Pafajësia ime e vogël, dhe paturpësia e madhe e Lili-Putinit!

(sguraziu – ap, 23 shk 2022 – koment)

Më vjen inat që do ta paguaj vetë me lekët e mi “grykësinë e Lili-Putinit”. Natyrisht që i përkrahë dhe unë “politikat” e Evropës, e edhe sanksionet, por vallë ç’faj kam unë që Putini na qenka “çmendur” pas interesave strategjike të Rusisë? “Turp të qoftë, ti Putini i paturpshëm” – përpak sa nuk e shava dje Putinin. Akoma pa e pezulluar Gjermania atë “Gazin 2” të Rusisë, nga korporata energjitike holandeze-suedeze hooop më erdhën “ngritjet e tarifave” të energjisë. Epo ç’na gjeti, “turp o ti lili-puti i paturpshëm”.

Qesh përmbajtur (natyrisht, kam dhe unë pakëz dinjitet). Vallë, ç’faj kam unë i ngrati dhe ta paguaj me lekët e mi “verbërinë politike” të kësaj bote? Ç’faj kam ta paguaj tani dhe unë “lakminë a grykësinë” e Putinave?
Pafajësia ime sikur s’më “shqitet” kurrë, mbamendjen e kam dëshmitare në çdo kohë. Para një dekade e kishim atë “krizën greke”, atëbotë jo vetëm ekspertët por dhe vetë e kisha kristal të qartë se duhej kursyer me dhjetra miliarda euro. Të qartë e kisha se për grekët duhej bërë miliardat gati. Të qartë e kisha se ekonomia holandeze pati pësuar rënie për 1.7%, gjë që s’kishte ndodhur në 30 vjetët e fundit të asaj kohe!

Kalkulatorët e shtetit (dmth. ata zyrtarët që merren me precizitetet matematikore financo-logjike) ma thoshin si ngushëllim “mos u mërzit, sepse dhe vetë shtëpia mbretërore duhet ta shtrëngojë rripin”. Pra, për grekët duhej gjetur miliardat, dhe se për t’i gjetur ma thoshin troç se s’kanë rrugëzgjidhje pos t’i merrnin ca lekë dhe nga portafoli im.

Okidoki, e ç’të bëja unë i ngrati, mos vallë duhej të ulesha aq ulët sa t’i shaja grekët, t’ua kisha inat? Jo pra, kam dhe unë ndopak “ujë në sy”, aq ulët s’kam rënë kurrë. Të nesërmen më vinin faqe-letrash nga lloj-lloj zyrash, ku unë mrekullohesha nga preciziteti dhe korrektësia e kalkulacioneve kompjuterike. Madje isha dhe krenar, sepse e dija që s’kishin faj ato kontabilistet simpatike të shtetit. E dija se kompjuterat janë të saktë, dhe asnjë cent s’na e merrnin pa na e thënë fillimisht, pa na e sqaruar se për çfarë u duheshin.

Natyrisht që i përkrahë dhe unë “politikat” e Evropës, e edhe sanksionet. Psh. kur më qe bërë e njohur se Shqipëria nuk e njeh “njohjen” nga Rusia të rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, si qytetar i thjeshtë automatikisht isha DAKORD me vendimet e Shqipërisë, të Kosovës, të Holandës, dakord me vendimet e ngjashme aneskaj Evropës e botës. Politika shqiptare qe shprehur se kjo “njohje” nga Rusia është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut si dhe cënim i intregritetit territorial dhe pavarësisë së Ukrainës.

Dmth. e gjithë Shqipëria i tha botës se qëndron krah aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mbështetje të Ukrainës. Afërmendsh, çdo akordim imi paksa më i “vjetruar” me vendimet shqiptare… sikur rishtas akordohet e bie në sintoni me vendimet e Shqipërisë. Njësoj akordohem dhe me vendimet e Holandës e te EU. Sepse unë ndryshe s’di, ama më vjen inat që do ta paguaj vetë me lekët e mi “grykësinë e Lili-Putinit”.

[ ngjitur: një foto nga Interneti, “facilitete” të Nord Stream 2 ]