Saktësia Argëtuese e “Historisë” – Kronikat, Librat, Argëtimi!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sht 2022

(…në kohën tonë e vetmja gjë që e cenon shkrimin e historisë “saktë” mund t’jenë fenomenet e tilla si “wikileaks” e të ngjashme…)

Si shembull, historia na i servir një grumbull Kleopatrash. Dinastia Ptolemaike, duke filluar nga Ptolemeu I, i numëronte jo më pak por rreth 10 Ptolemeusa dhe nja 7 Kleopatrash. Mirëpo si “Kleopatrën” më bukuroshe dhe më interesante për kronikat, për legjendat, për filmat e për letërsinë (psh. që nga Shekspiri e këtej – kujtohu, Antoni e Kleopatra ishte ujdisje shekspiriane) ne e marrim Kleopatrën e fundit, nr. VII. Kur e prezantojmë ia themi shkurt Kleopatra, mbretëresha e Egjiptit të lashtë, e fundit e Dinastisë Ptolemaike dhe kështu sundimtarja e fundit Heleniste e Egjiptit.

Ndoshta sepse ishte bukuroshja e fundit e një dinastie joegjiptase që pa pikë turpi na “shtirej” si perëndeshë egjiptase. Ndoshta sepse ishte aq “lakadredhuese” e diplomacive, aq e zonja, e pati mahnitur perandorinë e Romës skaj më skaj. Aferat e saj aq të sofistikuara, ua pati bërë mendjen dhallë dhe perandorëve romakë.

Bukur sa i përket Kleopatrës, ama kësaj radhe s’na duhej asnjëra nga Kleopatrat, as 1-shja as 7-shja, na duhej 1-ri nga Ptolemeusat. Se cili prej tyre saktë, as këtë s’e dimë. Sepse për ta “gjetur” saktësinë e kënaqshme do na duhej ta trazojmë gjithë bibliotekën e lashtë dhe atë moderne të Aleksandrisë. Meqë pra e vështirë të arrihet “saktësia”, dhe meqë të gjithë quheshin Ptoleme, atëherë si kompromis i pafajshëm me historinë mund ta kthejmë në të “përvetshëm”, të flasim për 10 në 1 emër, sikur t’na ishte 1 Ptoleme i vetëm.

Njësoj siç ia bëjmë dhe për Kleopatrat… sapo e thamë më lart, edhe Kleopatrën e kthejmë në të “përvetshme”. I shkelim 6 Kleopatra të Egjiptit, të cilat dhe sikur t’kishin jetuar varg e varg njëra pas tjetrës, prapë do bënin disa qidra vite prej brezash. Asgjë, i kapërcejmë dhe flasim për të fundit, për të 7-ën. Nganjëherë sikur them mëvete të gjitha fajet duhet ngarkuar Shekspirit. S’kanë faj historianët që s’dinë aq për 6 Kleopatrat pararendëse, më shumë fajtore mund t’jetë vetë pena shekspiriane.

Ose psh. imagjino detajin tjetër, askush i kësaj bote s’e ka idenë mirëfilli s’i dukej Kleopatra. Në disa portrete nga monedhat na del se Kleopatra VII ta ketë patur një hundë-krrabë. E megjithatë panumër artistë të botës nëpër pikturat e kanë “imagjinuar” si një bukuroshe të paarritshme. Jo vetëm e bukur por dhe e “elektrizuar”, e ngjeshur me seksualizmin, e tendosur si ndonjë bombulë  – insistojnë piktorët. Mbase logjika i “shtynë” – përndryshe s’do ta mashtronte tek ashtu as Cesarin as Antonin, asnjë nga gjeneralët e Romës.

Portretet e “flashkëta” të monedhave na thonë Kleopatra hundë-shtrembër, por ja që Hollivudi e zgjedh ndonjë Elisabet Taylor për “rolin” e saj. Vetëm bukuroshet e kalibrit Taylor ishin të denja për rolin, assesi ndonjë aktore hundë-shtrembër. Pse? Epo ndoshta do duhej drejtuar Shekspirit me “pse-n”. Fajet duhet veshur Shekspirit – them unë. E ç’faj na paskan historianët e ngratë!

***
Sidoqoftë, le t’i kthehemi Ptolemeut që na duhej. Dikur, sunduesi helenik i Egjiptit dhe i Sirisë, Ptolemeu i mbilavdishmi, ishte i gatshëm ta paguante cilindo çmim që ta bënte Aleksandrinë kryeqytet kulturor të botës. Një nga ambiciet e tij ishte që raftet e bibliotekës së madhe t’i mbushte me kopjet e çdo libri të mundshëm që ishte shkruar ndonjëherë. Dhe kronikat flasin që ai pati shpenzuar më shumë se 10 tonelata ar, rreth 25 tonelata argjend… për 1 libër të vetëm. Këto shpenzime vetëm si “ilustrim” për metalet e çmuara, nëse të llogaritej vlera reale e të gjitha gjërave, thuhet se Ptolemeu pati shpenzuar shumë më shumë se aq.

Mirëpo të tilla kronika mbase dhe s’janë aq të ushqyera me fakte (jo siç duhet, psh. nëse t’i krahasonim me të vërtetat dhe faktet e së sotmes). Shkruesit e historisë dikur i mbyllnin shumë “vrima të paqarta, të çarash papirusologjike”, thjesht me pak ndihmë të fiksionit, të imagjinatës. Natyrisht, kronistët e lashtësisë s’kishin aspak faj. Nëse e marrim parasysh faktin e “vështirësive” të kohës sonë, kronistët e lashtë na dalin sa të saktë po aq dhe të pafajshëm. Imagjino sa e vështirë është madje dhe për kronistët e së sotmes që t’jenë të besueshëm e të saktë. Vështirësia rreth saktësive ngelet e njëjta, si para 3000 viteve si sot.

Përndryshe historianët dhe kronistët e së sotmes janë fort të saktë. Dikur kronistët shkruanin ashtu siç ua diktonte faraoni, qoftë Ramsesi, qoftë Ptolemeu, Kleopatra, e madje dhe Mark Antoni. Sot secili shtet i ka historianët, shkencat “ekzakte” të Historisë. Kronistëve modernë nuk u dikton kush si e çfarë të shkruajnë, s’përzihet kush në shkencat e tyre. Ç’është e vërteta, rrallë aty-këtu ndodhë që CIA i fshin ose i fsheh gjurmët, por ama kaq. Procesi i CIA-s quhet “parahistorik”, mbaron akoma pa i zbuluar historianët, kështu që askush nuk ankohet.

Sot secili shtet e shkruan historinë sipas vërtetësisë së vet. Në kohën tonë e vetmja gjë që e cenon shkrimin e historisë “saktë” mund t’jenë fenomenet e tilla si “wikileaks” e të ngjashme ! E qartë se të tilla “rrjedhjesh” mund të prishin shumçka sa i përket saktësive historike për shekujt e mijëvjeçarët e ardhshëm.

[ grafika : assassins creed – origins, 2017 – poster ]