Mitografia moderne – Arti, Mitologjia, Piktura, Filmi!

S. Guraziu – Ars Poetica, T 2017 (Koment)

(Ra duhej të lundronte qiellit në “Lundrën e miliona vjetëve”, në fund të ditës gëlltitej nga Nut, rilindej në agim, çdo të nesërme. Gjatë udhëtimit të tij nëpër qiejt Ra luftoi natë për natë me armikun kryesor, me përbindëshin Apofis).

Mund të flasim lirisht për pothuaj një mijëvjeçar të “pikturës” së mirëfilltë, por s’mund të flasim as për një shekull të “artit filmik”. Me shekuj artistët na e “shpalosin” mitologjinë (e vjetër 4000-5000 vjeç), secili sipas vizionit të vet, duke e pasuruar thesarin botëror artistik-mitografik. Piktura është një tabllo e “vetme” 2-dimensionale, filmi është iluzion 3-dimensional dhe mund t’i ngërthejë panumër “tabllosh”. Historia e artit filmik është “fringo” e re, filmi i parë qe bërë në v. 1896 nga vëllezërit Lumiere.

Mirëpo me zhvillimet marramendëse teknologjike të dekadave të fundit, më në fund edhe “filmi” sikur i ka të gjitha mundësitë për t’u inkuadruar në “shpalosjen” e mitologjisë. Artistët e industrisë së Hollivudit tashmë i kanë të gjitha veglat e nevojshme në dispozicion për “një udhë e dy punë” – ata mëtojnë t’na ofrojnë edhe argëtim edhe art.

Filmi “Gods of Egypt” i vitit të kaluar ishte ndoshta 70% kreacion digjital (70% i montuar në “green screen”)… e mbase pjesa tjetër si filmim klasik (me “kapje” të kamerës). Më herët s’kisha parë ta ngjeshte kush një film të vetëm me “thelbin” mitologjik deri në atë masë – buzëqeshjen ma pati sjellur vetë Ra, derisa e “shante” Apofisin e tmerrshëm (Kaosin): “shporru ndyrësirë, kot i mpreh dhëmbët të ushqehesh me krijesën time” 🙂

Sikur më shumë më pati argëtuar figurativizmi i një skene të vetme tek Ra e tërheq Diellin në zinxhir, sesa të gjitha pikturat e mitografisë së bashku. Kuptohet, s’mund të ketë krahasime, por si shaka pikturat thjesht s’dinë t’na “mashtrojnë” me iluzionin 3-dimensional!

Ndërsa historia e artit (e vizatimeve) shkon prapa në kohë deri në para-historinë, vizatimet më të vjetra të njohura thuhet se janë përafërsisht 40.000 vjeçare. Historia e artit i përfshin të gjitha kulturat, po ashtu dhe ndikimin ndërkulturor, dmth. ndikimin reciprok mes artit perëndimor, artit afrikan, atij islamik, indian, kinez etj.

Secila kulturë i ka dhe mitologjitë e veta. Mitet më të hershme që dinë mitologët janë ato egjiptase dhe datojnë rreth 4000 para e.s. Të njëjtat rrëfime e legjenda mund të gjenden në mitologjitë e kulturave të ndryshme të botës. “Përmbytja e Madhe” mund të gjendet si “rrëfim” pothuajse në çdo kulturë të planetit. Një figurë hyjnore që vdes për të mirën e popullit (psh. si Krishti) mund të trasohet deri… në Epin e Gilgameshit, ose tek Osirisi egjiptas, tek Dionisi grek, Adonisi, Persefona, Krishna etj.

Sipas mitologjisë greko-romake Gaja ishte perëndesha e parë (Nëna Tokë), dhe (me Uranin, djalin e saj) i lindi Ttitanët e brezit të dytë, të cilëve u priu Kronosi (ose Saturni), Kronosi pastaj e mori pushtetin nga babai Urani. Bijtë e Kronosit ishin Zeusi, Poseidoni dhe Hadesi, Zeusi konsiderohet si kryesori në rrëzimin e babait… Kronosit nga froni hyjnor, pas luftës 10-vjeçare Zeusi del fitimtar, dhe pastaj do t’i udhëhiqte 12 zotat Olimpikë… të caktuar nga ai vetë.

Mirëpo përpara rrëfimeve greke për Gajat, mitologjia egjiptase na flet për pesë perënditë zanafillore të Egjiptit, ardhur në jetë nga bashkimi i vëllait Nut (Qiellit) me motrën Geb (Tokën). Osirisi pati lindur i pari, pastaj Isis, Seti, Neftis dhe Horusi (Plaku). Osirisi u bë sundimtari i botës (për egjiptasit e lashtë Egjipti nënkuptonte “botën”).

Egjiptasit e nderuan perëndinë Ra (Diell) si zot që krijoi gjithçka, Ra përfaqësonte diellin, ngrohtësinë dhe rritjen, ishte perëndia qendrore. Egjiptasit besonin se çdo perëndi duhej të mishëronte disa aspekte të Ra, ndërsa vetë Ra duhej të përfaqësonte secilin Zot. Ra duhej të lundronte qiellit në “Lundrën e miliona vjetëve”, në fund të ditës gëlltitej nga Nut, rilindej në agim, çdo të nesërme. Gjatë udhëtimit nëpër qiejt Ra lufton natë për natë me armikun kryesor, me përbindëshin Apofis – Sundimtari i Kaosit.

(bashkëngjitur: Ra dhe Apofisi i Hollivudit : )