Bustet e gurëta të lashtësisë, dhe arti digjital i së tashmes

(s. guraziu – ars poetica, dhjetor 23 – koment)

Dihet se për panumër figura të lashtësisë s’e kemi idenë si dukeshin realisht, në rastin më të mirë e gjitha çfarë kemi do jetë ndonjë bust. Madje dhe busti shpesh i thyer, o i mungon hunda, gjysma e kokës etj. Anise historia e vizatimeve shkon mbrapa në kohë deri në para-histori (vizatimet më të vjetra të njohura thuhet se janë përafërsisht 40.000 vjeçare, dmth. ato vizatimet e stërlashta të shpellave), se romakët dinin të vizatonin… patjetër se dinin, 38.000 vjet para tyre dinin, pse t’mos dinin dhe ata. Romakët mund t’kenë qenë vizatues më të zotët se Da Vinçi, mirëpo për fat të keq portretet e njerëzve si vizatime (qofshin dhe vizatime-gdhendurina) s’kanë mbijetuar, jo psh. siç kanë mbijetuar bustet e gurëta.

Po ashtu, meqë ra fjala, mund t’flitet për rreth 1 mijëvjeçar të “pikturës” si histori, s’mund të flasim për 2000 vite, as për 3000 të historisë së pikturave. Dmth. s’jemi duke u ankuar por thjesht duke e cekur faktin që në kohën e romakëve ende s’dinin për portrete në stilin “Mona Liza”. Ende s’dinin për “portretet pikturale”, ata dinin për vizatime dhe për gdhendurinat, qofshin të gurëve, të fildishit, të drunjëve etj. Dmth. dinin për skupturat, për bustet e mermerta e këso, në kohën e tyre ishin më të popullarizuarat. Padyshim do kenë qenë dhe të shtrenjëta, gurët si medium sikur i bënin “ballë” dhe vetë përjetësisë.

Tani pata përshtypjen arti digjital sadopak na e “zgjidhë” problemin e mungesës së portreteve të lashtësisë. psh. nëse gjoja për artikullin tonë t’na duheshin ilustrimet e disa emrave të njohur të lashtësisë romake. Le t’themi në shkrimin tonë hipotetik fjalën e kishim për ca zonja të famshme të perandorisë romake (jo patjetër të “famshme” në kuptimin strikt të termit, por të “popullarizuara”)… Valeria Mesalina, Kornelia, Klaudia Kuinta, Julia Avita Mamea, Lukretia, Agripina, Klaudia Metrodora. etj etj. thjesht s’do kishim si t’i ilustrojmë, qëkur ndoshta s’ka as foto të busteve, apo s’dimë t’i gjejmë, s’ka as vizatime, as gravura as gjë : )

Natyrisht, nuk bëhet fjalë se portretet imagjinare do na jenë portrete të vërteta, se do përputheshin me pamjen e tyre realiste të së dikurshmes. Saktësia s’do jetë ashtu siç thotë imagjinata e së tashmes. Mirëpo as busti (nëse ekzistent) s’na “zbulon” diç më shumë rreth pamjes reale të dikujt. Ne prapë duhet të bazohemi në tiparet imagjinare (brenda kafkës sonë).

Pothuaj për të gjithë perandorët e Romës kanë mbijetuar bustet (aty-këtu mbase do ketë dhe përjashtime, ndonjërit dhe do i kenë humbur). E prapë vetëm me bustet s’e kemi idenë si dukeshin ata realisht. E gjitha çfarë bustet e mermerta zbulojnë (relativisht me “saktësi”) do jenë detajet si vijon, psh. nëse perandori eventualisht na ishte pa flokë, nëse mollëza adamike na ishte mjaft e dalluar, apo nëse ta ketë patur hundën si krrabë… këso detajesh : )

[ ngjitur: disa portrete imagjinare, si “shembull” rreth idesë në fjalë – art digjital ]

 

[ më poshtë diç si mini-galeri, imazhe të grave romake, art digjital ]

Sipas “inteligjencës artificiale” edhe gratë e lashtësisë ishin të bukura, elegante dhe “super cool” (për kohën e tyre). Sidomos femrat fisnike, gratë e pasura dhe që kishin rang të lartë shoqëror, patjetër se ishin “akullsisht… cool”. Sa i përket bukurisë kuptohet asgjë s’ka ndryshuar, mirëpo dhe atëherë kishin “stil”, edhe atëherë u referoheshin koncepteve të ndryshme stilistike. Kujdeseshin për pamjen, në çdo kohë figura e tyre sikur e rrezatonte elegancën dhe fisnikërinë.

Bazuar në imazhet e “inteligjencës artificiale” femrat fisnike të Romës së lashtë padyshim do kenë qenë elegante si vetë Elisabeta e Bavarisë. Në histori Elisabeta pothuaj “konsiderohet” perandoreshë e rinisë dhe e bukurisë së përjetshme. Për disa dekada qe konsideruar mbretëresha më e bukur e Evropës, sepse Elisabeta vërtet ishte e bukur. Mirëpo s’ishte vetëm bukuria, ajo dhe kujdesej jashtëzakonisht shumë për “ekstravagancën”, për ruajtjen e freskisë dhe të shkëlqimit.

Elisabetës thjesht i pëlqenin jashtë mase veshjet e rregullimet, teleisjet e zbukurimet. I pëlqente të dukej “cool”, e kishte obsesion ruajtjen e figurës rinore dhe të bukurisë. Njëherë patëm spekuluar (ishte diç si spekulim i guximshëm i yni) se padyshim tualetet e gjata dhe monotone të mëngjesit nuk i pëlqenin Elisabetës. Përkundër shërbëtoreve të panumërta që i kishte, e ngrata padyshim do jetë mërzitur – patëm shkruar. Guximi i spekulimit tonë bazohej në faktin se tualetet e saj mund t’kenë zgjatur tërë paraditen, e ndonjëherë inkluzivisht gjithë mesditën : )

Kur është fjala për 2000-3000 vite mbrapa në lashtësi, ka plot detaje që u shmangen dhe vetë historianëve, thjesht kanë ngelur pa mbulesë, të paqarta, kronistët e lashtësisë s’i kanë përmendur. Bie fjala, dihet se brushat efektive për pastrimin e dhëmbëve vonë qenë shpikur, s’kishin atëbotë as brusha elektrike, as fluorinë dhe dmth. s’i kishin as pastat e së sotmes. Pandehma se bardhësia e dhëmbëve të bukurosheve romake ishte e “njëjta” bardhësi sikur dhe sot, do ishte diç si fiksionalitet i kulluar. Askush s’e ka idenë, ndoshta jo bardhësia… po pikërisht “verdhësia” e dhëmbëve ishte në modë : )

Sidoqoftë, gjërat që nuk i dimë s’kemi si t’i dimë, s’i dinin as vetë historianët e perandorisë, andaj dhe vetë kronikat e historisë në këtë drejtim kanë ngelur të cekëta. Mirëpo askush s’mund ta kontestojë elegancën e bukurosheve romake. I rregullonin flokët bukur, kishin lloj-lloj lulesh e trëndafilash, lulishtet plot, i ekstraktonin lloj-lloj parfumesh, përdornin stoli të shtrenjta, rroba të shtrenjta, visheshin sipas trendeve të modës së atëhershme.

Psh. me “stolat” e bardha (siç i shohim në imazhet ngjitur), herë të kuqe, herë të gjelbërta e herë ndryshe, ndonjëherë po ashtu mbështjellur me “palla-pelerinat”. Stola ishte veshje tradicionale e grave romake, ishte pakashumë veshje ekuivalente me një “toga” që vishej nga burrat. Për fat të keq s’ka mbijetuar asnjë ekzemplar fizik i ndonjë “stole” (tekefundit asnjë muzeum i botës s’ka pohuar ta kenë gjetur një ekzemplar origjinal).

Stola ishte diç si pëlhurë e gjatë dhe pa mëngë (meqë e gjatë quhej dhe “vestis longa”), në kohën augustiane veshja e një stole ishte simbol që e përfaqësonte statusin martesor të një gruaje (matronae). Mirëpo vishej dhe nga priftëreshat vestaliane, nga shërbëtoret e virgjëra të perëndeshës Vesta. Derisa stola matronale nuk kishte ngjyrë strikt të caktuar (mund t’ishte me ngjyra të ndryshme, skaji ose kufiri i pëlhurës “instita” mbase ishte ngjyrë vjollcë, ngjashëm me kufirin e purpurt që e kishte toga e shtrenjtë e burrave të elitës sociale), me sa duket stola që vishej nga virgjëreshat vestaliane duhej t’ishte strikt e bardhë.

Dëshmia e parë romake për stolat (vestis longa) na vjen që nga shek. III pes, mirëpo meqë forma e veshjes ishte e zakonshme për gjithë sferën mesdhetare (dmth. versioni romak s’ishte ndonjë version unik, por diç si alternacion i plot veshjeve të ngjashme) shkollarët thonë që si formë e veshjes duhet t’jetë shumë më e vjetër. Në kohën republikane (të Romës) ishte thjesht pjesë e praktikës romake të veshjes së femrave, ndërsa në kohën augustiane qe shndërruar në diç si simbol kulturor, qe bërë pjesë e veshjes së grave të martuara (matronae). Thuhet se nga fillim-shek. II i erës sonë, stola do dilte tërësisht nga përdorimi, dmth. përdorimi i kësaj veshje pati zgjatur për nja 4-5 shekuj.

Ndërsa “palla” përdorej si pelerinë, si mantel elegant, si batanije që mbështillej rreth trupit, lidhur ose siguruar me karfica, vishej jashtë shtëpisë nga gratë e pasura romake (ishte diç si version luksoz i pallium-it). Derisa forma e një toge tradicionale ishte gjysmërrethore, “palla” kishte formë drejtkëndore. Ngjashëm si “stola” edhe për palla-mantelin thuhet se daton që nga shek. III pes., dhe njësoj edhe ky lloj i veshjes duhet t’jetë më i vjetër.

(s. guraziu – ars poetica, dhjetor 23)