Mozaiku “qesharak” i Evropës, përgjatë 2400 viteve!

S. Guraziu – Ars Poetica, P 2018

(sipas Universitetit të Amsterdamit (UvA) e ardhmja politike e Evropës është e paparashikueshme, kurrë s’ka qenë më e paparashikueshme)

Më 17 Prill 2018, Universiteti i Amsterdamit do të “merret” me temën e radhës “Challenging Society” (e 4-ta), kësaj radhe me titull “Callenging Europe – Duke sfiduar Evropën”. Në kuadër të promovimit (të sesionit në fjalë) UvA ka publikuar një diç… që unë do ta quaja “videographical time maping” : )
Vërtet pothuaj “qesharake” të shohësh sa JOSTABILE ishte politiko-grafia e kontinentit tonë përgjatë historisë.

Madje sipas UvA as sot e kësaj dite Evropa nuk është aq e “mirëdefinuar” për stabilitet afatgjatë politik, sepse ndarjet e brendshme (Lindje-Perëndim, Veri-Jug, populistët-anti-populistët…) bashkëveprojnë në mënyra të shumta me SFIDAT e jashtme (si psh. migracioni, Rusia, terrorizmi, Trump, Brexit…).

Sipas UvA e ardhmja politike e Evropës është e paparashikueshme, kurrë s’ka qenë më e paparashikueshme. Megjithatë, ndërveprimi midis NDARJEVE (ose kontradiktave) të brendshme dhe SFIDAVE të jashtme mund të krijojë një dinamikë të re zhvillimore… dhe se nuk duhet të jemi skajshmërisht skeptikë. Sipas UvA megjithatë mund të buzëqeshim, s’duhet të brengosemi aq.

Ama kur njeriu sheh këtë video-hartën e 24 shekujve… hm, zor t’i “besosh” sadopak optimizmit : )
“Motivin” për sesionin e radhës, UvA e shpjegon duke përmendur faktorë jashtëzakonisht të rëndësishëm politikë, si psh. Brexit, pastaj tensionin midis BE dhe shteteve anëtare (të tilla si Polonia, Hungaria), pastaj mundësinë e një bllokimi politik në Itali, po ashtu riorganizimin e aksit politik Franko-Gjerman. Shkurt, për BE priten kohë mjaft të “bujshme” politike.

Shtojani kësaj debatet e vazhdueshme për migracionin – thotë UvA, shtojani tregtinë dhe rolin e BE-së në çështjet tregtare, po ashtu dhe mjaft pikëpyetje për të cilat qytetarët dhe politikëbërësit evropianë e lodhin kokën e tyre… atëherë, dmth. e qartë!
Pa le pastaj nëse shohim këtë harto-dinamizmin evropian të 24 shekujve, do ta kemi akoma më të qartë!

Mua, ashtu pafajshëm, më shkrepi pyetja:
nëse dinamizmi gjeo-demo-politik evropian s’paska qenë kurrë stabil, apo tekefundit për 24 shekujt e “hartës”, atëherë si ta dimë që do të rehatohet pikërisht tani… vallë a nuk është shekulli 21 thjesht 1 shekull më shumë në një grumbull shekujsh, mbase me 24 +1 nuk bëhet mrekulli, bëhet thjesht 25 : )

[ Challenging Europe: Internal Divides and External Challenges – Scheduled sesion of UvA (Universiteit van Amsterdam) – Tuesday, 17 April, 19:30 ]