Ironia dhe Lajthitja – Fisnikëria e Don Kishotit, e Musolinit, e Çausheskut…!

S. Guraziu – Ars Poetica, Shkurt 2018

Dje pata bërë pak shaka duke “propozuar” që qeveritë e zyrat presidenciale të disa shteteve, për urimet zyrtare (e këso çështjesh në emër të popullit) ndoshta duhet ta ujdisin një “kuti postare” pa emra zyrtarësh (të cilët ndërrohen, ose dhe ngelin të njëjtit), aludoja që letrat thjesht duhet të vijnë në emër të popullit, jemi në shek. XXI tashmë, pse t’mos ndryshojnë veset e vjetra “aristokratike” të adresimit – pata pyetur.

Mbretëresha Elizabeth ia uronte Kosoves 10-vjetorin e Pavaresisë, me hijeshinë e bukurinë zyrtare, me letër formale… por ama e ngrata “detyrohet” t’u drejtohet lloj-lloj hashimave e cimilimave, lloj-lloj ramushave e çaushave të politikës kosovare… me “excellency”! Pa, pa, pa, Elizabeth e di fort mirë që për katundet e Drenicës s’pi ujë zhargoni “aristokratik” as termat-ëmbëlsirat mbretërore! Anyway… lidhur me çaushat e cimilimat qofsha gjithmonë i lajthitur vetëm unë, assesi jo Mbretëresha.

Më 2016, një “fisnik kalorsiak” britanik (dmth. i nderuar nga mbretëresha Elizabeth) u ndesh me akuza serioze për sjellje “jofisnike”.
Sot po i them dy-tri fjalë për faktin që, megjithatë, as Mbretëresha s’ka si ta ketë të garantuar fisnikërinë e dikujt, dtth. as populli i Kosovës nuk e ka të garantuar “fisnikërinë” e politikanëve të vet.
Në fakt ndeshemi me një lloj paradoksi në vetvete – edhe politikan + “fisnik”, hm… e padëgjuar, kjo bie ndesh dhe me vetë “logjikën” e Politikës! Edhe vetë Çurçilli dikur e dinte që këto të dyja thjesht nuk “shkojnë” së bashku : )
Ndërsa dihet, lirisht mund të thuhet që Çurçilli ishte politikani më “fisnik” dhe më besnik që Mbretëria… ka patur ndonjëherë.

***
Ta marrësh titullin “Knight” (Fisnik, Kalorës) është një nga nderimet më të larta që një individ mund të arrijë në Mbretërinë e Bashkuar.
Në fushën e letraristikes, Servantesi qe bërë dhe do ngelet përjetshëm i famshëm pikërisht me të “kundërtën”, me Don Kishotin e vet. Jo pra duke e “lartësuar” por duke e “përqeshur fisnikërinë kalorsiake”.

E dimë që as dikur s’ishte e lehtë, afërmendsh, as sot nuk është asfare e lehtë të bëhesh “Knight”. Po ashtu, jo gjithkush e ka privilegjin për ta ndarë këtë nderim, bie fjala një shtet që asgjë s’ka të bëjë me “mbretërllëkun”, me “perandorllëkun” s’ka si ta nderojë dikend me një titull të tillë.

Sot, në kohën tonë moderne dhe të politikave “kontemporane” s’na duhet patjetër ndonjë shpatë e mprehtë musketirësh, s’na duhen madje as mustaqet, thjesht kërkohet t’i respektojmë “etikat e kalorsisë”. Nuk duhet të jemi patjetër “fisnikë”, nuk na duhet ndonjë Rosinant qoftë dhe ashtu kockë e lëkurë, nuk na duhet ndonjë betim princëror, as ndonjë kod kalorsiak, as ndonjë xhurdi e thurur metalike, as ndonjë mburojë, as vizir as pancir.

Sidoqoftë, nëse rishtas mbështetemi në anën ironike, pra tekefundit dhe vetë Don Kishoti ishte një “fisnik kalorsiak” (sipas Servantesit, fjala ishte për një duo-dinamike, ishte Kishoti së bashku me suiten e devotshme sançopançiane – fare lehtë mund t’i paralelizojmë: qeveritarët dhe servilantët e tyre). Sipas Servantesit edhe ai e kishte një zemër fisnike, edhe ai kishte ëndrra, edhe ai e kishte muzën e vet, ishin panumër momentesh që forca i vinte pikërisht kur e kujtonte Dylçinenë, princeshën e bukur të ëndrrave të tij.

Sa i përket anës “letraristike” e njohim ironizimin servantesian, e njohim shpatën e tij me dy tehash të mprehtë, e njohim thelbin, çështjen kyç të penës së tij. E dimë që Servantesi (me fshesen e vet prej pene) synonte t’i fshinte romanet “kalorsiake” të kohës… së bashku me pluhurin t’i vërviste diku larg, në ferrishtat e harresës. Pasi gjithë ato rrëfime të stisura dhe romane qenë bërë aq bajate, tepër bajate, aq kot… me shekuj. Flisnin për pollavra, për jorealizma, për gjëra të stisura, për kotësirash, për gënjeshtrash e hiperbolizmash. Dhe sipas Servantesit “mjaft ishte mjaft”, gjithë ata shekuj me pollavrash e lavdithurjesh per “trimëri” servilantësh, për bythëlëpirës pasanikësh, për pjatalëpirës oborresh e mercenarësh, për politikat shtypëse të mbretërve e të tagrambledhësve, për vese e grykësi aristokratike… veç u ishte mbushur kupa, duhej një “mjaft” për shekujt që vijnë.

***
Në v. 2016, një “fisnik kalorsiak” britanik (dmth. i nderuar nga mbretëresha Elizabeth) u ndesh me akuza serioze për dhurimin e luleve një 83-vjeçares, për motive seksuale e financiare, shkurt për sjellje “jofisnike”. Në atë kohë “kalorsiaku” paska punuar si menaxher i qendrës pranë Institutit të Pleqërisë dhe Shëndetit në Birmingham. I ngrati “fisnik”, e pati pranuar që s’kishte mbajtur kufizime profesionale me plaken (paciente e azilit të pleqve), ama i pati mohuar “motivet seksuale dhe aso financiare”. Kot mohimet e tij, akuzat duhet të kenë qenë ushqyer me fakte, përndryshe nuk do t’merrej vendimi që të “zhvishej” nga titulli më i lartë i nderimit britanik.

Ka patur raste të ndryshme të vetë britanikëve që e kanë humbur “fisnikërinë kalorsiake”, por ky nderim nuk u ndahet vetëm britanikëve, u ndahet dhe të huajve.
Madje dhe një spiun mund të bëhen “fisnik” (por ama të kuptohemi, duhet t’jetë goxha spiun, aso i kalibrit të lartë, dmth. s’do pinte ujë t’na nderoheshin me “fisnikëri” bie fjala spiunët e kohës së “enverizmit”, thjesht pra sa për t’u shmangur nga ndonjë keqkuptim eventual).

Është i njohur rasti i Anthony Blunt të cilit i qe pezulluar “kalorësia fisnike” në vitin 1979. Ai me protokolet e Mbretërisë qe bërë “spiun fisnik” (ngjashëm pakashumë si fisnikëria fisksionale “James Bond”, e ujdisur nga pena e autorit Ian Fleming – shih, rishtas kemi të bëjmë me letraristikat) ama qe zënë ngusht për tradhtinë. Ky “kalorsiaku” Blunt e pati furnizuar ish-Bashkimin Sovjetik me qindra dokumente sekrete, derisa shtirej se na ishte gjoja një agjent besnik i MI5. (E që kjo është diç si organizatë “homologe” e CIA-s amerikane, siç e dimë edhe njëra edhe tjetra merren me çështje jashtëzakonisht fisnike : )

Sa për fisnikët e “jashtëm” (dmth. jo dhe aq të sigurtë nëse t’na dalin kalorës të vërtetë apo fals) ka plot.
Bie fjala e njohim mosbesimin e Robert Mugabe në “jofisnikërinë” e njeriut të bardhë, e njohim pezmin e tij ndaj shtypësve e kolonistëve të bardhë. Sipas Mugabe “një njeriu të bardhë mund t’i besosh vetëm kur ai të jetë një i bardhë i vdekur”.

Megjithatë e dimë që Presidenti i Zimbabvesë, Mugabe ishte një “fisnik kalorsiak” (i nderuar nga mbretëresha Elizabeth) për 14 vjet me radhë, nga 1994 deri më 2008. Mugabe qe emëruar si një “Knight” nga Elizabeth gjatë vizitës së tij shtetërore më 1994. Por në vitin 2008, si duket Presidenti Mugabe i pati përbuzur të gjitha nderimet “mbretërore”, i pati nëpërkëmbur të gjithë kufijtë e mundshëm të (jo)fisnikërisë, andaj mbretëresha ia pati anuluar “kalorësillëkun e nderit” dhe çdo lloj “fisnikërie” eventuale.

Historia madje është paskajshëm “ironike” kur është fjala për fitimin dhe humbjen e “fisnikërisë”. Mbretëria e Bashkuar dhe politikat eliteske të saj (më shkurt do ishte vetëm “Queen Elizabeth” por dhe ajo dikur mund të ketë qenë më e re, e kështu rrjedhimisht dhe më “naive”) qe lajthitur duke i “fisnikëruar” madje dhe liderin e fashishtëve italianë Benito Musolinin, si dhe “diktatorin komunist” të Rumanisë, atë arrogantin e pandreqshëm, Nicolae Ceaucescu.

Musolini qe lënë cullak nga fisnikëria më 1940, ndërsa Çaushesku më 1989, vit kur i ngrati diktator dhe pati ikur në botën tjetër. Deri sa kur dhe vdiq (nga dora e vetë popullit të vet), Mbretëria e Bashkuar thjesht s’kishte informata se ai mund të ishte një “diktator eventual… dhe atë madje mos pyet, aso komunist” : )