Facebook, rasti “Cambridge Analytica”, dhe Kongresi!

S. Guraziu – Ars Poetica, 13 Prill 2018 (Koment)

Unë përcjell aq pak “lajme”, e shpesh dhe asfare, mirëpo për Fb-problematikën kisha dëshirë. Sot ia dola, të rrumbullakësuara i dëgjova përafërsisht gjithë gjërat e rëndësishme të seances dy-ditore “Zuckerberg” para Kongresit.

 

Pas skandalit të fundit me Cambridge Analytica, e që të dhënat private të 70-80 milionë amerikanëve – imagjino, një shtet i madh do ishte, sa Gjermania komplet – janë shitur dhe me to janë influencuar zgjedhjet amerikane të v. 2016.
Për mua shfaqja e shefit të Fb për t’u pergjigjur para kongresmenëve ishte lajmi më i rëndësishëm për Ameriken, për Evropen, ose për gjithë “botën” e Facebook.

Në fund… sikur më ngeli përshtypja që femrat (dmth. zonjat e Kongresit) qenkan shumë më të brengosura lidhur me fenomenin Facebook dhe me çështjen e privatësisë (sesa një pjesë e zotërinjëve). Zonjat që i shtronin pyetjet më lanë përshtypjen t’jenë shumë më serioze, pyetjet e tyre më të “mprehta” dhe më konkrete (sesa të disa burrave). Ato sikur na ishin përgatitur mirëfilli, duke e shoshitur mirë gjithë materien, për dallim nga 4-5 nga burra të Kongresit që e morën fjalen. Thuase këta zotërinjtë as nuk ishin të informuar si duhet se për çfarë është fjala realisht.

Natyrisht që do jenë konsultuar me ekspertët, por rrinin aq të “ftohtë”. Thuase një pëlhurë e hollë “indiference” u rrinte si perde para sysh. Thuase të mërzitur që seancat e tilla kongresionale janë aq të gjata dhe monotone, thuase më mirë do ta bënin një “kokërr gjumë” sesa t’i dëgjonin pollavrat e Mark Zuckerberg : )
Apo, thuase nuk e kishin idenë sa serioz është fakti i monopolizimit internetik. Sa serioze është lejimi i një kompanie private me 2 miliardë përdorues të “vetërregullohet” sipas biz-qejfit të vet; pa ligje adekuate lidhur me procedurat, pa korniza të mirëfillta ose rregullore federale, pa konkurrencë… hm, pothuaj e pabesueshme.

Aty-këtu sikur fajin ia “hidhnin” rritjes jashtëzakonisht të shpejtë të Fb, kjo dhe qëndron – askush s’ka parashikuar aq shpejtë, për disa vite të ritej në 2 miliardë, as vetë shefi i Fb mbase.
Gjithsesi, nëse dhe kësaj radhe Amerika nuk bën gjë për ta “kontrolluar me ligj” veprimtarinë e një mega-kompanie si Fb, pas kaq e kaq “kërkimfaljeve” nga Zuckerberg, pas kaq e kaq “gabimeve” e lëshimeve gjatë një dekade… atëherë nuk mund të fajsohet 1 kompani, sado e madhe të jetë, as të kërkohet përgjegjësi nga CEO i saj. Por duhet të “fajsohet” vetë aparati politik dhe legjislatura amerikane si tërësi…

Më vjen mirë që EU-klasa politike veç i ka ndërmarrë disa masa kyç lidhur me këtë çështje, lidhur me të dhënat private… duke i diktuar kompanisë Facebook kushte e rregulla konkrete. Sepse për 500 milionë banorët e Evropes duhet të qartësohet cilat janë “këpucët” e Mark Zuckerberg dhe kompetencat, e cilat nuk i takojnë atij. Duhet saktësi. E jo të jetë ai pronar i 500 milionë jetëve të tyre “virtuale”, të bëjë çfarë të dojë me privatësinë e tyre, si t’ia ka ënda atij vetë.

Më erdhi mirë që njëri nga zotërinjtë e Kongresit e “pranoi” haptazi se evropianët na ishin më largpamës, dhe se kishin të drejtë për masat e ndërmarra. Konkluzionin e tij madje ai e “shtyri” ta pohonte dhe vetë shefin e Fb, Mark Zuckerberg.
Më vjen mirë, sepse dhe unë vetë pata komentuar për këtë problem që në v. 2014 – “një “politikë” e tillë e gjigantëve internetikë në fakt është absurd i shek. XXI. Thjesht s’e kuptoj si është e mundur diç e tillë kur është fjala për “privacy” dhe të drejtat elementare të njeriut modern!? Nuk e kam të qartë si është e mundur që opinioni publik në EU dhe po ashtu në ShBA akoma “heshtin”! Por e di që s’duhet të jetë ashtu, ndoshta as nuk do jetë dhe aq gjatë. E di se ndryshime rrënjësore duhet të ndodhin lidhur me shumçka sa i përket “People’s Info Treasury” apo Public Data Banks… të qytetarëve” – pata shkruar atëherë, ndër të tjera.

Më vjen mirë që EU tashmë veç i ka bërë disa gjëra, për të cilat “qahesha” para disa vitesh (në komentin tim, të ngjashëm si ky sot).
Uroj që sa më parë dhe amerikanët t’i rregullojnë disa çështje të prapangelura. Kësaj radhe madje dhe vetë Zuckerberg, përveç që kërkonte falje i kërkonte Kongresit dhe “rregullore”! Ua kërkonte troç, me fjalë konkrete. Por dhe sytë e tij sikur thoshin, zotërinj më “rregulloni” disi, më ndihmoni… sepse vetë s’ia dal ndoshta, e vështirë t’i bësh ballë biz-tundimit, struktura globale dhe 2 miliardë përdorues ashtu-kështu janë tundim i madh!