Ç’do na “flet” Putini nesër, në fjalimin vjetor, më 29 Shkurt 2024?

(s. guraziu – ars poetica, 28 shk. 2024 – thuktim i një analize të Robert Coalson, korrespondent i RFE/RL që e mbulon Rusinë, Ballkanin dhe Evropën Lindore)

Me fjalimin e tij vjetor Presidenti Putin nesër i drejtohet kombit, më 29 Shkurt, më pak se 3 javë para zgjedhjeve (zgjedhje që do i japin, ose pritet t’ia japin një mandat të ri 6-vjeçar në Kremlin). Ai përdor fjalimin kombëtar që t’i përcjell sinjalet politike për përkrahësit e vet, brenda dhe jashtë vendit.

Dihet se, që nga nisja e luftës në Ukrainë, Putini e ka eliminuar hapësirën për opozitë normale politike në Rusi. Kremlini dhe figurat e shquara që dominojnë me mesazhet politike (ndër mediat e kontrolluara nga shteti) e kanë paraqitur peizazhin politik dhe Rusinë si një vend që përbëhet o nga mbështetësit e Putinit, o nga armiqtë (e brendshëm). Sa për armiqtë e jashtëm… edhe ata janë shumë, por kuptohet se këta ndodhen jashtë Rusisë.
Putini, si President a Kryeministër, ishte në pushtet që nga v. 1999. Përveç 1 mandati kryeministror në vitet 2008-12, Putini tashmë 71 vjeç, ka qenë President që nga v. 2000.

Pak vite më parë, në v. 2020, u “ballafaqua” me sfidën e një sërë ndryshimesh kushtetuese, duke përfshirë ndryshimin që i mundëson atij të vazhdojë dhe me 2 mandate 6-vjeçare, kështu të qëndrojë në Kremlin si një diktator triumfal, si një “Car… Cesar” deri në v. 2036.
Teksa përgatitjet për zgjedhjet e “jokonkurrueshme” më 15-17 Mars janë në vlugun e vet (tjetër se konkurrenca e dobët, s’është se ia cenon kush votën), sipas analistit Robert Coalson, në fjalimin e nesërm Putini ka të ngjarë do merret me justifikime rreth çështjeve të ndryshme, që nga ekonomia e deri tek lufta e Ukrainës, e cila tashmë në vitin e 3-të.

– Putini padyshim do flet për luftën që nuk është “luftë, që s’duhet të quhet luftë…
Në fjalimin e v. 2023, Putini i përsëriste justifikimet për “operacionin special” ndaj Ukrainës që ai e pati nisur 1 vit më parë. Rishtas këtë vit, Putini mund t’i përsërisë pretendimet e tij të rreme se Kievi drejtohet nga fashistët, apo se Ukraina nuk na qenkësh një vend i vërtetë dhe se duhet vazhduar me “çmilitarizimin” e saj…

– Putini padyshim do flet për “armiqtë e Rusisë”, për armiqtë e huaj dhe ata të brendshmit…
Në përshkrimin e vet rreth konfrontimit mes Rusisë vs. Perëndimit, Putini ka të ngjarë të luajë me “kartën e frikës” dhe të theksojë se çdo aluzion përçarjeje mund t’jetë katastrofal për një vend si Rusia, që është i rrethuar nga armiq keqdashës. Putini mund ta provojë me presionin retorik mbi Perëndimin duke shprehur mbështetjen për separatistët pro-rusë në rajonin Transdniester të Moldavisë.

Vëmendja e botës është e “hidhësuar” nga vdekja e dyshimtë e Navalny në burg, nga ngurrimi i autoriteteve për t’ia dorëzuar trupin e tij familjarëve, dhe nga përpjekjet e opozitës që politikanit karizmatik t’ia organizojnë një lamtumirë publike. Kështu që Putini mund ta përdorë fjalimin për ta çuar më tej këtë “narrativë” konsoliduar të peizazhit politik (o jeni me neve, o me armiqtë e brendshëm, me ata që jetojnë këtu por që e urrejnë Rusinë).

– Putini padyshim do flet për “vlerat tradicionale”…
Putini ka të ngjarë t’ia kushtojë një pjesë të fjalimit paraqitjes së tij si mbrojtës-kampion i çështjeve që ai i përshkruan si “vlera tradicionale”. Një temë kjo e përzier me nuancash patriotike që ai e përdorë me mjaft efikasitet për t’i impresionuar mbështetësit e tij në Rusi dhe jashtë saj.

– Putini padyshim do flet për “strategjikat”, për planet afatgjata…
Sipas analistit Robert Coalson, Putini shpesh ka shpalosur iniciativa populiste, shumë prej të cilave janë në “shënjestër” të arrihen në afatet e caktuara gjatë disa viteve pas zgjedhjeve. Këtë praktikë ai mund ta vazhdojë dhe në fjalimin e këtij viti, duke i përdorur premtimet e tilla “disa-vjeçare” bashkë me thirrjet për bashkim patriotik. Për ta nxitur një ndjenjë normaliteti, ai mund ta përcaktojë një axhendë që synon realizimin brenda 6 viteve të ardhshme (të mandatit të tij), e cila axhendë kuptohet se mund të harrohet pjesërisht ose dhe tërësisht pas votimit…

[ fotoja ngjitur: Genya Savilov – RFE/RL, via AFP ]