Adami, Ademi, dhe Gangurru (moskuptimi) na qe bërë Kangur!

(S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2022 – Koment)

(do bëjnë festë, do shpenzojnë buxhetin… dhe nga 4 germa gjithsej, 1-rës ia huqin – t’gabosh në një banderolë disametërshe, nga njëra anë në anën tjetër të bulevardit, me germa “gjigante”… është qesharake : )

Nëpër media (e sidomos në ato “sociale”, si Fb e të ngjashme), shqiptarët thua se janë vetë nëna e çudirave, nganjëherë të mrekullojnë me lloj-lloj lajmesh interesante, me lloj-lloj eventesh e aktivitetesh kulturore, me lloj-lloj -izmash e patriotizmash. Ama s’duhet mohuar, nganjëherë dhe t’mahnitin me lloj-lloj çudirash, e shpesh madje dhe me “kontradiksionesh” të kulluara. Shpesh vetëm sa për t’buzëqeshur, e ndonjëherë sikur na detyrojnë ta gudulisim veten, dmth. dhe për të qeshur.

Unë vetë, shkrimet e mia, komentet (nga dembelia – e pranoj, s’e mohoj : ) i shkruaj njësoj siç i shkruajmë e-mailat për miqtë e afërt, si t’na ishin ping-pong mesazhesh që i shkëmbenim dikur via e-mailit (dmth. kur ende s’i kishim këto dritaret e tashme të chat-it, atëbotë ndonjëherë brenda ditës na binte t’i shkëmbenim disa e-maila me t’njëjtin mik a mikeshë, ishte diç si chat-mail, vetë i quaja “mesazhe ping-pong”).

Andaj, edhe nëse ta gaboja emrin Adem në një e-mail të tillë, s’do duhej t’më “shihej për të madhe”. Tekefundit who cares… për gabo-shkrimin tim, kush na qenkam unë, s’kam as nofkën “i pagabueshmi” dhe s’jam “robot… i programuar” për mosgabime ortografike, për moslëshime gjuhësore, për 100% korrektësi gramatikore, apo madje dhe për “zero” të lapsuseve logjike.

Gjuha, tekniciteti i e-mailave, i artikujve të tillë, butonat e vegjël, ngutja, rrëshqitja, gabo-shkrimi, gjuha e komenteve, absolutisht na falet dhe justifikohet të gjithëve.
Por t’gabosh në një banderolë disametërshe, nga njëra anë në anën tjetër të bulevardit, me germa “gjigante”, i cili baner duhet të planifikohet, duhet të ideohet nga dizajnerët, duhet t’përgatitet për printim, jo si i dehur pas dasmës-ahengut por i kthjellët dhe i këndellur, duke patur parasysh dhe eventin (të cilit baneri duhet t’i shërbejë)… shkurt e troç, deshëm ta sjellim në pah që baneri prej disa metrash e ka një proces të gjaaaaaatë të ardhjes në jetë.

Baneri NUK është “ping-pong mesazh” i imi. Ta gabosh në një banderolë emrin e Adem Jasharit është qesharake, dhe atë ku… në mes të Skenderajt. Epo ehuuu “vakia” e tillë gabimtare mbase do na dukej paksa dhe “simpatike” sikur ta kishin bërë amerikanët. Thelbësisht dhe s’është “gabim”, për amerikanët edhe Adam edhe Adem janë e njëjta.

Thjesht do na ngjallej buzëqeshja sikur ta kishin shkruar diku atje në një kamp të Virginia, me rastin e një eventi festiv, me rastin e nderimit të Heronjëve të Lirisë të shtetit mik, për ndonjë përvjetor a ndonjë shkas tjetër, si nderim i figurave madhore të rezistencës kosovare, për të cilin vend ata kanë kontribuar aq shumë dhe vazhdojnë ta bëjnë miqësisht pa rezervë, në kohë të paqes e të lirisë. Pa amerikanët pothuaj e vështirë të flisnim për Kosovën, për lirinë e për shtetësinë… siç jemi duke i gëzuar, dhe për të cilat flasim sot.

E dimë dhe s’duhet mohuar, ka ca fjalë e emra, nëse të ndryshohej 1 germë e vetme, sikur do çoroditej gjithçka e kuptimit. Nëse i-ja të kthehej kokëposhtë e qartë se bëhet pikëçuditëse. Për fat të mirë, ky rast s’është i tillë. Parë me logjikën e thjeshtësisë (qoftë dhe etimologjike, nëse nevoja) Ademi dhe Adami s’janë madje asfare “gabim”.

Në këtë rast specifik s’është fjala për ndonjë “fjalëformim”, të cilit i ka ndryshuar dhe evoluar kuptimi gjatë historisë (me të cilën punë do merrej etimologjia). Bibla thotë Adam, Kurani thotë Adem, dmth. madje dhe në Kuran, nëse helbete në ndonjërën faqe t’ishte përvjedhur “Adam” (si gabim shtypi) në vend të Adem, s’do ishte gabim.

Absolutisht jo, dhe natyrisht s’është diç e “madhe” si gabim shtypi, mizat s’duhet bërë buaj, kurrë dhe assesi. Do ishte e turpshme nëse të “euforizonim” vend e pa vend, s’do mend se do ishte për keqardhje.
Personalisht, thjesht më duket qesharake, nga 4 germa gjithsej, 1-rës ia huqin! Asgjë më shumë se qesharake. S’mund ta kuptoj si ishte e mundur të huqej E-ja me A-në në një banderolë gjigante!

Dhe atë ku – në Skënderaj, në kryeqendrën kosovare të patriotizmit e të krenarisë! Do bëjnë festë, do shpenzojnë buxhetin, do bëjnë bujë me aktivitete për shënimin e 14-vjetorit të Pavarësisë, ama ja që ua huqin banderolave – ia huqin vetë emrit të Kryeheroit të Krenarisë!

Se përse e kam marrë si të gatshme, pothuaj sikur pandehja se gjuha e kosovarëve tashmë do jetë “automatizuar” për Adem – përpara se për Adam! Fakti se popullsia e Kosovës është rreth 90% muslimane, madje s’ka as rëndësi, as që duhet përmendur ky detaj. Madje-madje, nëse ta kishin lutur që t’merrej me banderolat e Pavarësisë, them se emrin “Adem” s’do ta kishte gabuar as dhe cilido prift kosovar. Nga 4 germa gjithsej, s’do ia huqte as 1-rës, garant!

Ashtu-kështu shoqëria kosovare njihet për principet e sekularizmit, për kulturën moderne, për tolerancën e për korrektësinë, e gjithë Evropa dhe e gjithë bota e njeh këtë “atribut”. Ja pse kosovarët dhe janë krenarë.
Ama lartësia dhe madhështia heroike e një legjendari, e një krye-trimi mjekrosh me emrin ADEM, pandehja tashmë pothuaj do jetë “stampuar” në secilin dhmbëzor të automatizmit gjuhësor… Ec e mos buzëqesh : )

***
Si përmbyllje të komentit tonë (me ndonjë kokërr gazmore më tepër), le ta ndërlidhim me ndonjë gabim simpatik nga historia, psh. siç ishte rasti i emërtimit të kangurëve të Australisë nga Kapiteni Cook.

Ai pati hasur në një kafshë të çuditshme që kërcente si e çmendur, e pati pyetur një banor lokal për emrin e asaj kafshe të panjohur, indigjeni s’pati qenë mospërfillës por meqë s’dinte anglisht i qe përgjigjur në gjuhën e vet “gangurru” (dmth. “s’po t’marr vesh”). Dhe hoooop Kapiteni Cook na e pati marrë t’jetë emri që i duhej – Gangurru (moskuptimi, ose mosmarrëveshja) na qe bërë Kangur.

Apo pse t’mos e përmendim dhe vetë “shkencën” qesharake serbe rreth etimologjisë së emrit të “Kosovës”!
Serbët e ndritur besojnë se “Kosova” është fjalë serbe, e prejardhur nga Fusha e Kosovës (Fushë-Kosova = Kosovo Polje), rrafshina e madhe, qendrore e territorit. Padyshim, dijet përparimtare të masave ngjizen sipas instruksioneve nga lart, mbase sipas “aka-demave t’Beligradit” kjo fjalë… kryekëput do t’thotë “fusha e zogut të zi”. Meqë “kos” na qenkësh “zogu i zi” dhe “-ovo” prapashtesë e rregullt e serbishtes për mbiemrat posedues…

Shih pra, mrekullia vetë, e qartë se shkencat “etimologjike” s’kanë kufij. Ne shqiptarët, dhe gjithë bota mbarë e dinë që “shqiponjat tona ishin… dhe ende sot e kësaj dite janë të zeza”, s’janë pendkuqe as pulëbardha. Me katragjysh e me stërgjysh të Skënderbeut, gjithë baballarët e tij ashtu i mbanin mend. Ngjashëm siç stërgjyshët e Apaçve i mbanin mend shqiponjat qafëbardha të pra-kontinentit amerikan.

Po ashtu, jo vetëm shqiptarët, rishtas e gjithë bota mbarë e dinë se shqiponjat janë “zogj… shpendë”, s’janë ujq, as ketra as luanesha etj etj. Nëse fjala na qenka “fushë e zogjve” (dhe plus strikt për zog-zezat) atëherë s’është nevoja as për stres, as për eufori, as për shtrembërime “a la beligradeske”…