Nostalgji dhe përhumbje oniristike! (Koment)

(Koment via emailit, lidhur me Pirro Loli – 21 Qershor 2013 – lidhur me “Flet poeti dhe shkrimtari Pirro Loli – Intervistë nga A. Zholi” – Telegraf, 2013)

Urimet e mia z. Loli, më erdhi mirë… ma besoni ndjeva dhe unë diç si “mirënjohje” lidhur me qasjen e z. Zholi ndaj krijuesve dhe artistëve, të cilën mirënjohje ju formalisht dhe ia keni shprehur brenda bisedës.
Komentin apo fjalët që po i rendis më poshtë nuk m’i kërkoi kush, s’më ka pyetur diç kush, por ja për hir të emailave që kam ndërruar me ju gjatë kohës, po komentoj dhe unë ashtu miqesisht.

***
Mendoj që respekti i z. Zholi për krijuesit e artistët pakëz vjen dhe sepse z. Zholi vetë shkruan gjëra letrare (dikur i lexonim skicat e tij dhe vjershat që na i përcillte), mendoj se respekti i z. Zholi për krijuesit është shumë më i madh… shi për këtë dhe del në pah “ky respekti… ashtu modest” duke i prezantuar ata e duke bërë vend për ta… me intervistat, artikujt etj.

Një diçka që ia “zë për të madhe” gazetarit Zholi është se ai shpesh përhumbet dhe bartet nga nostalgjitë e nostalgjikëve të ndryshëm, duke ia mundësuar secilit “zë” të së shkuarës të kacagjeloset e lavdërohet në stilin e moçëm sipas standardeve të gazetave të gjyshërve tanë, ku defilonin lloj-lloj marionetash me 100 fije të padukshme nga lart, ku dirigjoheshin madje dhe gjestikulacionet, mimikat dhe 1001 “hesape artifiça” të pjatalëpirësve të sistemit.

Për idetë e “kallajisura” ashtu dhe për “mostrat ideatike” e kemi të qartë qëmoti. Nëse për një baba të “ideve moderne” të asaj kohe siç ishte Stalini po ashtu ishte e qartë: “idetë janë më të fuqishme se armët. Ne nuk do t’lejonim që armiqtë tanë të posedojnë armë, pse do t’i lejonim ata të kenë ide”. Natyrisht sot madje dhe kalamajtë si nxënës në orën e historisë e dinë që sistemit atëherë i konvenonte të kishte sa më pak, mundësisht asfare ide, por sa më shumë “pollavra” (tekefundit, uroj që ata ta dinë këtë, po t’isha vetë mësues kështu do i mësoja ; )

Në kuptimin gazetaresk dhe të lirisë së fjalës, e gjithë qasja e z. Zholi është diç e padëmshme, e pafajshme dhe e drejtë – sepse ashtu parasheh me standardet moderne dhe zhurnalistika e mirëfilltë, profesionale. S’ka diskriminim dhe po aq të drejtë për vend në gazetë duhet të kenë të gjithë, qofshin dhe 1001 parti e nuancash, kameleonësh e klounë me kostumet topa-topa, lloj-lloj laryshi pendëlkuqësh. Mirëpo ja tragjikomedia e veseve tona “mediatike”, imagjinoni… jo vetëm pendëlkuqët, të njëjtën ia bëjnë dhe ata pendëlkaltrit!

Sikur harrohet se gazetat e sotme nuk janë tribuna për ide dhe botëkuptime nostalgjikësh. Por janë tribuna intelektuale për ide e vizione të reja, pse jo dhe “avangarde”, për botëkuptime moderne dhe konstruktivizma, për zgjidhje dhe shpalosje problematikash aktuale.

80% të intervistave të Telegraf kanë të bëjnë “me argumente të vonuara” intervistuesish, shpesh me nostalgji e përhumbjesh në ëndrrat, botëkuptimet personale të së kaluarës. Ndonjëherë kam përshtypjen që z. Zholi sikur ia bën sipas marifetit edhe=edhe, sipas vendit ashtu dhe kuvendi, shpesh do doja t’i “thërras” nga këtu larg (paçka se s’është punë e imja, në fakt s’do duhej të mërzitesha fare ) – z. Zhoooooli, jooooo gazetat e së sotmes (dmth. Telegraf po ashtu) nuk janë dhe s’duhet të kthehen në parada nostalgjikësh, mos na i sill 1001 intervista që s’na “thonë” gjë të re, na i sill vetëm 10 sosh por ama që shohin sadopak përpara nesh, që kapin tjera përspektiva të cilat ne hëpërhë nuk i dinim. Na sill ide që shkapuritin strofullën e ideve… dhe ndezin shkëndija e filiza më të avancuar të ideatikave, për të tashmen, për aktualitetin, e pse jo dhe ndonjë ditë më tutje, për të nesërmen.

Kur t’na merr malli për të shkuarën do ta dimë se ku ndodhen arkivat, do t’i gjejmë bibliotekat e historisë dhe bëmat e sistemit të “lavdishëm”, i kemi të ruajtura… ma merr mendja të gjitha arritjet sikur dhe të gjitha dështimet. Intervistat e gazetave s’duhet të jenë “boshe dhe nonsens”, ardhur spontanisht si bisedat e kafeneve – tamam puna, duke pirë raki me Dritëro Agollushin ja dhe intervista teleisur me “batutat e Sadijes” që nga kuzhina!

100 Agolla t’i bësh së bashku s’na thonë gjë, ndoshta as që na e gudulisin kureshtjen. Psh. kurrë s’do t’i lexonim këto fjalë të z. Loli nga ai (edhe pse z. Loli është përgjigjur me maturinë e “vetëdijshme dhe me takt pothuaj të një intelekto-mati – për këtë do i kthehem atij tjetërherë.

Tani për tani z. Loli do ia bëja të njëjtën pyetje të cilën ia kam bërë dikur në një email, para disa viteve tashmë:
“…bota e dinë shumë mirë se kush ishim dje dhe kush jemi sot, z. Loli. Pse t’mos e dimë ne vetë?! Pse vallë s’na e thoni me fakte… por na endni rrotull me një milion opinione e hipoteza nëpër gazeta?! Ne mund ta “mashtrojmë” botën mbase, le të themi se ia dalim disi… por vallë si do ta “gënjejmë” veten, a do ia dalim ta bindim vetveten për diç çfarë nuk ishim…?!).

Sipas meje madje roli primar i një gazete moderne (të gjitha gazetat e kohës janë “moderne”, natyrisht) nuk është kthimi i kokës mbrapa në histori, por të shpaloset dhe të shihet nën thjerrëz e tashmja, e madje (aq sa të jetë e mundur nëpërmjet vizioneve) dhe e nesërmja!

***
Thjesht koment… z. Loli, ashtu si kur shkruajmë një email, e di se ia dilni ta kuptoni një koment të tillë nga një “outsider” që synon t’i kuptojë gjërat me diellin e së jashtmes plot ngrohtësi e dritë të sinqertë. Më erdhi mirë për intervistën tuaj, sinqerisht, përgëzimet e mia dhe po ashtu, rishtas falenderimet për z. Zholi që bukur shpesh ua mundëson krijuesve, artistëve të ndryshëm që sadopak të “dëgjohet” dhe zëri i tyre!

përzemërsisht, sguraziu