Hulumtimi Etimologjik i të Vërtetave Historike

(…si e mori Roma emrin e vet, si e quajti Kolumboja kontinentin e ri, Amerikë, ose Bill Clinton nuk lindi në Irlandë por në Ilirlandë etj…)

Parodizim i vjeter, 1997 – shkëputur nga Lista e vjetër e State University, NY – lidhur me “shkencën” dhe eseistiken shqiptare, e cila shkencë vazhdon nga disa autorë dhe sot e kesaj dite me të njëjten qasje “shkencore”!
Dmth. atëherë kur akoma s’kishte Internet në kuptimin e plotë të fjalës në Tiranë e Shqipëri, kur lehtë mund të thuhet se shqiptarët vetëm zërin ia patën dëgjuar Internetit. Qasja e shkallëzuar (masive) në Internet erdhi vetëm pas v. 1997. Operatori i parë ishte Intellectual Communication Center – Albania, e më pas në v. 1998 Abissnet dhe Adanet. Së bashku me operatorë të tjerë ato filluan ta shtrijnë shërbimin internetik fillimisht në Tiranë, në përfaqësitë diplomatike, ato shtetërore e më pas në qytete të tjera të Shqipërisë.

Ilir O. Logu (pseudonim) – verejtje: emri i autorit të shkrimit është i njohur për mua vetë – është gjerman, anëtaresuar atëbotë në Listat e University at Buffalo Archives The State University of New York, 1997 – Listat akoma janë të arkivuara ‘online’, edhe pas kaq shume viteve, http://listserv.acsu.buffalo.edu/ – duhet identifikim për qasje)
(sguraziu – ap, dhjetor 2012)

– – – / teksti këtu i këputur, si moderim, për arsye etike / – – –
…Fort mirë e përcaktoi Dr. Rugova punën e qerreve kozmike. Prapëseprapë, fjalët e tij kërkojnë një korrigjim të vogël: Pathfajnderi nuk të “përkujton” qerret e kultit të diellit të ilirëve, jo jo jo, pathfajnderi ËSHTË qerre ilire!

“Pathfinder”-i s’është gjë tjetër veçse thjesht kopja e qerreve diellore ilire. Gjë që shihet qartazi qysh në bazë të emrit të qerres kozmike “amerikane”: siç kam treguar me argumente të pakundërshtueshme shkencore në veprën time epokale trembëdhjetëvëllimshme “E vërteta triumfon: Prejardhja ilire e të gjitha gjuhëve të botës”, fjala “pathfinder” (shqipto: pathfajnder) ëshë një leksem i stërlashtë ilir: PA FAJ me NDER – shprehje kjo që njihet si kushtrim i lashtë ilir.
Shfrytëzoj rastin e përshtatshëm për të vënë në dukje se ç’më shtyri e më frymëzoi për hartimin dhe për shkrimin e veprës sime etimologjike: çasti vendimtar ishte ballafaqimi me tezën absurde të rilindasit bullgar Paisij Hilendarski sipas së cilës kryeqyteti i Perandorisë romake paska pasë emër sllav sepse – siç trilloi ky murg ortodoks në librin e tij “Istorija Sllavenobollgarskaja” më 1762 – romakët paskan përdorë fjalën sllave për “paqe”, dmth. fjalën “mir”, për të shënuar karakterin paqedashës të perandorisë së tyre, ku sipas ligjeve të gjuhësisë paska ardhur deri te metateza e dy bashkëtingëlloreve kështu që “mir” u shndërrua në “rim”, prandaj kryeqyteti i Perandorisë romake quhej “Rim”.

Medet e vaj! Murgu bullgar në ethet e tija nacionaliste s’mori parasysh veç një vogëlsi: serbët e bullgarët e quajnë “Rim”, vërtetë, ama vetë romakët e quanin Roma! Ja, kështu nuk bën në punët e shkencës! Në atë moment kob-bardhë vendosa t’ia nisë hulumtimit etimologjik të së vërtetës historike. (“Roma” në të vërtetë është fjalë ilire: RR(n)O MÂ dmth. rrno edhe mâ tęj).

***
Me siguri e dini se gjithë Amerika me gjithë kryetarin e saj Bill Clinton është kryekëput ilire. Po, si jo! Emri i presidentit Clinton (shqipto: Klinton) është emër tepër i bukur ilir: KË (= ke) LIND NDË (kë)T’ON (=anë) = KE LINDË NË KËTË ANË! Kështu të parët e tij donin t’ia përkujtonin faktin se Bill nuk lindi në Irlandë (lexo: Ilirlandë) por, siç e theksuam pak më parë, “në këtë anë”. Duke vërtetuar gjithnjë e më shumë se çdo gjë n’Amerikë është ilire, mirresha me kronikat e indianëve tek hasa edhe në shpjegimin tepër lucid të emrit të kontinentit: në kronikën e lashtë të indianëve gjeta raportin e saktë për takimin e parë të Kolumbos me prabanorët e kontinentit. Ata kishin vëzhguar afrimin e anijes së tij dhe sapo shkeli në tokë të tyre ia bënë pyetjen: “A MBËRRIJTKE?” ku spanjolli Kolumbo dëgjoi një “AM(B)ERI(J)KE?” dhe kontinentin e quajti “Amerike”.

Në fund dua të shtoj që vendosa të shkruaj edhe një vazhdim të veprës sime shkencore, tash me titull “E vërteta trim-fone” ku, për t’iu shpëtuar shkrimit të një vepre njëqindvëllimshe, vendosa t’ia kushtoj vetëm hulumtimit të atyre gjërave fort të pakta që s’janë pellazgo-ilire.

Me nderime,
Ilir O. Logu (ps), 1997

[ photo: National Geographic – Noordwijk Beach, The Netherlands ]

***

[ Komente – Lidhur me: “Parodizim – Hulumtimi etimologjik i të vërtetave historike” ]

Madhështia e Kombit ngrihet vetëm dhe vetëm mbi bazën e të vërtetave shkencore, dhe jo mbi baza bombastike superioriteti të rremë. Kombi matet me të vërtetat e së kaluarës, e sakte kjo nese ia dalim t’i vertetojme me shkencen e paster, por më shumë me FAKTET se ku ka arritur sot, si e kupton dhe zbaton shkencën dhe dijet progresive sot, dhe aspak se si ka qenë “hipotetikisht” dikur” – – V. Shehu

Pak fjalë shtesë – Vetë, lidhur me ekspertizën dhe shembujt e ndryshëm nga fusha në fjalë, s’është se jam marrë ndonjëherë për t’i “gozhduar” si shkencë, apo për t’i hequr “gozhdët e ndryshkura” me zëvendësime më të avancuara, jo, sepse as që më takon të përzihem. Me rastin e shpërndarjes së tekstit, qesh nisur nga respekti për shkencën e mirëfilltë, dmth. që t’mësojmë ndonjë diç (nëse t’ketë diç që ia vlen – nga rastet kur na “përqeshin” të tjerët). Bie fjala, do ishte dëm nëse ta shpërfillnim mesazhin e një “parodie” nga ndonjë forum shkencetarësh të botës, do ishte dëm nëse t’mos “mësonim” asgjë.

Në mbështetje të diçkaje konstruktive është mirë të solidarizohemi me aq sa mundemi, me aq sa kemi kapacitet, me aq sa dimë (kjo vetiu e ngërthen dhe “me aq sa s’dimë”). Besoj gjithkush e ka marrë në frymën pozitive, përcjellja nga unë e atij teksti s’ishte gjë ndryshe, dhe as “qëllim” për t’i fyer shkencat tona. Për fat të mirë shkencat tona janë avancuar deri sa për lakmi, s’janë më në “pelena”, as farë shkencash “lazdrushe”, por shkencash të mirëfillta, të konsoliduara. Megjithatë, kur është fjala për disa fusha “joekzakte”, fjalitë që i këputa nga fundi i mesazhit të z. Shehu dhe i bëra të “yndyrshme”, sipas meje ai formulim i Profesorit është arsye, vërtetësi, urtësi, shkencë – tani qoftë dhe kështu joformalisht, ndarë me mua si bisedë emaili!

Edhe një herë: do ishte dëm nëse ta shpërfillnim mesazhin e nje “parodie” (lidhur me shkencat tona), do ishte dëm nëse t’mos nxirrnim asnjë leksion, dmth., eventualisht… në t’ketë diç për të “nxjerrur” – nëse jo, atëherë asgjë, na ngelet pafajësia e buzëqeshjes.

(Më poshtë koment nga z. Vedat Shehu)

Tungjatjeta z. Guraziu,
Parodi e mrekullueshme, por kuptohet më mirë te mos ishte e tillë. Siç me duket mua, eshte dhe hiperbolizim. Natyrisht që eshte hiperbolizim, s’ka si te mos jete!

Mirepo, nëse shakaja është gjysma e së vërtetës, hiperbolizimi i tejskajshëm nga studiusit tane (shpesh me deformim total të gafave që bejnë etimologët, qofshin dhe të vlerësuar si indo-evropianistë, për të nxjerrë lavdinë qiellore të parashqiptarëve) është “djegie e barit të thatë bashkë me të njomin” – siç e thotë populli. Eshtë hedhje poshtë e të vërtetës bashkë me rrenën, ose me te paverteten.

Po jap vetëm një shembull te nje “etimologjie revoltuese”, midis dhjetra shembujsh që kam evidentuar.

Etimologjia e emrit të mbretit Ilir “Bardhyl”:
1) Pa diskutim, “i bardhë” është fjalë e padiskutueshme e shqipes së sotme, por i takon të ketë qenë dhe e para-shqipes (ndoshta mund të jetë shqiptuar dhe ndryshe).
2) Por “yl”? Kjo rrokje “yl” prej indo-evropianistit që mbahet si i pagabushëm nga ish-studentet e tij, zberthehet si “yll”
3) Ketej, indo-evropianisti i pagabueshem emrin e mbretit Ilir e ka deshifruar si emër mbretëror që shndrit, dmth “Bardhyl” => “I bardhi Yll”.
Kush e kundershton këtë, pothuaj shpallet nga studiuesit e fushes si “antikombëtar”, sidomos kur e “korrigjon” të pagabueshmin indo-evropianist, një dikush jashtë fushës së studimeve “Albanologjike”, dhe për më tepër, një gjeolog që merret me gurin, pale’.

Komenti-Argumenti im:
1) Rrokja “yl”, sipas dialekteve dhe gjuhëve rrethuese është një nga tre variantet e shqiptimit fonetik: “yl”, “ul”, “il”
2) Nëse emri “Bardh” t’i vihej dikujt në trajtën e shquar shqip do t’ishte “Bardhi” (analogji: i mirë = miri). Por nëse do ishte një emër në trajtën e shquar në Thrakisht apo Dakisht (popuj me afersi Ilire), do të kishte mbaresën “il”, apo “ul”.
3) Në fakt “yl” është nyja shquese që merr emri, si mbaresë e emrit në të folmet ilire dhe iliroide. Shqipja (krejt ndryshe nga gjuhët perëndimore) nyjen shquese e ka si mbaresë në fund të emrit, dhe shquan (prape ndryshe nga gjuhët perëndimore) edhe emrat e perveçem. Edhe gjuha dake e latinizuar, që është rumanishtja e sotme, nyjen shquese e ka në fund të emrit, dhe shquan emrat e perveçëm. Shqiptarët këtë fjalë e shquajnë Bardhi, Rumunët e shquajne Bard(h)ul.
Po kështu gjejmë emra të perveçëm edhe sot, që përdoren në trajtë të shquar me nyjë-prapashtesë të huazuar “ul” : Jan => Jani, => Janul ) {Janulatos => ka shquarje rumune + bullgare dhe mbaresë greke}.

Madhështia e Kombit ngrihet vetëm dhe vetëm mbi bazën e të vërtetave shkencore, dhe jo mbi baza bombastike superioriteti të rremë. Kombi matet me të vërtetat e së kaluarës, e sakte kjo nese ia dalim t’i vertetojme me shkencen e paster, por më shumë me FAKTET se ku ka arritur sot, si e kupton dhe zbaton shkencën dhe dijet progresive sot, dhe aspak se si ka qenë “hipotetikisht” dikur (p.sh me gjëra “na ishte se ç’na ishte”, apo me spekulime boshe per perandore e mbreter akoma te palindur, apo me artificializma te “korrigjuar”, te stimuluar sipas vendit e kuvendit rreth profeteve, pastaj te panumer perendive-pagane, dhe cfare tjeter jo nga erresira e se kaluares !!!).

Historia i ka kapriçot e veta. Pa le që kur teprimet “lakuriqësohen” vetvetiu si të paverteta, e ulin shumë objektin që studiohet.

Me respekt,
Vedat Shehu