SG – Ekolokim (Poetik)

EKOLOKIM (POETIK)
S. Guraziu, 2019

(në historinë e njerëzimit s’ka ekzistuar ky fenomen, por tani poetët thjesht kërkojnë “azil” në Internet)

dy gisht fytyrë janë, sa
nga kërthiza deri tek qimja
e parë “veneriane” – do
thoshte një mike e imja,
por gjenialiteti shkëlqen
në vaskën virtuale,
si prapanicë bebesh,
buzëqesh me flluska jargësh,
fytyrë-delfin në akuanet,
(diç si analogji e internetit,
ndërsa dihet, termat
rishtas diç si analogji
kriptografike e rrjetit),
reflekton, analizon, me
sonarin e ndjenjës
i ha anagramet poetike,
epigrafet mediatike,
epigramet politike, por
dhe sonetet e Shekspirit,
odat, nostalgjitë pastorale
të Bajronit (që s’i shkroi
kurrë), haikut, epikat,
elegjitë, lirikat e Nerudës,
baladat e komunarëve
t’Parisit… ekolokon,
i lokalizon shpirtrat,
i kapë thirrjet e klithmat,
shkëputesh me inercionin
spektakolar të bishtit,
ca milisekonda në ajri
i zbërthen valët sonike
si veshkat e alkoholistëve,
mini-fabrikë, filteriadë
poetike, i përtyp vargjet
si qershizat, të ëmblen
e vjershave e merr, e bën
mjaltë, you “like” it…
gjithçka nën gjuhë
e mbi gjuhë, gjithçka
që t’pëlqen, bërthamat
i hedh, si perlat nëpër
bajga, t’i ha unë,
pa dhëmbë… t’i zbërthej.

segura