Infodemia Informative-dezinformative ende vazhdon!

S. Guraziu – Ars Poetica, Maj 2022

(ec e mos dysho, njeriu thjesht s’ka shans të ngelet mosbesues, anti-konspirativ, mospërfillës, injorant etj : )

***
Dihet se në ShBA me dhjetra miliona njerëz e kanë “bojkotuar” thirrjen për vaksinim, kanë bojkotuar gjithçka rreth luftës kundër pandemisë. Si rrjedhojë, OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) e pati përmendur “infodeminë e informimit dhe dezinformimit” të shfrenuar në SHBA.

Padyshim ju kujtohet, njerëzit kishin dhe ende kanë frikë nga injektimi i mikrosondave (aso gjërash “high tech”) nëpërmjet vaksinimit, dmth. mikrosonda për t’i kontrolluar humanoidët, për t’i spiunuar, për ta manipuluar kodin gjenetik të tyre, për t’i “ndryshuar” në alienë nëpërmjet mutacioneve, për t’u mbajtur nën kontrol nga alienët… apo nga elitarët e rendit të ri botëror etj etj).

Sëfundi (vetëm 7-8 ditë më parë), “New York Times” shkruante se vetë Bill Gates ka rezultuar pozitiv në testin e COVID-19.
“Një nga njerëzit më të pasur në botë dhe donatori i madh në përpjekjet për lehtësimin e pandemisë, zoti Gates ka thënë në Twitter se ka simptoma të lehta…” – [ The New York Times ]

Kjo se Gates është infektuar… okidoki, ia ngjet “grepi” dhe atij, s’është çudi është njeri, s’është ndonjë super-njeri, gjoja rezistent ndaj virusëve. Ama (s’duhet mohuar) për teoricienët konspirativë dhe për bojkotuesit e pandemisë, si lajm tingëllon mjaft i “çuditshëm dhe i pabesueshëm”.

Lajmin e infektimit vetë Bill Gates e pati publikuar në Twitter. Mirëpo konspirativistët nuk harrojnë, thuase ja shansi që akoma më tepër të dyshojnë. Qëkur Bill Gates po ashtu vetë pati deklaruar se ishte vaksinuar, madje disa herë.

Në ShBA ende ka me dhjetra miliona njerëz që s’e kanë marrë as dozën e parë, dhe as që e kanë ndërmend ta marrin. Ata kanë “bojkotuar” gjithçka, por si është e mundur, vallë pse nuk u infektua askush nga më shumë se 50 milionë njerëz në ShBA që e kanë refuzuar vaksinimin!?

Vetë s’u habita, natyrisht, virusi s’e pyet as mbretin as miletin. Fjalën e pata për ata që dyshojnë, ku e gjeti virusi pikërisht multi-miliarderin e vaksinuar! – padyshim do jenë habitur “konspirativistët”.

Apo ndoshta sepse, pikërisht Gates i pati dhuruar 1 miliard dollarë kundër virusit. Kështu që virusi do jetë pezmatuar sa s’ka më, do i ketë marrë tepër shumë “inat” – vetëm sa ta zë atë mburravecin që i shpenzonte miliardat kundër meje, pa do i tregoj atij…

Me fjalë të tjera, njerëzit thjesht s’e kanë idenë tutje kujt duhet besuar, apo çfarë duhet besuar. Në faqen e “Interesting Engineering”, thuhej se “Bill Gates vetë ka qenë pjesë e fushatës së dezinformimit”.

Sipas faqes së “Gizmodo”, në ShBA ka të paktën 150 milionë vaksina tepër (për t’i hedhur posht, për arsye të mospërdorimit dhe të afatskadimit). Madje dhe t’u dhurohen vendeve të botës (që kanë nevojë për vaksinat), transporti dhe tjerat detaje operacionale kushtuakan. Ndërsa ShBA thjesht s’paska ndarë mjete për këtë “teprim” të papritur, ose të paplanifikuar.

– – –
“Hezitimi i njerëzve në SHBA për ta marrë dozën e parë të vaksinës, e quajtur nga OBSH si ‘infodemi e keqinformimit’, ka rezultuar në ‘tepricën’ e miliona dozave të vaksinës” – [ Interesting Engineering ]
– – –
“Themeluesi i Microsoft, i cili ka shpenzuar mbi një miliard dollarë për ta luftuar pandeminë aktuale përmes fondacionit të tij, tani vetë është infektuar nga virusi. Ai ishte plotësisht i vaksinuar dhe kishte marrë dozën e tij përforcuese. Gates ka deklaruar në Twitter se ka simptoma të buta dhe se po izolohej…” – [ Interesting Engineering ]
– – –
“ShBA ka vaksinuar vetëm 66.6% të popullsisë kundër Covid-19, shkalla më e ulët krahasuar me cilindo vend të pasur të botës. Në fakt, ShBA renditet e 62-ta në botë për vaksinimin e popullsisë së vet, menjëherë pas Nepalit (66.9%), Sri Lankës ( 67.4%) dhe Iranit (68.4%)” – [ Gizmodo – bazuar në infot e Universitetit Johns Hopkins ]

Shkurt, ec e mos dysho, nga bombardimet informative ultra-moderne, përherë të freskëta dhe të konfirmuara, njeriu thjesht s’ka shans të ngelet mosbesues, anti-konspirativ, mospërfillës, injorant etj : )