Sytë si “dritare të shpirtit”, dhe iridologjia si art i “leximit” të syve!

(S. Guraziu – Ars Poetica, Shkurt 2022)

(…padyshim “fallxheshat” moderne do jenë disa herë më të sakta sesa dikur ato të Babilonisë – vijat e pëllëmbës janë diç si “shkencë”, përndryshe s’kanë si e “lexojnë” fatin tonë, apo jo ?

Para disa shekujsh nga dikush qe thënë se “sytë janë dritare të shpirtit” – thënie kjo që nuk dihet saktë kush ta ketë thënë i pari. Më së shpeshti i atribuohet Leonardo Da Vinçit (unë vetë deri vonë e dija ashtu). Pastaj pata lexuar diku se mendohet ta ketë thënë jo Da Vinçi por Shekspiri. Ndokund tjetër nuk përmendet “autor”…

Sidoqoftë, ndoshta sytë dhe janë “dritare të shpirtit” – por vallë ç’na qenka vetë “shpirti”, këtë askush s’na e sqaroi deri sot?! Ç’është “shpirti” saktësisht, s’e dimë, as ne vetë as shkencat. Ama thënia e “syve, si dritare shpirtërore…” tingëllon mjaft e saktë (tekefundit tingëllon poetikisht : )

Ndokush tjetër i sheh sytë si diç akoma më shumë sesa vetëm si “dritare të shpirtit” (e shtojnë dhe ndonjë aspekt tjetër). Psh. iridologët i lidhin sytë jo vetëm me shpirtin, por me aspektin e shëndetit në përgjithësi. Ata thonë se sytë janë “dritare” të gjendjes shëndetësore dhe të mirëqenies së një personi (dmth. bëhet fjalë për mirëqenien fizike, emocionale, mendore, shpirtërore… për gjithçka, si tërësi).

Siç pohojnë ata vetë (meqë kuptohet, shkenca e mirëfilltë disa gjëra i sheh pakëz më “ndryshe”) irida ua mundëson atyre të shohin nëse zonat apo organet brenda trupit janë të shëndetshme. Sipas tyre irida zbulon nëse sistemet e ndryshme funksionojnë optimalisht, nëse janë në nivelin optimal apo nëse janë mbistresuar. Iridologët e analizojnë iridën, mbledhin info, dhe rishtas i analizojnë infot në kuadër të mostrave pararendëse. Gama e informacionit të mbledhur përfshin aspektet fizike, emocionale, mendore, shpirtërore rreth shëndetit të personit.

Gjithçka pati filluar rreth v. 1665 (pakashumë në kohën e Njutnit), atëbotë Philippus Meyeus dhe bashkëmendimtarët e vet do pretendonin se modelet, ngjyrat dhe karakteristika tjera të iridës përmbajnë informacione për shëndetin e pacientit.

Ende dhe sot e kësaj dite, praktikuesit e iridologjisë pretendojnë se irida mund të ekzaminohet për t’përcaktuar gjendjen shëndetësore të dikujt.

Ata e ndajnë iridën në zona që (sipas tyre) korrespondojnë me pjesë të veçanta të trupit. Pra duke lexuar iridën, duke analizuar gjendjen e “ngjyrës” së iridës, të pigmenteve, të strukturës, të kufirit (rreth bebzës), të sklerës e po ashtu dhe se si këto lidhen me sistemet e trupit, mund të “lexohet” shumçka rreth shëndetit – pohojnë iridologët.

Në kohën tonë moderne, njëra nga teknikat e mjekësisë alternative njihet si iridologji (iridiagnozë). Por nga ana tjetër po ashtu dihet se me ndihmën e iridologjisë s’mund të diagnostikohet asnjë sëmundje specifike.

Sa do jetë avancuar kjo qasje e mjekësisë alternative, tani për tani s’e kemi idenë. Gjithsesi, mbase bën të thuhet se iridologjia është një lloj “arti më i avancuar” i të kuptuarit të iridës. Duke thënë kështu s’hyhet në “hak” të askujt, është thënie mjaft neutrale.

Grafikat e iridologëve janë mjaft simpatike (shih diagramin ngjitur), pothuaj as skemat e raketologëve të NASA s’janë më simpatike e kolorifike. Sikur na bindin me kompleksitetin, me bukurinë e me simetrinë. Tekefundit sepse në kontekstin artistik, simetria është njëri nga dimensionet e estetikës në vete, dihet dhe kjo : )

Bie fjala, edhe grafikat “palmistrike” janë mjaft komplekse dhe estetike. Leximi i pëllëmbës nga kiromanët është praktikë e tregimit të fatit tonë. Padyshim “fallxheshat” moderne do jenë disa herë më të sakta sesa dikur ato të Babilonisë. Vijat dhe zonat e pëllëmbës për kirologët janë diç si “shkencë”… përndryshe s’kanë si e “lexojnë” fatin tonë, apo jo. Të njëjtën pohojnë dhe astrologët, edhe ata astrologjinë e konsiderojnë “shkencë”, na mahnitin me lloj-lloj diagramesh, rregullisht i përditësojnë parashikimet zodiakale dhe mjaft shpesh pothuaj ia qëllojnë : )

Sidoqoftë, se sytë tanë janë mrekullia vetë, jemi fort të sigurtë. Pas trurit, organi i dytë më kompleks është syri ynë. Ashtu-kështu irida është jashtëzakonisht komplekse, pa le që e “lidhur” dhe me elektrikat e me një milion xingla-minglat. Shkenca na thotë se sytë e kapërthejnë dritën dhe e konvertojnë në impulse elektro-kimike (dmth. në neuronet, për t’i përcjellur infot të cilat duhet procesuar nga truri ynë).

Shkurt, truri dhe sytë janë strukturat më komplekse të anatomisë sonë, thonë ekspertët e anatomikave. S’e mohon kush, sytë janë shkencë jashtëzakonisht e koklavitur, aq sa për shumë gjëra sikur dhe vetë shkenca i “rrudh” supet. Për qelizat e super-avancuara të syrit, dhe për syrin në përgjithësi “mahnitet” dhe vetë shkenca bashkëkohore.

[ ngjitur: infografikë, diagram i iridologjisë ]