Emile Munier – Shpëtimi, 1894

Emile Munier (1840-1895) – Shpëtimi, 1894

…hm, ja pse as dashuria moderne si “dashuri” s’i ka punët aq mirë, sikur gjithçka duke u përkeqësuar, në degradim e sipër, krijohet përshtypja se vetëm ankime, dështime, tradhti, ankesa, ndarje e ngatërresa, thuase të gjithë ankohen, sa e sa vajet, sa e sa vajzat qaralaçe zemërthyera, këngëtarët (madje dhe ata të estradës) thuase s’dinë ndryshe por vetëm thirravaje, këngë të dhimbshme mozomokeq, thuase të gjithë shtiren t’jenë Orfeu, panumër këngë elegjiake, aneskaj zhanreve muzikologjike dhimbje orfeiane (ndoshta dhe vetë rock-erët qajnë, me ato zhurmat e me shllagerizmat e tyre), thuase as dashuria s’na qenka më siç na ishte dikur në lashtësi…

…sidoqoftë, duke parë këtë pikturën, ndoshta sepse vetë Kupidonat në halle, sepse vetë ata të hutuar, të zënë pas telasheve, piktura e Munier, ashtu me detajet marramendëse të Klasicizmit Akademik, i paraqet 2 Kupidona, ose 2 Amora, ose 2 Erosa… duke provuar t’i shpëtojnë shqigjetat, pasi njërit prej tyre jo vetëm shigjetat por i gjithë këllëfi i paska rënë në ujë – epo e qartë, s’ka si vete puna mbarë as me dashurinë, për fat të mirë megjithatë situata qenka nën kontroll, piktura e ngjeshur me pozitivizmin, e ngopur me optimizmin artistik, puna e kapjes së shigjetave qenka në mbarëvajtje e sipër : )
(s. guraziu – ap, mars 2021)