmat e Xhingis Kanit… Apo me aventurat megalomaniake të Aleksandrit. Vallë ç’donte të “eksperimentonte” historia me vajtjen e Aleksandrit në skaj të botës, pse duhej ta katandiste prapa vetë bishtit të djallit? Ç’i duhej historisë vajtja e tij në Indi… përveç si tentativë eksperimentale për t’i përzier topthat e bingo-s, për t’i bërë “drith e miell” llojet, laryshinë, varietetet – historia sikur donte t’ia dëshmonte dikujt se planeti është i ngopur me shumëllojshmëri çudirash!

Si t’i dimë të gjitha llojet e frutave, do ishte njësoj me provën e numërimit të gjetheve të Amazonisë… jo pra, do ishte çmenduri. As vetë shkenca mbase ende s’i ka vënë në “kartë” të gjitha llojet e frutave të planetit. Platoni, ai xhufurraku i para-mijëvjeçarëve, e dinte po ashtu. E gjithë Greqia të bëheshin tok, kot… ec e numëroji me miliarda frutash të Greqisë së diellosur, ec e numëroji me triliona kokrrash ulliri. Nonsens, s’ishte as e nevojshme, jo pra… grekët s’ishin çmendur, ishin të etur për dije, ishin filozofë e kureshtar për gjithçka, ama s’ishin të çmendur.

I ngrati s’kishte si ta merrte me mend se një ditë do duheshin qindra miliarda kokërr-verdhushkash të mbarë Evropës e të botës për ta shpëtuar Greqinë e ngulfatur nga moralistët grekë. Thuase një ditë “-izmat” do bëheshin ajo e keqja që do ta gjunjëzonte krenarinë e Greqisë. Platoni ishte ai që do ta shkruante “Politikën”, jo moralistët.
Me fjalë të tjera, dmth. assesi s’duhet ngatërruar pozitiv-izmat me -izmat, s’duhet ngatërruar natyrën e varieteteteve pozitive me shumëllojshmërinë e -izmave të së sotmes!

Pasi “-izmat” mund t’jenë të tmerrshëm, sesi kam frikë pikërisht -izmat e moralizmat e turpëruan “Politikën” e Platonit. Në “Politeia” ai s’e pati përmendur kund, ama s’besoj të jetë mërzitur për “mirënjohjen” tonë, për votat, për “lajkat” e Fb, as për asgjë. Platoni s’ishte “moralist”, i ngrati s’mund ta merrte me mend se një ditë Greqia do të ngulfatej nga moralistët e korruptuar, nga -izmat e panumërt! Do të pikëllohej shumë, më mirë që s’është gjallë, s’do ta kuptonte kurrë pse Greqia moderne duhet ta paguajë aq shtrenjtë krenarinë e vet

***
Platoni e dinte se qasja e poetëve dhe e artistëve qe supozuar t’jetë joimponuese, pakashumë: “s’kërkoj nga lexuesi të mendojë siç mendoj unë, por thjesht sa ta kuptojë lexuesi si jam duke menduar unë”! – Vallë na paska ndonjë lloj “imponimi” në këtë qasje? Nuk besoj.

Për dallim nga ky “ligj” bazik i botës së mirëfilltë artistike e intelektuale, qasja e politikanëve dhe e intelekto-matëve është mjaft e “turbullt”. Intelekto-matët “kërkojnë” që NE t’mendojmë strikt siç mendojnë ATA, strikt sipas mostrave të tyre. Moralistët dhe vizionarët politikë kërkojnë që t’mos mendojmë aq thellë, t’mos e lodhim kokën duke menduar (për gjërat që ata veç i kanë shoshitur e menduar). E gjitha çfarë duhet bërë ne është t’iu besojmë, duhet t’i besojmë “vizionit”, fantazisë e largpamësisë së tyre.
Këtë s’e thonë troç, s’na e kërkojnë bash drejtpërdrejtë, hapur në fushë (ose rrallë ndodhë – dmth. po, historia na mëson se ka ndodhur dhe kështu). Në rrethanat demokratike të botës bashkëkohore të gjitha kontekstet që ata “padashtas” i shpalosin dhe të gjitha problematikat që i shkapuritin, lënë të nënkuptohet diç e tillë.

Pra e qartë, tinëz a tërthorazi ata na e kërkojnë amullinë intelektuale, na e kërkojnë me anë të tundimit dhe të “faktorëve joshës”. Psh. duke na e shpalosur vizionin për metamorfozën e mirëqenies ekonomike, vizionin e magjibërjes dhe të ndryshimeve kah e “mira” brenda natës, vizionin për globalizmin, vizionin për shpëtimin e planetit, vizionin për pushtimin e Marsit. Sipas tyre duhet t’flemë “zbathur”, të nesërmen të festojmë aty në mitingun madhështor, në sheshin e bujshëm e të stërmbushur.
Mund dhe të dehemi, s’është kusht “dehja”, por gjithsesi s’kërkohet as kthjelltësi… thjesht duhet t’i ndjekim nga pas, devotshmërisht, njësoj siç yllkat e fatosat dikur duhej pas “xhaxhit”, njësoj si të vegjlit e patës krenaroshe të vargëzuar në bisht duke e kaluar autoudhën moderne, atje diku përmes ndonjë ligatine të fierakëve – do thoshte mbase Jakov Xoxa : )

Dhe kështu… si kolektivitet nën delirin politik ne e ndjekim vizionin e tyre, kolektivisht dhe ndjehemi të relaksuar. Në zemrën e nëndijen tonë mbretëron qetësia, mrekullohemi me oratorinë, me moralizimet, me ëmbëlsinë e fjalimeve të tyre. Ashtu nën euforinë, të dehur nga krenaria e gjallimit, nën hipnozën e ëndrrave, s’kemi pse t’ndjehemi keq. Përkundrazi, festojmë nëpër “Times Square” të politikës e të mediatikes, në Sheshet e Kohës sonë, gjatë tërë jetës të magjepsur nga predikantët e moralistët.

Madje dhe nëse t’na e thoshin troç se duhet nisur “Lufta e 2-të… e Ftohtë, a e Nxehtë”, cilado të jetë, no problemos. Ne thjesht e miratojmë çfarëdo që të thonë. Idetë e tyre, moralizmat dhe miratimet tona janë të “gërshetuara” në emër të politikave moderne, në emër të shkencave sociale të avancuara. Duhet bombarduar Iraku, okidoooki, duhet demokratizuar Çmendustani, yeah… hurrraaa, duhet prerë veshët Gadafit, Filanit a Sadamit, duhet demoduar… hedhur jashtë “ligjit të modës” shamijat e Erdoganit, yeah… right, duhet shqyer “burk-zezat” e Afganistanit, duhet rruar në të thatë mjekrrat e Iranit a të Talibanit, okidoki, why not!

Sistematikisht moralistët rrinë duke i tundur shoshat intelekto-matike të aryes. Është aq fisnike kur dikush veç ka “menduar” për ne, me kohë i ka “menduar” të gjitha. Shoshashkat e tyre intelektuale s’e ndalin as dhe një grimcë pluhuri, përveç kokrrave të shëndosha. Ndjehemi të lumtur që dikush e ka aftësinë të para-mendojë për ne. Madje kemi ujdisur dhe mandate e kampanja (demokratike, mediatike, diplo-intelekto-matike, aka-demike…), kemi ujdisur rregulla, itinerare. Nga -Izmat e moralizmat e modernizmit tonë t’ngelej pa mend dhe vetë Platoni, do të tretej, do strukej diku në qoshen e sheshit, do t’fshihej në fuqinë plot duhmë.. nën kashtën e Diogjenit, do ia fikte dhe “fenerin”, qenëve do ua bënte shhhhhhhh, mos dilni se turp!

Varietetet, -izmat e panumërt dhe shumëllojshmëria janë që t’i shmangemi monotonisë, që t’mos na bëhen bajate, që t’kemi sa më shumë mundësi zgjedhjesh. Askush s’priste, bia fjala nga “parasokratikët” që ta shteronin gjenialitetin bash 100%, as sot s’pret kush nga intelekto-matët ta angazhojnë intelektin bash 100%. Përndryshe jeta e tyre do t’ishte katastrofë, do shembej gjithçka e kënaqësisë.

Me intelektin e ngarkuar 100% do t’ishte e pamundur të kënaqeshin, të jetonin mirëfilli, të merreshin me luksozitetin, me limuzinat, me vilat, të buzëqeshnin nëpër mitingjet e kampanjave. Nga ana tjetër, sikur t’mos ishin para-mendimtarët dhe moralistët të mendojnë për neve, s’do kishim as ne mundësi të kënaqemi sadopak. Do t’na duhej ta shpenzonim intelektin tonë, do t’na duhej neve vetë të lodheshim duke menduar : )

segura

Leave a Reply

Your email address will not be published.