“Mrekullia” gjenetike tibetase, varianti “gjenomik i lartësisë”!

S. Guraziu – Ars Poetica, K 2018 (Denisovanët, Neandertalët, Tibetasit… dhe ne, Humanoidët (Njerëzit)!)

(rreth 90% e popullsisë tibetase e posedojnë variantin “gjenomik të lartësisë”, ama i njëjti mungon tërësisht nga baza e të dhënave prej 1000 gjenomesh njerëzore nga popullatat e tjera të botës)

“Çatia e Botës”, sic ndryshe ia themi për Tibetin, nënkupton ngjitjen dhe deri në 6000 m lartësi, për të arritur në një zonë unike të planetit që rrethohet nga vargmale, rishtas me lartësi malesh marramendëse. Sasia e oksigjenit në 5000-6000 metra është afërsisht 40% më e ulët sesa përqëndrimet në nivelin e detit. Kjo e bën pllajen tibetase një mjedis të ashpër për mbijetesë.
Njerëzit nga pjesa tjetër e botës, që lëvizin atje, vuajnë mpiksje të gjakut dhe goditje në tru për shkak të qelizave të kuqe shtesë, që trupat e tyre prodhojnë. Vendasit megjithatë ia dalin për mrekulli. Pavarësisht ajrit të varfër, trupi i tyre nuk prodhon më shumë qeliza të kuqe të gjakut (siç pra ndodhë me të tjerët vizitorë të botës në ato lartësi). Kjo “mrekulli” i ndihmon ata të mbijetojnë, dhe pra ruan shëndetin e tyre. Mirëpo kjo “mrekulli” po ashtu i mundonte shkencëtarët e gjithë botës.

Në vitin 2010, shkencëtarët zbuluan se tibetasit “adaptimin” e tyre ndaj niveleve të ulëta të oksigjenit ia kanë “borxh” pjesërisht një varianti të pazakontë në një gjen të njohur si EPAS1. Rreth 90% e popullsisë tibetase e posedojnë këtë variantin “gjenomik të lartësisë”. Ama i njëjti mungon tërësisht nga baza e të dhënave prej 1000 gjenomesh njerëzore nga popullatat e tjera të botës.

Po ashtu, në v. 2010 në revistën prestigjioze “Nature” u publikua artikulli, “Historia Gjenetike e një Grupi Hominimik Arkaik nga Shpella Denisova në Siberi”. Shkencëtarët insistonin se analizat e eshtrave të gjetur sugjerojnë se fjala është për një grup i cili ndan një origjinë të përbashkët me Neandertalët. Dhe kështu, që nga 2010 në qarqet shkencore e kemi dhe termin “Denisovanët”, ashtu siç e kishim dhe termin Neandertalët (pra e qartë, emërtim lidhur me shpellën Denisova të Siberisë).

Në vitin 2014, shkencëtarët rishtas në një artikull publikuar në “Nature” thoshin se tibetasit ose paraardhësit e tyre ka gjasa ta kenë fituar sekuencën e pazakontë të ADN-së nga Denisovanët (të cilët gjenetikisht janë më të lidhur me Neandertalët sesa me ne, me humanoidët). “Duke analizuar një numër të madh popullsish në mbarë botën, kemi gjetur se haplotipi i përzgjedhur gjendet vetëm në Denisovanët dhe në Tibetasit” – thoshte artikulli.

Në disa pika të gjenomit tonë jemi më tepër Neandertalë sesa Humanoidë, duket shumë qartë se të paktën disa nga sekuencat që i kemi trashëguar nga hominina arkaike ishin adaptive, e që na ndihmuan të mbijetonim e të riprodhonim” – Joshua Akey, 2016, Washington University.

[ infografika ngjitur: A Map of Ancient Genes – paraqitur pjesë të gjenomit njerëzor që mund të ketë ADN neandertaleske (kuqe) dhe ADN denisovaneske (kaltër) ]