Fytazi me monstrat e fantazisë… si “Cinderella” të zhurnalistikës!

(S. Guraziu – Ars Poetica, Sht 22 – Koment)

…një politikan shpesh vlen sa shumica e armiqve të tij – por vallë sa vlen pra një gazetar i denjë, një penë e denjësisë, një penë e vërtetë! e lehtë për opinionistët të spekulojnë, të hamendësojnë, ose le t’kërcej sakaq aty ku desha të dal – psh. portali “gazetat-net” e ka një listë me të gjitha gazetat e mediat shqiptare që ia vlen, vizitoje cilën të duash apo dhe të gjitha varg e varg, me dhjetra sosh… analizoji, gjeneralizoji “bërthamat”, bindesh se mediat shqiptare kanë sa të duash analistë e opinionistë, e prapë sikur të gjithë vërtiten në një vend, pothuaj si “minjtë në kafazin rrotullues”, e qartë se të informuar e të ndritur, mjaft të zotët e të zhdërvjellët me lakadredhimin e penave, ama ç’e do… ngjashëm si ndonjë “poç i Edisonit” kalavarur në një pikë të tavanit, thuase të gjithë çak e çuk nga e njëjta “përspektivë”, zor të gjesh ndonjë ide “rrebeluese”… ndonjë rreze “out the box”, sepse siduket politika shqiptare është aq komplekse, tejet e koklavitur, dhe jo vetëm kaq, graviteti i saj diç si marramendja saturnale, s’ke si i kap përspektivat tjera pasi “graviteti” i rrotullamës, madje dhe vetë marramendja e unazave janë kundër teje…

…s’kapërthehen dallaveret tek ashtu, me opinione e me thashetheme gazetareske, e sidomos jo ato shqiptare, kleptokracia shqiptare është fushë jashtëzakonisht komplekse – përveç nëse t’jesh dhe vetë në “valle me djajtë”, për ta kuptuar viciozitetin padyshim duhet t’jesh dhe vetë në “qarkun vicioz të luciferizmit”, sepse me gjasë gjithçka e kësaj bote qeveriset nga e njëjta analogji, të gjitha fushat e sferat, bie fjala për t’i luftuar monstrat e fantazisë, mbarë filmofilëve të botës Hollivudi me dekada u “thotë” se duhet dhe “vetë” të kthehesh në monster, përndryshe s’ke shans, s’do ishte as realistike, s’ke si kacafytesh me monstrat urt-e-butë… si “Cinderella” e zhurnalistikës, apo jo, nganjëherë boksierët kur s’ua mban ngelin të “përqafuar” në ring me njëri-tjetrin, gjoja kacafytje ama thjesht një “përqafim”… sa për t’i mbledhur forcat, ajme!

[ më poshtë, diç si “Arbiter Elegantiarum”, citat nga një shkrim i Lorenc Vangjeli, Nëntor, 2021 ]
– – –
“…nuk është 3-këndësh, por është rreth. Gjeometria politike (shqiptare) nuk ka 3 kulme, por është qark i mbyllur. Nuk ka 3 personazhe në kënde dhe një të 4-t që i vështron, por 1 prej tyre është në qendër dhe 3 të tjerët i vijnë rrotull. Ky është shpjegimi i thjeshtuar (për politikën shqiptare), ku alkimia e pushtetit dhe pushteti si lojë, i ka shndërruar miqësitë e interesit të çastit në armiqësi të thella dhe armiqësitë e vjetra i ka bërë kasafortë të interesave të pandryshueshme. Në qendër të këtij rrethi vicioz është Edi Rama: në perimetrin e këtij rrethi, vijnë qark edhe Basha, edhe Berisha, edhe Meta. Në dukje të gjithë kundër të gjithëve…”

(me fjalë të tjera, Lorenci arbitron si vijon: )
– Basha është armiqësor edhe me Berishën, edhe me Metën, edhe me Ramën, gjithashtu është armik (madje me vetveten) me të gjitha mundësitë fantastike që fati ia ofroi atij vetë (dmth. Lulushit : )
– Berisha është armiqësor me Bashën dhe me Ramën, por hesht për Metën
– Meta është armiqësor me Bashën dhe me Ramën, por e shmang Berishën
– Rama hesht për të tre, sepse vetëm ai është përfituesi real i kësaj armiqësie të kryqëzuar
– – –
[ ngjitur: ilustrim nga Agora – 7 Wonders Duel (lojë-parodi ]