Erosi, si dimension i substanciales në Art!

Eroticizmi nuk varet vetëm nga morali seksual i individit, por dhe nga koha e kultura e mjedisit ku ai jeton.” – H. de Balzac

…derisa duke lexuar diç nga impresionet në faqet e piktorit Gazmend Freitag (i cili jeton e punon në Linz të Austrisë), një thënie e H. de Balzac, e zgjedhur nga Ursula Pfeiffer, e cila i kishte hedhur në letër disa fjalë rreth pikturave të tij, m’u duk fort e qëlluar si thënie për ta rrumbullakësuar gjithë idenë. Sipas meje fort e qëlluar përzgjedhja e znj. Ursula Pfeiffer, sa për mençurinë e të madhit Balzac s’do koment, dihet.

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2018 (Koment – pak fjalë rreth artit të Gazmend Freitag)

Erosi bën të anashkalohet, arti mund të censurohet, të gjymtohet… por Erosi s’mund të përjashtohet nga arti i mirëfilltë. Sipas babaxhanit të artit modern, të quajtur Picasso “i gjithë arti s’është diç tjetër por erotizëm”. Për Picasso-n pra ishte fort e qartë, aq sa pothuaj pakëz i qenë mjegulluar sytë nga “qartësia” : )
Por jo vetëm piktorët, edhe poetët, shkrimtarët, të gjithë krijuesit, artistët e të gjitha zhanreve… e kanë të “qartë”. Gertrude Stein pati thënë se “letërsia (kreative) që e shpërfill seksualitetin, nuk është ose s’mund të jetë letërsi bindëse. Se mos vetëm ajo, ama mbase mjafton që komenti ynë t’mos na zgjatet si “muri kinez” duke renditur shembuj.

Gjithsesi, se Erosi është njëri nga dimensionet thelbësore të artit, padyshim kjo dihet që nga kur njeriu i pati hedhur hapat e parë në fushat artistike (e them këtë nganjëherë si shaka). Në fakt, ndoshta akoma më herët… Në mitologjinë greke Erosi ishte zot i dashurisë, i ndjeshmërisë, i joshjes dhe i dëshirës seksuale, vetë emri “eros” do të thotë “dëshirë”. Ishte një nga perënditë që përshfaqet e përshkruhet me flatra (siç i kanë dhe engjëjt). Homologu romak i Erosit ishte Kupidoni (edhe ky njëjtë, “dëshira”). Disa versione të miteve thonë se Erosi ishte një nga perënditë zanafillore, fillestare, e që dmth. fjala është për perënditë dhe perëndeshat e para të lindura nga asgjëja e Kaosit. Në ndonjë version tjetër mitologjik thuhet se Erosi ishte i biri i Afërditës, pra i vetë perëndeshës së Dashurisë. Vetë dashuria dhe dëshira pra e kanë zanafillën që nga parakoha e “hyjnorëve” kaotikë.

Charles Baudelaire, poeti i famshëm i “Lulet e së Keqes”, derisa në krijimtarinë poetike na ishte aq i “qartë”, si kritik arti teorikisht sikur pati vajtur paksa më “rrotull” duke thënë “seksualiteti është lirizmi i masave”. Në rregull, “retorika” kritikologjike dhe i kishte hije atij të mërrolurit Baudelaire.
Sipas Rosemary Lloyd (Cambridge Companion to Baudelaire, 2005) poezitë e tij “Parfumi Ekzotik”, “Serpenti vallëzues”, “Ballkoni”, “Flokët” etj. etj. i kushtoheshin muzes “fatale”, të famshmes “Venera e Zezë” (Venus Noire), Jeanne Duval. Për 20 vjet Duval ishte muza dhe dashnorja e tij. Baudelaire e pati quajtur “dashnore mbi dashnoret”. Besohet se Duval për Baudelaire simbolizonte bukurinë e skajshme, bukurinë “fatale”, seksualitetin e rrezikshëm. Të dy ishin duke vuajtur rëndë nga sifilizi, Baudelaire vdiq nga sifilizi, ashtu sikur dhe ajo.

[ në Wikiart / Org ka mbi 160 piktura, skica e portrete të G. Freitag, mbi 25 sosh janë “nu”, nudistike ]
Gazmend Freitag – Wikiart