Zhvillimet teknologjike – Energjia dhe IT-industria

(sguraziu – ap, pr 2023)

(…përdorimi vjetor i energjisë elektrike nga Youtube mund ta furnizojë një familje amerikane për rreth 2 miliardë vjet, ose mund t’i furnizojë 127 milionë familje amerikane (pothuaj gjithë Amerikën) për rreth 8 vjet, Youtube i përdor rreth 243.6 TWh… video-kanalet e vetëm 4 këngëtarëve, Justin Bieber, Katy Perry, Ed Sheeran, Taylor Swift, në v. 2019 i kishin 68 miliardë shikime, konsumi i energjisë elektrike nga kanalet e tyre ishte 9180 GWh – me këtë energji mund të furnizoheshin 850.000 shtëpi amerikane për një vit të tërë… )

***
Përafërsisht 4.1 miliardë njerëz, ose 53.6% e popullsisë globale, e përdorin Internetin. Sipas BBC, “ndotja mjedisore” e aparateve tona, e Internetit në përgjithësi dhe e sistemeve që e ndihmojnë atë, përbëjnë rreth 3.7% të emetimit global të CO2. Ndotje kjo e ngjashme me sasinë e emetimeve nga avio-industria globalisht (dmth. duhet t’i imagjinojmë gjithë avionët e botës, me Airbusa të udhëtarëve e me Herkulesa të ushtrisë). Deri në v. 2040, sasia e CO2 nga IT-industria parashikohet të arrijë 14% të emetimeve globale. Anise njëkohësisht OKB-ja e paska vendosur objektivin e reduktimit të emetimeve të IT-së, deri në 45% gjatë dekadës së ardhshme.

Vetë s’kam ditur, por transmetimi i audios shpenzuaka më pak energji, qenka më pak “karbon-intensive” sesa transmetimi i imazheve. Sikur u gëzova pakëz, dmth. s’qenkam aq i “keq” me ndotjen ambientale – sipas meje më shumë dëgjoj muzika sesa shoh foto. Shoh dhe filma aty-këtu, por s’jam ndonjë filmofil, në fakt ndoshta më shumë dokumentarë (anise, e qartë, filma janë).

Sa për video-lojërat, duhet ta imagjinojmë “ndotjen mjedisore”, qekur s’e kemi idene – por s’ka si mohohet, thuase gjithë rinia e botës janë “vartësuar”, s’munden pa to. Një studim (Universiteti i Kalifornisë) paska zbuluar se amerikanët shpenzojnë 2.4% të energjisë elektrike vjetore (32 TWh) – më shumë se ç’shpenzojnë frigoriferët ose lavatriçet e tyre të shtëpisë. Përdorimi i energjisë për video-lojërat në ShBA prodhuaka 24 Mt CO2 në vit.

Sipas Google, një dekadë më herët, çdo kërkim në Internet shkaktonte një “gjurmë ndotjeje” prej 0.2 gr CO2e. Po ashtu Google thoshte se nëse dikush i bën 25 kërkime në ditë, nëse i shikon 60 minuta video në Youtube, nëse ka një llogari Gmail dhe nëse ka qasje në ndonjë nga shërbimet tjera të tyre – ky përdorues “shkakton” më pak se 8 gr CO2 në ditë. SMS-mesazhet qenkan fajtore për vetëm 0,014 gr CO2e, një cicërimë e Twitter qenka fajtore 0.2 gr CO2e.

Ndërsa, duke u bazuar në raportin e Facebook, BBC thoshte se “karbon-gjurma” vjetore e një përdoruesi të Fb na qenka 299 gr CO2e. Por nëse e kujtojmë se Fb-platforma i ka më shumë se 1 miliard përdorues, atëherë kjo s’është dhe aq pak si “ndotje” – thoshte artikulli i BBC. Sipas pretendimit të Fb, i bie se argëtimi digjital në mediat sociale na qenka forma më e pastër, më së paku karbon-intensive. Megjithatë, sipas meje ngelet i vështirë besimi i raporteve të tyre, e gjithë bota i njeh tashmë, Fb është platformë kryekëput manipulative – s’besoj se u beson kush : )

Meqë në ShBA kompanive të “silikonit” u lejohet të jenë ngapak manipulative, s’është diç ilegale. Me kusht që t’i ndihmosh agjencitë e sigurisë kombëtare (NSA, CIA e këso), dhe me kusht që t’jesh një lloj “dhelpre dinake sa t’mos te kapin për bishti”. Vetem BE-ja e di sakte ç’pati hequr me ta, të zezën e më të zezës, dhe akoma janë duke hequr…

Nëse thuhet se fotot janë më tepër karbon-intensive sesa audiot, nëse videot janë “shumë foto si slajd së bashku”, dhe nëse dihet se Fb i proceson me miliarda imazhe e video (imagjinoji 1 miliard miq, sa e sa mikesha mund t’i kenë, ndoshta secila prej mikeshave i bën nga 10-ra “selfie” çdo ditë), atëherë si na qenka Fb i “pastër”!
Padyshim për raportin e tyre do i kenë “studiuar” vetëm ato mesazhet me germa të çatit, pandehin na qenkan “tweets” – por selfiet e videot nuk janë “tweets”, zor se u shitet : )

S’e “mohon” as Youtube, një video s’është “tweet”, është mos pyet në fakt. Me mbi 1 miliard orë video-shikime çdo ditë, YouTube është njëri nga ata ndotësit e mëdhenj të planetit. BBC po ashtu thoshte se një studim (para disa viteve) pati vlerësuar që 5 orë video-konference do “shkaktonin” 4 kg deri 215 kg CO2e.

Youtube si “monster-kullufitës” i elektrikave

Bazuar në një artikull (v. 2019) nga “Fact Source”, konsumi global i energjisë elektrike është 21.372 TWh. Internetit i takon 10% e energjisë elektrike globalisht. Mbi 1% e kësaj elektro-energjie përdoret vetëm nga Youtube, rreth 243.6 TWh. Në ShBA konsumi mesatar gjatë vitit i një familje qenka 10.766 kWh. Përdorimi vjetor i Youtube mund ta furnizojë një familje amerikane me elektrikat për rreth 2 miliardë vjet. Ose 127 milionë familje amerikane (gjithë Amerikën), për rreth 8 vjet.

Ndërsa qendrat e të dhënave (data centres) i shpenzuakan rreth 2% (rreth 200 TWh) të energjisë elektrike globale.
Gjatë vitit në Youtube gjenerohen rreth 1.8 trilion video-shikime – thoshte faqja e “Fact Source”. I bie se një përdorues mesatar i sheh 407 orë video në vit. Ky numër 1.8 trilion orë “përkthehet” në 135 kWh për 1000 shikime. Sa i përket trafikut internetik Youtube si shërbim është i 3-ti në botë (pas Netflix, dhe pas videove të “ngjitura” – embeded). Rreth 11.4% e trafikut global internetik kullufitet nga Youtube.

Shikimi i videove në Internet i shkakton 300 Mt CO2 në vit, e që është afërsisht 1% e ndotjes globale. Artikulli i BBC thoshte se pornografia përbën 1/3 e trafikut të videove, duke gjeneruar CO2 sa e gjithë Belgjika brenda vitit. Shërbimi “video sipas kërkesës” (on demand) nga Amazon Prime dhe Netflix përbëjnë 1/3 tjetër, ndërsa 1/3 e fundit përfshin shikimin e videove të Youtube dhe të videove në mediat sociale. BBC thoshte, Netflix paska raportuar se shpenzimi total i energjisë nga ta ka arritur tashmë në 451.000 MWh në vit.

Tutje “Fact Source” thoshte se video-kanalet e vetëm 4 këngëtarëve, Justin Bieber, Katy Perry, Ed Sheeran, Taylor Swift, në v. 2019 i kishin 68 miliardë shikime, konsumi i energjisë elektrike nga kanalet e tyre ishte 9180 GWh – me këtë energji mund të furnizoheshin 850.000 shtëpi amerikane për një vit të tërë. Ose vetëm 3 këngë (si video), “Despacito”, “Gangnam Style”, “Sugar” (nga Maroon 5) i kishin 12.9 miliardë shikime, 741 GWh energji elektrike e shpenzuar – mund të furnizoheshin 161.250 shtëpi amerikane për një vit.

Ndërsa BBC (rreth faktit pakashumë të njësojshëm) shkruante se Rabih Bashroush (Universiteti i Londrës) kishte llogaritur se 5 miliardë shikime vetëm të 1 video-muzike (kënga Despacito) paska shpenzuar aq energji elektrike sa ç’shpenzojnë Somalia, Çadi, Guinea-Bisao, Sierra Leone dhe R. e Afrikës Qendrore (5 shtete së bashku) gjatë vitit. Ndotja mjedisore me “vërtitjen” 5 miliardë herë të asaj kënge mund t’ketë qenë mbi 250.000 t CO2e – paska thënë ai.

Ndotja mjedisore nga YouTube

Në v. 2019, në kuadër të “The Shift Project” francezët e publikuan një raport lidhur me rolin e videove internetike në ndotjen e mjedisit. Mirëpo patën gabuar diç, shifrat s’patën qenë aq korrekte (më vonë e patën korrigjuar raportin). Bazuar në llogaritjet e tyre, 30 minuta video-transmetim gjeneron rreth 1.6 kg CO2e, ndotje ekuivalente me ngasjen e makines rreth 6.4 km. Më vonë u kuptua se diç ishin “ngatërruar” me shifrat, sidoqoftë, raporti i tyre pati bërë bujë mediatike.

Në v. 2020, George Kamiya (IEA – Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë) pati shkruar se me transmetimin e një shfaqje 30-minutëshe në Netflix në v. 2019 është gjeneruar rreth 18 gr CO2e. Sipas tij, rreth 90 herë më pak se shifra origjinale prej 1.6 kg nga raporti i francezëve, dhe 11 herë më pak se shifra e tyre “e korrigjuar” prej 0.2 kg CO2e. “me transmetimin e videove, ndikimi i tyre klimatik ngelet relativisht modest” – pati thënë ai.

“Efikasiteti energjetik i teknologjive digjitale është përmirësuar mjaft shpejtë. Por a mundet efikasiteti ta ndjek ritmin e rritjes eksponenciale të kërkesës? Abonimet në Netflix u rritën 20%, vitin e kaluar u bënë 167 milionë abonues, ndërsa konsumi i energjisë elektrike u rrit për 84%. Rritja e video-trafikut në rrjetet celulare është 55% në vit”.

Sipas tij nuk duhet ekzagjeruar, “video-transmetimi është aktivitet me CO2-emetim mjaft modest, veçanërisht nëse ta krahasonim me shkuarjen në kinema me makinë”. G. Kamiya thotë se ne si konsumatorë mund të ndihmojmë në reduktimin e ndotjes mjedisore. Duke lexuar raportin e tij zbulova se kishte aty një vegël, lexuesi mund ta llogariste fajin e TV-së së vet, për CO2. Thuhej aty, nëse unë përdor TV 50″ LED, UHD/4K, WiFi të lartë, për 3 orë transmetim në Holandë, TV-ja ime i shkaktuaka 192.32 gr CO2e (faji u takuaka 3 ndotësve – data centre, ku ruhen filmat a videot, paska faj për 17.46 gr CO2e, transmetimi i të dhënave qenka fajtor për 23.66 gr CO2e, ndërkaq TV-aparati fajtor për 151.20 gr CO2e).

Referencat:
– Sarah Griffiths – “Smart Guide to Climate Change – Why your internet habits are not as clean as you think”, BBC, 2020
– George Kamiya (IEA) – The carbon footprint of streaming video: fact-checking the headlines, 2020
– Ethereum’s energy expenditure (Ethereum’s official page), 2023
– Fact Source – How much electricity does Youtube use?, 2019