Xixa Pikselative të një Mozaiku Dritash

S. Guraziu – Ars Poetica, Shk 2017

(…jemi diç si pjesëza imcake të letrariadës (universale), shpirtrat dhe gjuha poetike janë mbase si xixëllonjat e një qielli të paskajshëm…)

[ ngjitur: Vasily Kandinsky (1866-1944) – “Skicë për pikturën XVI – Kullat Madhështore të Kievit”, 1924 ]

Si “anëtare” e familjes së madhe të Artit, letërsia përherë ngelet fascinuese, qoftë në rrafshin personal qoftë në atë akademik. Ashtu-kështu në vetvete letërsia ngelet domen i pashterrshëm. Edhe Arti thjesht është i paarritshëm (kjo rrëshqitazi mbase mund të tingëllojë si klishe, por nuk është). Arti si koncept është “universal”, sikur prore na josh për të njohur sa më shumë nga brumi artistik.

Edhe arti i fjalës, apo letërsia si përgjithësim, hyn në “kuadratin” artistik të paarritshëm. Shtytja dhe tundimi përherë janë prezente, s’na shqiten. Sakaq sikur bindemi që është e vërtetë, jemi diç si pjesëza imcake të letrariadës (universale), shpirtrat dhe gjuha poetike janë mbase si xixëllonjat e një qielli të paskajshëm. Letërsibërja (në rrafshin personal), prurjet, kumti i poezive, është thjesht diç si komunikim mes xixëllonjash. Duke u endur e duke hulumtuar sikur këndellemi, e paarritshmja e artit nuk është as klishe as nonsens. Klithmat tona autoriale janë mbase si ato xixat pikselative… të një mozaiku dritash, apo ku ta di une (psh. ndoshta si të poçeve rrotulluese të disco-s : )

Gjatë viteve, sporadikisht (mirëpo me një lloj të sporadikes konsistente : ) i kam sjellur në shqipen tonë të ëmbël me dhjetra e dhjetra poezi të poetëve të botës. Padyshim mbledhur së bashku do bënin 2-3 libra të tërë. Ishte thjesht si diç spontane, pa sforcime të akëcilit lloj, dhe gjatë “vazhdës” isha paksa më interesuar për rutat poetike të poezisë moderne dhe të impulseve post-moderne (le të thuhet për arsye personale të interesit, si “studim” më shumë). Duke gjurmuar e shkapuritur gjithçka të spektrit modern poetik, që nga prurjet më komplekse e deri tek format më të thjeshta të shprehjes poetike.

Një pjesë e madhe e këtyre prurjeve (në kuadër të përkthimeve) u takon veçanërisht poetëve të sferës amerikane. Psh. duke e përcjellur materien via revistes prestigjioze “Poetry” të Poetry Foundation, via publikimeve të Academy of American Poets, via kolumneve të Ted Kooser “American Life in Poetry”, via publikimeve të paskajshme internetike dhe të faqeve të panumërta, via librave të ndryshëm autorial (publikuar nga shtëpi publikuese gjithandej Evropës e Amerikes), via magazineve apo dhe të shtojcave-suplementeve letrare, si psh. Time Literary Supplement etj.

Sikur gjithçka i takonte asaj “lakores së nxënies, mësimit” (learning curve), po aq sa i takonte dhe frymës së kureshtisë personale dhe “ushqimit” shpirteror. Jo për t’u mahnitur ashtu kot me marramendjen e prerive letrare tejoqeanike, as për t’i pasuruar hejbet konceptuale poetike-artistike, as për t’i veçuar strikt konceptet e shijeve personale në krahasim me ato të letërsisë (ende) të “panjohur” etj. Por ndoshta thjesht sepse Arti është i paarritshëm…

G. Day në “Kritika Letrare – Historia e Re”, thoshte:
Një përkufizim i termit ‘kritikë’ është aq i pamundur sa dhe vetë historia e kritikës… Ndonjëherë e vështirë është të veçohen konceptet e kritikës nga ato të letërsisë, kështu që historia e njërës si e plotë shumë lehtë bëhet histori e tjetrës. Mirëpo kjo mund të mos jetë patjeter diç e keqe, sepse na e përkujton se nuk ka vijë kufizuese të prerë ndërmjet letërsisë dhe kritikës“!

Teoricienët dhe historianët e letërsisë lidhur me Modernizmin poetik të botës anglishtfolëse pakashumë sikur “propozojnë” që ndoshta Ezra Pound dhe T. S. Eliot ishin poetët me influencën më të madhe moderniste. Në rregull, pse jo. Sa i përket modernizmit poetik, sikur gjykimet e tilla apelojnë për një “konsensus” (që t’i lidhet disi gryka “thesit” historiko-letraristik). Nganjëherë kritikët dhe historianët e letërsisë sikur e “ngushëllojnë” veten që, sa u përket gjykimeve s’mund t’jemi bash 100% të përkryer, por ja që duhet t’i kemi ca definicione, përndryshe s’ia dalim të rrumbullakësojmë asgjë.

E lehtë me Modernizmin, e lehtë t’i veçojmë disa poetë më të spikatur. Realisht, për arsye të diversitetit të madh, për arsye të shumë grupnajave kulturore, dhe për arsye të “evoluimit” të këtyre grupnajave, të flitet për historinë e poezisë amerikane nuk është asfare e lehtë. S’thashë që është e pamundur, pasi që studiusit, universitetet e botës e instancat akademike dhe e kanë futur disi në “kornizat” adekuate, por të flitet shkurt në kuadër të një vështrimi, duke pandehur për gjykime koncize, ngelet e vështirë.

Idioma “amerikane” (e poezisë) sikur u “fuqizua” kah fundi i shek. XIX dhe poetët amerikanë filluan të jenë pjesë e rëndësishme në radhët frontale të avangardës poetike (anglishtfolëse). Më vonë, rreth viteve ’50 e ’60 të shek. XX, për poetët e rinj britanikë, bashkëkohësit e tyre amerikanë ishin pothuaj si “modele” për poetiken e avancuar.

Anise kah fundi i shekullit që lamë pas (dmth. shek. XX) për poezinë amerikane historianët e kritikët janë aq të larmishëm me gjykimet, po aq sa dhe vetë laryshia e demografisë shpirtërore-poetike të Amerikes. Roli i madh i diversitetit kulturor nuk mund të anashkalohej, një theks i veçantë u takonte tashmë femrave-poeteshave amerikane të të gjitha grupeve kulturore, dhe në përgjithësi emancipimit-rilindjes të femrës amerikane. Tutje tashmë s’mund të anashkalohej zhvillimi i grupnajes kulturore afro-amerikane, pastaj i asaj “çikano” ose i sferës hispanike-indigjenike, si dhe natyrisht i grupnajave të tjera kulturore.

Dmth. gjithnjë fjala është për sferën poetike të botës angleze, sferë jashtëzakonisht voluminoze dhe aq e shumëllojshme. Afërmendsh, meqe ra fjala, nuk ngelen me agjë mbrapa ta zëmë as sfera e letërsisë frëngjishtfolëse, as ajo gjermanishtfolëse, as ajo e sferës hispanike… e të dy kontinenteve etj. etj.

Të gjitha letërsitë e mëdha janë të pasura dhe komplekse në natyrën e vet. Të pasura dhe komplekse janë dhe letërsitë më të “vogla”, për mua mjaft komplekse është dhe vetë letërsia shqipe. Mirëpo secila i ka specifikat dhe kompleksitetin e vet. Po ashtu s’duhet harruar as faktorin e pashmangshëm ndërkomunikues të letërsive mes vete. Secila nga letërsitë, qofshin të mëdha a më të vogla, sikur jep e merr me njëra-tjetrën. Ajo ç’kisha në mendje me “vështirësinë” është fakti se, bie fjala letërsia franceze, apo ajo gjermane… megjithatë sikur janë më “kompakte”, sikur janë më homogjene sesa ajo e sferës anglishtfolëse.

Të flasësh për poezinë amerikane sikur duhet folur për shumë “kategori mëvete”, kategori të mëvetësishme, sikur duhet folur për gërsheta të praruara “çupash” 35-vjeçare : ) Gërsheta… si ato lektyrat për t’i lidhur dengjet anembanë grunajave të diellosura të Dukagjinit.

Fillimisht duhet të flasësh për “poezinë koloniale”, dmth. për poezinë angleze të kolonistëve, pastaj duhet të flasësh për poezinë post-kolonialiste, pastaj si koncept për zanafillën e poezisë së vërtetë indigjene-angleze (psh. për të tillë poetë si Whitman, Dickinson etj.), pastaj për dhjetra e qindra poetë të modernizmit (të tillë si Ezra Pound, T. S. Eliot etj) dhe per poetë të pas-modernizmit, pastaj për poezinë e gjatë Luftës II Botërore dhe të më pastajme, pastaj nëse të flitej dhe vetëm për poezinë amerikane SOT, për panumër poetë të mrekullueshëm bashkëkohor amerikanë… mua personalisht thjesht sikur ma përkujton marramendjen.

Në fakt, gjithçka që thashë deri këtu, sikur doja të vinte e të vërtitej rreth poezisë amerikane SOT, rreth poezisë së sotme si “kategori mëvete”, si kategori e pavarur “amerikane”, e mëvetësishme, si marramendje : )