Populizmi “Right-Wing” në EU – Sa ndikim ka e Djathta Ekstreme?

(S. Guraziu – G 22, Koment, dhe infografikë nga Anna Fleck – Statista, Q 2022)

(…Wilders si “partiak” i vetëm, si një kacagjel politik ia bën “kikirikuuuu” me 17 oktava të “partisë fantomike”…)

Në zgjedhjet holandeze të v. 2021, në “peshoren politike” e djathta ekstreme PVV do peshonte si e 3-ta.
Më e forta ose më e rënda do ishte VVD-ja me 21.9% të votave (34 vende), pastaj e 2-ta D66 me 15.0% (24 vende) dhe PVV do i fitonte 10.8% të votave (17 vende).
Duket pak 10.8%, por jua them se nuk është, i bie që rreth 2 milionë holandezë mendojnë “njësoj” si Wilders – boooo imagjino, pothuaj 1 Kosovë e tërë!

Sipas meje, pati qenë Turqia si “sherr” dikur dhe votat e Holandës sot janë kështu (siç shihen më lart). Sa i përket spektrit politik të së sotmes holandeze, jozyrtarisht unë e “akuzoj” askend tjetër por Turqinë. Po po, mirë e lexuat, s’qe ndonjë gaboshkrim – pikërisht Turqinë. Dmth. kuptohet akuza është “jozyrtare”, thjesht akuzë e imja, personale. Për fat të keq, s’kam as vullnet as kohë, por në fakt do duhej t’i shkruaja madje dhe letër Presidentit të Turqisë, pakashumë ngjashëm si Zola dikur Presidentit të vet, “J’Accuse…!” : )

Shtrohet pyetja ç’lidhje na paska Turqia me nuancat dhe me ndryshimet e spektrit politik të Holandës?! Epo, s’ka ndonjë lidhje direkte, e saktë, mirëpo ja që ka diç “indirekte”. Sipas meje të gjitha “fajet indirekte” i takojnë Turqisë. Përndryshe s’do hyja kurrë në “hak”… as me akuza as me fajësime. Le ta sqaroj sadopak duke sjellur një shembull “identik” nga historia…

Jo shumë kohë para se të vritej, ish-Presidenti amerikan Kennedy sikur qe tallur ose pati ironizuar me ca fakte “fatkeqe” të historisë, me shakanë e vet e pati quajtur Londrën “shkaktare” për historinë e shëmtuar pothuaj të gjithë shek. XX. Jo Londrën si “Londër”… por një gazetë londoneze atëbotë na e paskësh “hidhëruar e pezmatuar” Marksin sa s’ka më.

Gazeta pati refuzuar t’ia rriste pagën një gazetari varfanjak me emrin Karl Marks, dhe si rrjedhojë Marksi do frustrohej e do pezmatohej në kulm, le që do ikte por dhe (thuase nga “inati”) do bëhej ai Marksi i mëvonshëm.

Eh, sikur t’mos ta kishte bërë atë “gabim trashanik” gazeta – qe shprehur Kennedy. Dmth. sipas tij nëse t’ia kishte rritur rrogën, nëse gazeta ta kishte vlerësuar më tepër mençurinë e tij, patjetër se Marksi do ndjehej i lumtur.

Sa për spektrin kapitalistik londonez (të asaj kohe), natyrisht Marksit atëbotë s’i shiteshin dhe aq mençurirat gazetareske. Ama me rritjen e pagës helbete do na ishte “hutuar nga lumturia” dhe s’do merrej me “kapitalet” e me idetë tjera të mëvonshme. Kështu që, Kennedy aludonte se me ndonjëfarë mrekullie të “zhdrejtë”, do na kishte shpëtuar dhe vetë historia!

***
PVV – Partij voor de Vrijheid (Partia për Liri) është një parti nacionaliste, populiste e së djathtës holandeze. Qe themeluar në v. 2006, (sipas meje) “jodemokratikisht” dhe paksa në rrethana qesharake! Ideologjia e kësaj “partie” si term, mbase mund t’përthekohet si sintezë e nacionalizmit, populizmit, anti-islamizmit, liberalizmit (kombëtar), anti-emigracionit, shovinizmit ekonomik (për mirëqenien holandeze), euroskepticizmit ekstrem etj.

Prapë shtrohet pyetja, pse “jodemokratikisht”, pse thashë kështu? Epo, sepse PVV në fakt nuk është “parti”, ose është diç si “parti fantomike”, diç si “shoqatë”, ose “asociacion” zyrtarisht me 1 anëtar të vetëm. Realisht gjoja Geert Wilders (si kryeplaku partiak) njëkohësisht është udhëheqës dhe anëtari fillikat i partisë. Vallë, a nuk është absurd, një lloj “absurdi” i kulluar, gjoja demokratik!

Kështu që, nëse të niseshim nga koncepti sadopak më i stërholluar demokratik, “partia” s’do duhej t’na ishte parti, s’do duhej të konsiderohet e tillë. Tekefundit sepse s’i plotëson kushtet e mirëfillta demokratike, madje është dhe e “papërshtatshme” për financimin e saj nga qeveria.

Mirëpo ja që anonimiteti dhe “fantomikja” e votuesve si e drejtë legjitime e tyre, e legjitimojnë akëcilën strukturë politike të tillë. Si rrjedhojë, në realitetin politik PVV s’është si të tjerat, është “parti e maskuar”, gjallon prapa “maskës” fantomike dhe mbështetet nga donacionet e fansave.

Gjithçka pati nisur (thuase) nga “kryeneçësia”, nga pakënaqësia personale, ishte diç si bojkot ndaj politikës së “partisë amë” (dikur Geert Wilders i takonte partisë VVD). Në v. 2004 do largohej nga VVD sepse assesi të “pajtohej” me disa qëndrime të partisë, s’mund ta pranonte qëndrimin pozitiv të VVD ndaj anëtarësimit të mundshëm të Turqisë në BE.

Në rregull, s’të pëlqen ideja e Turqisë në BE, do ikësh, pse jo, udha e mbarë. Sipas rregulloreve klasike, atëbotë VVD-ja priste që Wilders ta “dorëzonte” ulësen e tij parlamentare. Mirëpo për çudi ky do refuzonte, s’do dorëzonte gjë, do vazhdonte ulur në parlament si “partiak” i vetëm, si një kacagjel i politikës paçka se gjoja si “Groep Wilders” (Grupi Wilders).
Ky “grup” ose pakënaqësia e Wilders tek në v. 2006 do bëhej PVV.

Shkurt, i bie se pati qenë Turqia si “sherr” dhe historia politike e Holandës tutje do merrte lloj-lloj nuancash, herë kameleonike e herë të padukshme, fantomike. Ose, tekefundit mozaiku dhe spektri politik do bëhej akoma më interesant. Që në hyrje të komentit veç e thamë se vitin e kaluar PVV do i fitonte 10.8% të votave (17 vende – nga 150 gjithsej).

Ngjashëm si në shumë vende të botës, edhe parlamenti holandez funksionon sipas konceptit bikameral, legjislatura supreme dy-dhomëshe është “States General”, përbëhet nga “Senati” (Eerste Kamer – 75 ulëse) dhe nga “Dhoma e Përfaqësuesve” (Tweede Kamer – 150 ulëse).
Pra çudia është se babaxhani Wilders si një kacagjel politik me kacuretën përpjetë, ia bën “kikirikuuuu” me 17 oktava të “partisë fantomike”, shpesh eho-ja i trullosë parlamentarët sa mos pyet, ankohen për kokëdhimbje (ndoshta si ai Kokëdhima i Shqipërisë), jehon e gjithë salla e kuvend-parlamentit 🙂

Andaj s’e kuptoj si mund të quhet “pak” ekstremizmi prej 10.8%! Hm, këndellu moj ti EU-bukuroshja, balansoje sadopak spektrin e politikave, silli në ekuilibër të gjithë varg e varg, me francezë e me hungarezë…

( më poshtë, infografika dhe teksti nga Anna Fleck – Statista, Q 2022 – përgatitur nga sguraziu )

E djathta ekstreme vazhdon me ndikimin e vet në disa pjesë të Evropës, Hungaria e kryeson listën si vendi me më së shumti ulëse parlamentare të mbajtura nga një parti e së djathtës ekstreme. Fidesz (e Viktor Orban-it) ia doli me një fitore të madhe në zgjedhjet legjislative të vendit (2022), duke siguruar 59% të parlamentit.

Polonia gjatë viteve të kaluara ka parë gjithashtu shpalosjen e një peizazhi politik populist, partia ultra-konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS) i fitoi 51% të vendeve në asamblenë (Diet) e 2019.

Në v. 2017-18, parti të tjera të së djathtës ekstreme erdhën në pushtet, FPÖ në Austri (28%, 2017), e ndjekur nga Lega e Matteo Salvinit në Itali, e cila mban 21% të vendeve në parlamentin italian.
Ndonëse FPÖ-ja austriake ka shënuar një rënie të popullaritetit, që nga v.2019 përfaqëson vetëm 17% të parlamentit, krahasuar me 28% në v. 2017.

Tjetërkund në BE, e djathta ekstreme e Spanjës, e përfaqësuar nga Vox, mban rreth 15% të vendeve në parlament, një përqindje e ngjashme me atë të RN (Rassemblement National – Tubimit Kombëtar) në Francë.

Në Belgjikë, partia nacionaliste Vlaams Belang, në “peshoren politike” aktualisht peshon 12%, ndërsa në Gjermani AfD ka rënë në 11% pas humbjes së 11 vendeve në zgjedhjet federale të v. 2021.

Partitë e cituara në grafikën ndajnë ideologji të ngjashme mbi nacionalizmin, konservatorizmin social dhe anti-imigracionin, konsiderohen si e djathtë ekstreme e spektrit politik në Evropë.