{"id":18555,"date":"2025-08-24T16:16:46","date_gmt":"2025-08-24T15:16:46","guid":{"rendered":"https:\/\/letrat.eu\/?p=18555"},"modified":"2025-09-03T20:48:23","modified_gmt":"2025-09-03T19:48:23","slug":"sarina-romero-per-jorge-luis-borges","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/letrat.eu\/?p=18555","title":{"rendered":"Sarina Romero &#8211; P\u00ebr Jorge Luis Borges"},"content":{"rendered":"<p><a  href=\"https:\/\/letrat.eu\/wp-content\/uploads\/2025\/08\/arspo_salina_ramirez_ph1.jpg\" data-rel=\"lightbox-gallery-0\" data-rl_title=\"\" data-rl_caption=\"\" title=\"\"><img loading=\"lazy\" decoding=\"async\" src=\"https:\/\/letrat.eu\/wp-content\/uploads\/2025\/08\/arspo_salina_ramirez_ph1-214x300.jpg\" alt=\"\" width=\"214\" height=\"300\" class=\"alignright size-medium wp-image-18556\" srcset=\"https:\/\/letrat.eu\/wp-content\/uploads\/2025\/08\/arspo_salina_ramirez_ph1-214x300.jpg 214w, https:\/\/letrat.eu\/wp-content\/uploads\/2025\/08\/arspo_salina_ramirez_ph1.jpg 691w\" sizes=\"auto, (max-width: 214px) 100vw, 214px\" \/><\/a>P\u00cbR JORGE LUIS BORGES<br \/>\nSarina Raquel Romero [ ShBA ]<\/p>\n<p>Jorge, s&#8217;ka fare r\u00ebnd\u00ebsi se ku shkojm\u00eb bashk\u00eb<br \/>\ngjithmon\u00eb ka nj\u00eb mit t\u00eb madh komb\u00ebtar q\u00eb rr\u00ebzohet.<br \/>\nMiti nga vij un\u00eb pretendon tremij\u00eb vjet histori.<br \/>\nQeveria i financon artist\u00ebt p\u00ebr ta v\u00ebrtetuar k\u00ebt\u00eb.<br \/>\nKjo \u00ebsht\u00eb arsyeja pse ka nj\u00eb pull\u00eb zyrtare<br \/>\nn\u00eb romanin e par\u00eb t\u00eb Carlos Fuentes, dhe<br \/>\nduartrokitje p\u00ebr Octavio Paz n\u00eb Tlatelolco,<br \/>\nn\u00eb vitin 1969, duke th\u00ebn\u00eb vazhdimisht,<br \/>\nnuk ishte triumf, dhe s&#8217;ishte as disfat\u00eb.<br \/>\nPor ishte nj\u00eb masak\u00ebr, dhe ishte nj\u00eb disfat\u00eb.<br \/>\nThashethemet thon\u00eb se Kastro q\u00ebndroi zgjuar<br \/>\np\u00ebr nj\u00eb nat\u00eb t\u00eb t\u00ebr\u00eb duke shkruar fjalimin e vet<br \/>\np\u00ebr artist\u00ebt. Pretendonte q\u00eb ata t&#8217;i jepnin premtime<br \/>\nq\u00eb s&#8217;mund t&#8217;i mbanin. Duke i th\u00ebn\u00eb vetes nj\u00eb gj\u00eb,<br \/>\ndhe pastaj duke b\u00ebr\u00eb fare di\u00e7 tjet\u00ebr. Ni triunfo, ni derrota.<br \/>\nPasi u largua nga Kuba dhe pastaj nga Nju Jorku,<br \/>\nZilia Sanchez u zhvendos n\u00eb Kosta Rik\u00eb,<br \/>\ndhe jetoi atje deri n\u00eb fund t\u00eb jet\u00ebs s\u00eb saj.<br \/>\n&#8220;M\u00eb af\u00ebr se kaq s&#8217;kam si afrohem me Kub\u00ebn&#8221;,<br \/>\ntha. Oqeani s&#8217;\u00ebsht\u00eb kurr\u00eb brenda pun\u00ebs sime,<br \/>\ns&#8217;mund ta shoh\u00ebsh kurr\u00eb, mir\u00ebpo jeton n\u00eb mua,<br \/>\n\u00ebsht\u00eb burimi i gjith\u00e7kaje brenda meje.<br \/>\nEkziston nj\u00eb video e vitit 2000 duke e hedhur<br \/>\nnj\u00ebr\u00ebn nga pikturat e veta n\u00eb oqean.<br \/>\nIu desh t\u00eb p\u00ebrkulej dhe ta kapte kanavac\u00ebn<br \/>\ne gjer\u00eb me t\u00eb dyja duart p\u00ebr ta tejkaluar<br \/>\nndarjen. U fut n\u00eb uj\u00eb deri n\u00eb gjunj\u00eb p\u00ebr ta shtyr\u00eb<br \/>\ntej n\u00eb krah\u00ebt e dallg\u00ebs, sa her\u00eb q\u00eb piktura i kthehej.<br \/>\nDoja q\u00eb piktura t\u00eb notonte dhe t\u00eb largohej,<br \/>\nqe shprehur, doja ta shihja agonin\u00eb e saj,<br \/>\nsikur piktura t&#8217;ishte nj\u00eb person.<\/p>\n<p><span style=\"color: #999999;\">\u00a9 S. Romero &#8211; via Poetry Foundation, ShBA<\/span><br \/>\n<span style=\"color: #999999;\">\u00a9 p\u00ebr p\u00ebrkthimin: S. Guraziu \u2013 Ars Poetica, 2025<\/span><\/p>\n<p><em>(ngjitur: foto-portret, Sarina Romero, foto nga Natasha Rao)<\/em><\/p>\n<p>***<br \/>\n<strong>V\u00ebshtrim rreth poezis\u00eb s\u00eb Sarina Romero, kushtuar t\u00eb madhit Borges<\/strong>!<br \/>\n<em>(S. Guraziu &#8211; Ars Poetica, 24 Gusht 2025)<\/em><\/p>\n<p>(&#8230;<strong>Borges e dinte, thuase dhe ashtu i &#8220;verb\u00ebr&#8221; mund t\u00eb shihte aq larg &#8211; tashm\u00eb dhe poetja e re Sarina Romero sikur i drejtohet dit\u00eblindjes s\u00eb tij me nderimin e largpam\u00ebsis\u00eb borgesiane<\/strong>&#8230;)<\/p>\n<p>E lexova k\u00ebt\u00eb poezi sot dhe sikur po p\u00ebrpiqesha t\u00eb merrja pjes\u00eb n\u00eb zinxhirin e bukur dhe t\u00eb pafund t\u00eb let\u00ebrsis\u00eb, ku nj\u00eb poete e re amerikane e nderon nj\u00eb mjesht\u00ebr t\u00eb vjet\u00ebr, mjaft mir\u00eb t\u00eb njohur p\u00ebr mua, Borgesin. Kjo poezi e poetes Sarina Romero u zgjodh nga Poetry Foundation p\u00ebr ta nderuar Borgesin n\u00eb dit\u00eblindjen e tij&#8230; sot. Jorge Luis Borges lindi dit\u00ebn e sotme, m\u00eb 24 Gusht 1899.<\/p>\n<p>\u00cbsht\u00eb poezia e saj e vetme atje, n\u00eb faqet zyrtare t\u00eb Poetry Foundation. Fakti q\u00eb kjo \u00ebsht\u00eb poezia e vetme atje, sikur e b\u00ebn nderimin ndaj saj edhe m\u00eb t\u00eb thell\u00eb. Thuase n\u00ebnkupton q\u00eb redaksia e kan\u00eb hetuar dend\u00ebsin\u00eb e madhe t\u00eb mendimit dhe t\u00eb ndjenj\u00ebs, z\u00ebrin aq t\u00eb formuar dhe t\u00eb fuqish\u00ebm n\u00eb krijimin poetik, andaj le t&#8217;jet\u00eb pik\u00ebrisht sot prezente n\u00eb faqen ton\u00eb, le t&#8217;jet\u00eb sot dita e nderimit, p\u00ebr t&#8217;i b\u00ebr\u00eb homazh dit\u00eblindor nj\u00ebrit prej t\u00eb m\u00ebdhenjve, Borgesit.<\/p>\n<p>Pra, ndoshta jo vet\u00ebm si poezi, por nj\u00ebkoh\u00ebsisht dhe di\u00e7 si kujtes\u00eb historike, si homazh poetik ndaj historis\u00eb &#8211; sepse poezia e saj \u00ebsht\u00eb nj\u00eb pasardh\u00ebse e denj\u00eb e trash\u00ebgimis\u00eb borgesiane. Borgesi ishte mjeshtri i bibliotekave, i pasqyrimeve, i labirinteve dhe i shtresave t\u00eb pafundme mes realitetit dhe miteve. Borgesi e pati kuptuar se identiteti komb\u00ebtar ndoshta \u00ebsht\u00eb nj\u00eb lloj historie q\u00eb ne ia tregojm\u00eb vetes, nj\u00eb bibliotek\u00eb e kuruar me tekste t\u00eb zgjedhura dhe me tmerre t\u00eb harruara.<\/p>\n<p>Poezia e Sarina Romero p\u00ebrfundimisht flet p\u00ebr luft\u00ebn personale, rreth sfid\u00ebs s\u00eb t\u00eb q\u00ebnit personazh autentik n\u00eb faqet e artit, poet apo artist i sinqert\u00eb n\u00eb nj\u00eb bot\u00eb q\u00eb na k\u00ebrkon t\u00eb ndjehemi konform me historin\u00eb e thjesht\u00ebzuar, t\u00eb pastruar (sanitarizuar) dhe shpesh t\u00eb pandershme. N\u00eb poezin\u00eb e saj sikur b\u00ebhet fjal\u00eb p\u00ebr agonin\u00eb dhe domosdoshm\u00ebrin\u00eb e p\u00ebrpjekjes p\u00ebr ta shtyr\u00eb pun\u00ebn ton\u00eb krijuese, veprimin, aktivitetin ton\u00eb p\u00ebrtej pik\u00ebs s\u00eb thyerjes t\u00eb rr\u00ebfimit zyrtar, n\u00eb val\u00ebn e tmerrshme dhe \u00e7liruese t\u00eb s\u00eb v\u00ebrtet\u00ebs.<\/p>\n<p>Poezia e saj \u00ebsht\u00eb nj\u00eb labirint borgesian i nd\u00ebrtuar jo nga rafte librash, por nga momente historike, nga ikonash kulturore dhe nga ankthet personale. Klithma e saj poetike sikur m\u00ebton t&#8217;i zbatoj\u00eb shqet\u00ebsimet filozofike borgesiane t\u00eb meta-gjendjes moderne, post-koloniale. Poetja Romero sikur e rimerr tem\u00ebn e dashur t\u00eb Borgesit &#8211; hendekun e tmerrsh\u00ebm mes hart\u00ebs dhe territorit, mes historis\u00eb dhe t\u00eb v\u00ebrtet\u00ebs historike &#8211; dhe e b\u00ebn pafund\u00ebsisht thell\u00ebsore, e kthen n\u00eb di\u00e7 politike, e po ashtu n\u00eb di\u00e7 thell\u00ebsisht personale.<\/p>\n<p>Kur lexojm\u00eb nj\u00eb poezi p\u00ebrpiqemi ta ndiejm\u00eb &#8211; p\u00ebrpiqemi t&#8217;i p\u00ebrthithim sa m\u00eb shum\u00eb elemente q\u00eb mendja na e mund\u00ebson (ose dhe pamund\u00ebson, vlen dhe kjo, absolutisht, andaj dhe p\u00ebrpjekja : ) pesh\u00ebn, kompleksitetin, dometh\u00ebnien jo vet\u00ebm poetike, si krijim artistik, por dhe dometh\u00ebnien kontekstuale t\u00eb jet\u00ebs, t\u00eb gjallimit, t\u00eb sfidave eventuale historike, t\u00eb mbamendjes kolektive, i sjellim nd\u00ebrmend dhe i lidhim metaforat, aluzionet etj etj. &#8211; brenda vet\u00eb &#8220;leximit&#8221; sikur p\u00ebrpiqemi t&#8217;k\u00ebrkojm\u00eb nj\u00eb lexim akoma m\u00eb t\u00eb thell\u00eb.<\/p>\n<p>Dhe lexoj rregullisht, p\u00ebr t&#8217;mos e tepruar me v\u00ebrtet\u00ebsin\u00eb&#8230; p\u00ebr t&#8217;mos th\u00ebn\u00eb \u00e7do dit\u00eb, at\u00ebher\u00eb thuase besnik\u00ebrisht e ndjek k\u00ebshill\u00ebn e G\u00ebtes (Goethe) &#8220;mund\u00ebsisht njeriu duhet ta lexoj\u00eb t\u00eb pakt\u00ebn nj\u00eb poezi t\u00eb mir\u00eb \u00e7do dit\u00eb&#8221;. Por nuk \u00ebsht\u00eb k\u00ebshtu, s&#8217;\u00ebsht\u00eb se v\u00ebrtet na qenkam duke e ndjekur &#8220;k\u00ebshill\u00ebn&#8221; e tij, rast\u00ebsisht ka ndodhur e gjith\u00eb v\u00ebrtet\u00ebsia. Thuase &#8220;rutina&#8221; e Poetry Foundation na detyron ta b\u00ebjm\u00eb k\u00ebt\u00eb : ) sepse ata jan\u00eb aq besnik\u00eb sa u p\u00ebrket poezive, ua shp\u00ebrndarjn\u00eb lexuesve aneskaj bot\u00ebs \u00e7do dit\u00eb nga nj\u00eb poezi t\u00eb zgjedhur.<\/p>\n<p>Mir\u00ebpo dhe &#8220;leximi&#8221; n\u00eb fakt sikur \u00ebsht\u00eb m\u00eb shum\u00eb proces i t\u00eb menduarit&#8230; sesa thjesht lexim, mund t\u00eb ndodh\u00eb q\u00eb ndonj\u00eb poezi kok\u00ebfort\u00ebsisht ta mbaj\u00eb mendjen time &#8220;t\u00eb z\u00ebn\u00eb&#8221; p\u00ebr nj\u00eb dit\u00eb t\u00eb t\u00ebr\u00eb, ndonj\u00ebher\u00eb dhe m\u00eb gjat\u00eb. Thuase ky lloj lexim-mendimi v\u00ebrtet na qenk\u00ebsh b\u00ebr\u00eb nj\u00eb form\u00eb p\u00ebrkushtimi &#8211; vall\u00eb a nuk \u00ebsht\u00eb kjo vetiu nj\u00eb lloj \u00e7mendurie, pa\u00e7ka se e \u00ebmb\u00ebl (ngjash\u00ebm si\u00e7 dhe dashuria : )<\/p>\n<p>N\u00eb mendjen e G\u00ebtes, ndoshta, si ritual i p\u00ebrditsh\u00ebm, t\u00eb menduarit e thell\u00eb mbi nj\u00eb krijim t\u00eb vet\u00ebm gjuh\u00ebsor (n\u00eb form\u00ebn e poezi\u00eb &#8211; duke e lejuar t&#8217;na e zaptoj\u00eb mendjen p\u00ebr nj\u00eb dit\u00eb ose dhe gjat\u00eb) mund t\u00eb interpretohet sakt\u00ebsisht si\u00e7 dhe \u00ebsht\u00eb supozuar q\u00eb ta p\u00ebrjetojm\u00eb poezin\u00eb. Ndoshta ashtu mendonte G\u00ebte. Ndoshta v\u00ebrtet jam duke e ndjekur pavet\u00ebdijsh\u00ebm k\u00ebshill\u00ebn e tij, por dhe udh\u00ebzimin e n\u00ebnkuptuar t\u00eb vet\u00eb poezis\u00eb.<\/p>\n<p>Thuase v\u00ebrtet e paskam kthyer shp\u00ebrndarjen e p\u00ebrditshme t\u00eb Poetry Foundation n\u00eb iden\u00eb e G\u00ebtes, nga nj\u00eb &#8220;rutin\u00eb&#8221; e thjesht\u00eb n\u00eb nj\u00eb praktik\u00eb t\u00eb shenjt\u00eb : ) Thuase di\u00e7 si ritual neo-pagan\u00ebsh modern\u00eb, sikur s&#8217;jam vet\u00ebm duke &#8220;konsumuar&#8221; poezi, por dhe duke e ftuar poezin\u00eb p\u00ebr bisedash t\u00eb heshtura me mendjen e me zemr\u00ebn. Padyshim G\u00ebte kishte t\u00eb drejt\u00eb, le t&#8217;jet\u00eb e v\u00ebrtet\u00eb, askush i k\u00ebsaj bote s&#8217;ka gj\u00eb kund\u00ebr men\u00e7urive t\u00eb tij &#8211; prandaj dhe arsyeja pse na e pati l\u00ebn\u00eb k\u00ebshill\u00ebn e vet : )<\/p>\n<p>Nj\u00eb poezi e vetme mund t\u00eb ushqej\u00eb nj\u00eb dit\u00eb t\u00eb t\u00ebr\u00eb mendimesh, sepse poezia \u00ebsht\u00eb nj\u00eb univers i p\u00ebrqendruar. Nj\u00eb poezi e mir\u00eb nuk \u00ebsht\u00eb thjesht deklarat\u00eb, anise deklarimi i saj \u00ebsht\u00eb thelb\u00ebsor, mir\u00ebpo skema gjuh\u00ebsore poetike \u00ebsht\u00eb far\u00eb n\u00eb radh\u00eb t\u00eb par\u00eb, \u00ebsht\u00eb nj\u00eb lloj thelbi, nj\u00eb lloj far\u00ebze mjaft pjellore. Nj\u00eb poezi e mir\u00eb p\u00ebrmban brenda form\u00ebs s\u00eb saj kompakte bot\u00eb t\u00eb t\u00ebra kuptimesh, emocionesh, qart\u00ebsish por dhe paqart\u00ebsish.<\/p>\n<p>Poezia dhe \u00ebsht\u00eb e &#8220;projektuar&#8221; ashtusoj q\u00eb t\u00eb zb\u00ebrthehet ngadal\u00eb, thuase v\u00ebrtet ndonj\u00eb karamele duke rr\u00ebshqitur fytit t\u00eb gjat\u00eb t\u00eb gjirafave. Poezia shpesh sikur na k\u00ebnaq dhe me v\u00ebshtir\u00ebsin\u00eb &#8211; thuase na tundon p\u00ebr t&#8217;i zbuluar shtres\u00ebzat e saj, pas vizitave t\u00eb p\u00ebrs\u00ebritura mendore. Poezia e mir\u00eb \u00ebsht\u00eb di\u00e7 si pasqyr\u00eb shpirt\u00ebrore dhe mendore, &#8220;konsumi&#8221; i poezis\u00eb me mendjen ton\u00eb n\u00eb fakt \u00ebsht\u00eb vet\u00eb mendja jon\u00eb n\u00eb pun\u00eb e sip\u00ebr.<\/p>\n<p>Poezia na e ofron korniz\u00ebn, imazhet, pyetjet &#8211; por kuptimi t\u00eb cilin e fark\u00ebtojm\u00eb, \u00ebsht\u00eb bashk\u00ebpunim mes fjal\u00ebve, imazheve, ideve t\u00eb poetit dhe mes p\u00ebrvojave, kujtimeve, ndjenjave tona. G\u00ebte kishte fort t\u00eb drejt\u00eb, af\u00ebrmendsh&#8230; sigurisht q\u00eb kishte, pas leximit ne s&#8217;jemi duke menduar vet\u00ebm p\u00ebr poezin\u00eb, tashm\u00eb jemi duke menduar s\u00eb bashku me pozin\u00eb, jemi b\u00ebr\u00eb tashm\u00eb di\u00e7 si nj\u00eb duo dinamike e nj\u00ebsuar.<\/p>\n<p>Poezia e mir\u00eb \u00ebsht\u00eb nj\u00eb form\u00eb e vet\u00ebdijes, rituali yn\u00eb i p\u00ebrditsh\u00ebm i praktik\u00ebs s\u00eb leximit \u00ebsht\u00eb nj\u00eb antidot i fuqish\u00ebm ndaj konsumit t\u00eb fragmentuar t\u00eb informacionit q\u00eb e p\u00ebrcakton koh\u00ebn ton\u00eb bashk\u00ebkohore (st\u00ebrngarkuar nga materia mediatke). Duke lexuar nj\u00eb poezi, sikur jemi duke e zgjedhur thell\u00ebsin\u00eb e kuptimit mbi gjer\u00ebsin\u00eb e bosh\u00ebsis\u00eb, meditimin komod mbi shfletimin e ngutsh\u00ebm. Sikur jemi duke lejuar q\u00eb nj\u00eb krijim i vet\u00ebm poetik i hartuar me kujdes ta p\u00ebrqendroj\u00eb vet\u00ebdijen ton\u00eb, si ushqim shpirt\u00ebror e kulturor.<\/p>\n<p>Fakti q\u00eb nj\u00eb poezi e vetme si prurje nga nj\u00eb poete e re si Sarina Romero, mund ta ndez\u00eb nj\u00eb &#8220;bised\u00eb&#8221; t\u00eb pasur dhe intensive mes mendjeve tona sikur \u00ebsht\u00eb vet\u00eb d\u00ebshmia e p\u00ebrsosur e fuqis\u00eb s\u00eb poezis\u00eb.<br \/>\nSepse nuk e lexojm\u00eb poezin\u00eb thjesht di\u00e7 si &#8220;k\u00ebnaq\u00ebsi&#8221; dhe vet\u00ebm aq, n\u00eb fakt e l\u00ebm\u00eb t\u00eb rezonoj\u00eb, e aktivizojm\u00eb mendjen ton\u00eb dhe duke vepruar k\u00ebshtu, sikur e zgjerojm\u00eb kuptimin poetik, poezia b\u00ebhet pjes\u00eb e jona. Ndryshe nga lajmet dhe l\u00ebnda gazetareske, leximi i nj\u00eb poezie \u00ebsht\u00eb konsum artistik, patjet\u00ebr se \u00ebsht\u00eb m\u00eb shum\u00eb sesa vet\u00ebm lexim, \u00ebsht\u00eb nd\u00ebrkomunikim shpirt\u00ebror dhe intelektual.<\/p>\n<p>Poezia e titulluar &#8220;P\u00ebr Jorge Luis Borges&#8221; (thuase pa titull fare) e poetes Sarina Romero \u00ebsht\u00eb nj\u00eb meditim v\u00ebrtet i dendur, poetik dhe thell\u00ebsisht politik mbi pesh\u00ebn e mitit komb\u00ebtar, dhun\u00ebn e historis\u00eb dhe rreth luft\u00ebs s\u00eb poet\u00ebve, artist\u00ebve p\u00ebr ta gjetur t\u00eb v\u00ebrtet\u00ebn dhe autenticitetin n\u00ebn presionin shtyp\u00ebs t\u00eb narrativave zyrtare.<\/p>\n<p>Nuk ka t&#8217;b\u00ebj\u00eb aq me tiranin\u00eb e mitit komb\u00ebtar, dhe nj\u00ebkoh\u00ebsisht po, sikur ballafaqohet me t\u00eb dy segmentet n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn koh\u00eb &#8211; vargu hyr\u00ebs i poezis\u00eb s\u00eb saj e vendos shtyll\u00eb-tem\u00ebn borgesiane, &#8220;pavar\u00ebsisht se ku shkojm\u00eb s\u00eb bashku Borges, gjithmon\u00eb ka nj\u00eb mit t\u00eb madh komb\u00ebtar q\u00eb rr\u00ebzohet, ose shembet&#8221;. Kjo \u00ebsht\u00eb ideja thelb\u00ebsore e poezis\u00eb s\u00eb saj, poetja ndihet e p\u00ebrndjekur nga historia e sanksionuar nga shteti p\u00ebr atdheun, histori q\u00eb \u00ebsht\u00eb shtyp\u00ebse dhe e gjer\u00eb &#8220;tremij\u00eb vjet&#8221;, e financuar nga shteti. Ky mit nuk \u00ebsht\u00eb vet\u00ebm histori, \u00ebsht\u00eb dhe mjet kontrolli, narrativ\u00eb q\u00eb ak\u00ebciala qeveri aktuale e nd\u00ebrton dhe e zbaton n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb aktive duke e financuar artin q\u00eb e &#8220;v\u00ebrteton&#8221; legjitimitetin narrativesk.<\/p>\n<p>Poezia e saj flet p\u00ebr artin dhe p\u00ebr shtremb\u00ebrimin e historis\u00eb, flet se si arti (qoft\u00eb i fjal\u00ebs s\u00eb shkruar qoft\u00eb tjet\u00ebr), madje dhe pop-kultura globale rekrutohen n\u00eb sh\u00ebrbim t\u00eb k\u00ebtij miti komb\u00ebtar. Romani i Carlos Fuentes e merr nj\u00eb &#8220;vul\u00eb zyrtare&#8221;, duke e shnd\u00ebrruar artin n\u00eb propagand\u00eb shtet\u00ebrore &#8211; kjo ka ndodhur aq shum\u00eb her\u00eb gjat\u00eb historis\u00eb, dhe gjithandej n\u00ebp\u00ebr bot\u00eb, e dim\u00eb fort mir\u00eb se \u00ebsht\u00eb e v\u00ebrtet\u00eb. Shfaqja e Octavio Paz n\u00eb Tlatelolco &#8211; vendi i masakr\u00ebs qeveritare t\u00eb v. 1968 ndaj student\u00ebve protestues &#8211; \u00ebsht\u00eb nj\u00eb shembull grotesk i mitit q\u00eb e &#8220;sanitizon&#8221; historin\u00eb.<\/p>\n<p>Fjal\u00ebt e Octavio Paz (t\u00eb raportuara nga poetja) &#8220;nuk ishte triumf, nuk ishte disfat\u00eb&#8221; jan\u00eb slogan i zbraz\u00ebt dhe apolitik q\u00eb e fshin plot\u00ebsisht t\u00eb v\u00ebrtet\u00ebn &#8211; &#8220;por ishte masak\u00ebr, dhe ishte disfat\u00eb&#8221;. Kjo \u00ebsht\u00eb g\u00ebnjeshtra qendrore q\u00eb e thekson poezia e Sarina Romero, refuzimi p\u00ebr t&#8217;i pranuar t\u00eb v\u00ebrtetat e dhimbshme dhe p\u00ebrcaktuese. Tlatelolco, q\u00eb poetja e p\u00ebrmend (n\u00ebp\u00ebrmjet shmangies apolitike t\u00eb Octavio Paz) ishte nj\u00eb masak\u00ebr ushtarake e kryer nga forcat e armatosura meksikane kund\u00ebr student\u00ebve t\u00eb shum\u00eb universiteteve n\u00eb Meksik\u00eb.<\/p>\n<p>Masakra qe pasuar nga nj\u00eb seri demonstratash t\u00eb m\u00ebdha t\u00eb njohura si L\u00ebvizja Meksikane e v. 1968. &#8220;P\u00ebrpjekjet e guximshme hetimore nga gazetar\u00ebt, studiuesit, historian\u00ebt dhe nj\u00eb komitet zyrtar i Kongresit kan\u00eb ndihmuar jasht\u00ebzakonisht n\u00eb sqarimin e ngjarjeve t\u00eb v. 1968. Por arkivat sekrete t\u00eb Meksikos jan\u00eb gjithashtu kritike p\u00ebr nj\u00eb kuptim t\u00eb plot\u00eb t\u00eb Tlatelolcos &#8211; dhe derisa ato t\u00eb hapen, dyshimet rreth s\u00eb v\u00ebrtet\u00ebs s\u00eb masakr\u00ebs s\u00eb Tlatelolcos do t&#8217;vazhdojn\u00eb&#8221; &#8211; lexova n\u00eb faqen zyrtare t\u00eb Arkivit t\u00eb Siguris\u00eb Komb\u00ebtare t\u00eb ShBA (NSA).<\/p>\n<p>Fiksionalja kolektive e historis\u00eb mund t\u00eb vij\u00eb me kostot personale &#8211; historia e &#8220;Kastros&#8221; (qoft\u00eb figur\u00eb fiksionale, apo figur\u00eb p\u00ebrfaq\u00ebsuese reale) \u00ebsht\u00eb thelb\u00ebsore n\u00eb poezin\u00eb e Romero. Ai rri zgjuar gjith\u00eb nat\u00ebn duke shkruar nj\u00eb fjalim p\u00ebr t&#8217;i b\u00ebr\u00eb artist\u00ebt t&#8217;i premtojn\u00eb gj\u00ebra q\u00eb &#8220;s&#8217;mund t&#8217;i mbajn\u00eb&#8221;. Kjo \u00ebsht\u00eb metafor\u00eb groteske p\u00ebr gjith\u00eb projektin komb\u00ebtar, &#8220;t&#8217;i thuash vetes nj\u00eb gj\u00eb, dhe pastaj t\u00eb b\u00ebsh fare di\u00e7 tjet\u00ebr&#8221;. B\u00ebhet fjal\u00eb p\u00ebr thyerjen e brendshme dhe besimin e nevojsh\u00ebm p\u00ebr ta mb\u00ebshtetur identitetin komb\u00ebtar, identitet i nd\u00ebrtuar mbi nj\u00eb themel g\u00ebnjeshtrash dhe premtimesh t\u00eb pambajtura. B\u00ebhet fjal\u00eb p\u00ebr koston psikologjike t\u00eb t\u00eb jetuarit brenda nj\u00eb kontradikte.<\/p>\n<p>Pastaj vjen m\u00ebrgimi dhe k\u00ebrkimi i af\u00ebrsis\u00eb s\u00eb artistes Zilia Sanchez, artistja ishte thell\u00ebsisht e lidhur me Meksikon. Duke e zhvendosur at\u00eb n\u00eb Kosta Rik\u00eb p\u00ebr t\u00eb qen\u00eb &#8220;sa m\u00eb af\u00ebr Kub\u00ebs q\u00eb mund t\u00eb isha&#8221;, poezia flet p\u00ebr d\u00ebshir\u00ebn e thell\u00eb, p\u00ebr \u00ebndrr\u00ebn e idealizuar revolucionare (Kub\u00ebn) q\u00eb n\u00eb fund t\u00eb fundit \u00ebsht\u00eb e paarritshme. B\u00ebhet fjal\u00eb p\u00ebr m\u00ebrgimin &#8211; si at\u00eb fizik e po ashtu dhe m\u00ebrgimin ideologjik &#8211; si dhe p\u00ebr dhimbjen e t\u00eb qenit i\/e ndar\u00eb nga nj\u00eb vend q\u00eb t\u00eb t\u00ebrheq, por q\u00eb s&#8217;mund ta arrish kurr\u00eb realisht, ose q\u00eb nuk ekziston m\u00eb, ashtu si\u00e7 e imagjinon.<\/p>\n<p>N\u00eb meditimin e poetes (ose duke folur n\u00ebp\u00ebrmjet mendjes s\u00eb Zilia Sanchez) oqeani \u00ebsht\u00eb nj\u00eb e v\u00ebrtet\u00eb e padukshme, e pakontrollueshme. Ndoshta kjo \u00ebsht\u00eb shtresa m\u00eb e bukur dhe e thell\u00eb e poezis\u00eb s\u00eb saj, kushtuar t\u00eb madhit Borges. Oqeani p\u00ebrfaq\u00ebson gjith\u00e7ka q\u00eb miti komb\u00ebtar p\u00ebrpiqet ta shtyp\u00eb, por nuk mundet &#8211; \u00ebsht\u00eb &#8220;burimi i gjith\u00e7kaje&#8221; &#8211; forca e madhe, kaotike, e v\u00ebrtet\u00eb dhe e pakontrollueshme e historis\u00eb, forca e kujtes\u00ebs dhe e s\u00eb v\u00ebrtet\u00ebs.<\/p>\n<p>Oqeani nuk \u00ebsht\u00eb &#8220;kurr\u00eb n\u00eb pun\u00ebn time (n\u00eb artin, n\u00eb krijimin piktural), nuk mund ta shoh\u00ebsh kurr\u00eb aty, por jeton n\u00eb mua&#8221;. Artistja e ndjen k\u00ebt\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00eb nga brenda, por nuk mund ta p\u00ebrfaq\u00ebsoj\u00eb oqeanin drejtp\u00ebrdrejt, ndoshta sepse \u00ebsht\u00eb shum\u00eb i gjer\u00eb, shum\u00eb i rreziksh\u00ebm, ose sepse tregu (ose shteti) e d\u00ebshiron vet\u00ebm mitin e sanksionuar.<\/p>\n<p>Nj\u00eb video ekzistente ku artistja e hedh piktur\u00ebn e vet n\u00eb oqean, \u00ebsht\u00eb akt i dor\u00ebzimit radikal artistik. Zilia Sanchez p\u00ebrpiqet t&#8217;ia kthej\u00eb artin vet\u00eb burimit, ta l\u00ebr\u00eb t\u00eb v\u00ebrtet\u00ebn &#8220;oqeanike&#8221; ta merr\u00eb at\u00eb brenda gjirit. Lufta, ose sfida &#8211; piktura vazhdon t\u00eb shtyhet, t\u00eb refuzohet nga vala &#8211; detaj q\u00eb flet sa e v\u00ebshtir\u00eb \u00ebsht\u00eb t&#8217;i shp\u00ebtosh t\u00ebrheqjes s\u00eb bregut, t\u00ebrheqjes nga e njohura. D\u00ebshira e artistes Sanchez \u00ebsht\u00eb q\u00eb piktura t\u00eb notoj\u00eb, t\u00eb largohet dhe q\u00eb ajo ta sheh &#8220;agonin\u00eb e saj, sikur t&#8217;ishte nj\u00eb person&#8221; &#8211; d\u00ebshir\u00eb q\u00eb arti t\u00eb jet\u00eb i gjall\u00eb me t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn jet\u00eb t\u00eb dhimbshme, me t\u00eb v\u00ebrtet\u00ebn dhe kaotiken, si nj\u00eb qenie njer\u00ebzore. Jo thjesht si nj\u00eb artefakt i vdekur dhe i vulosur i shtetit. Artistja d\u00ebshiron q\u00eb krijimi i saj t\u00eb jet\u00eb i lir\u00eb nga toka dhe mitet e saj, madje dhe n\u00ebse kjo liri t&#8217;jet\u00eb vet\u00eb agonia n\u00eb pafund\u00ebsin\u00eb e oqeanit.<\/p>\n<p>Poezia e Sarina Romero &#8220;P\u00ebr Jorge Luis Borges&#8221; \u00ebsht\u00eb nj\u00eb klithm\u00eb ankthi nga nj\u00eb artiste ose intelektuale e bllokuar brenda identitetit komb\u00ebtar, p\u00ebr t\u00eb cilin dihet se \u00ebsht\u00eb pjes\u00ebrisht nd\u00ebrtim artifi\u00e7a i pushtetit. Sikur poema e saj na flet q\u00eb identiteti komb\u00ebtar \u00ebsht\u00eb shpesh nj\u00eb histori e treguar nga t\u00eb fuqishmit p\u00ebr t\u00eb maskuar dhun\u00ebn dhe p\u00ebr ta ruajtur kontrollin.<\/p>\n<p>T\u00eb jetosh brenda nj\u00eb rr\u00ebfimi t\u00eb rrem\u00eb krijon nj\u00eb ndarje t\u00eb thell\u00eb psikologjike &#8211; mes asaj q\u00eb e di dhe e ndjen se \u00ebsht\u00eb e v\u00ebrtet\u00eb, dhe asaj q\u00eb t\u00eb imponohet nga e jashtmja ta besosh. Thuase arti \u00ebsht\u00eb vazhdimisht i &#8220;z\u00ebn\u00eb&#8221; mes t\u00eb q\u00ebnit nj\u00eb mjet, veg\u00ebl e pushtetit qeveritar, aparat i aparatit shtet\u00ebror (psh. romani i stampuar i Carlos Fuentes, si krenari komb\u00ebtare n\u00eb sh\u00ebrbim t\u00eb pagand\u00ebs pushtetare). Dhe n\u00eb rastin tjet\u00ebr, nj\u00eb en\u00eb p\u00ebr t\u00eb v\u00ebrtet\u00ebn e pakontrollueshme dhe t\u00eb dhimbshme (piktura e hedhur n\u00eb oqean e artistes Sanchez).<\/p>\n<p>Sepse, historia e v\u00ebrtet\u00eb dhe ndjenja e v\u00ebrtet\u00eb jan\u00eb ndoshta si vet\u00eb oqeani, nj\u00eb forc\u00eb e madhe, e fuqishme dhe e pamposhtur q\u00eb vazhdon n\u00ebn peizazhet a la artifi\u00e7a t\u00eb mitit komb\u00ebtar. Oqeani, ashtu si arti, tekefundit jan\u00eb &#8220;kategori&#8221; m\u00ebvete &#8211; verb\u00ebria e pushteteve n\u00eb koh\u00eblinj\u00ebn e historis\u00eb ndoshta asgj\u00eb m\u00eb shum\u00eb por di\u00e7 si gjendje efemere. Borges e dinte, thuase dhe ashtu i &#8220;verb\u00ebr&#8221; mund t\u00eb shihte aq larg &#8211; tashm\u00eb dhe poetja e re Sarina Romero sikur i drejtohet dit\u00eblindjes s\u00eb tij me nderimin e largpam\u00ebsis\u00eb borgesiane.<br \/>\n&nbsp;<br \/>\n&nbsp;<\/p>\n","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>P\u00cbR JORGE LUIS BORGES Sarina Raquel Romero [ ShBA ] Jorge, s&#8217;ka fare r\u00ebnd\u00ebsi se ku shkojm\u00eb bashk\u00eb gjithmon\u00eb ka nj\u00eb mit t\u00eb madh komb\u00ebtar q\u00eb rr\u00ebzohet. Miti nga vij un\u00eb pretendon tremij\u00eb vjet histori. Qeveria i financon artist\u00ebt p\u00ebr&hellip; <a href=\"https:\/\/letrat.eu\/?p=18555\" class=\"more-link\">Lexo <span class=\"meta-nav\">&rarr;<\/span><\/a><\/p>\n","protected":false},"author":1,"featured_media":0,"comment_status":"closed","ping_status":"closed","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[2],"tags":[],"class_list":["post-18555","post","type-post","status-publish","format-standard","hentry","category-perkthime"],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/letrat.eu\/index.php?rest_route=\/wp\/v2\/posts\/18555","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/letrat.eu\/index.php?rest_route=\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/letrat.eu\/index.php?rest_route=\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/letrat.eu\/index.php?rest_route=\/wp\/v2\/users\/1"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/letrat.eu\/index.php?rest_route=%2Fwp%2Fv2%2Fcomments&post=18555"}],"version-history":[{"count":0,"href":"https:\/\/letrat.eu\/index.php?rest_route=\/wp\/v2\/posts\/18555\/revisions"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/letrat.eu\/index.php?rest_route=%2Fwp%2Fv2%2Fmedia&parent=18555"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/letrat.eu\/index.php?rest_route=%2Fwp%2Fv2%2Fcategories&post=18555"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/letrat.eu\/index.php?rest_route=%2Fwp%2Fv2%2Ftags&post=18555"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}