Ekspedita “Robinson”

S. Guraziu, 2010 (Skicë – bisedë me Kadarenë)

Ku të hodhi era Admiral, në cilin ishull vetmie? Mos e vri mendjen, një listë e gjatë çuditen si ty – e shohin çdo ditë, tashmë… “Ekspedita Robinson” në kutitë magjike montohet, me taste ujdiset nostalgjia, argëtim për adhuruesit e Kruzosë, kushedi ç’mund të jetë kjo shpikje, koridor sintetik modernizmi i veshur me latex, mbase për gjeneratat e reja… “video-lexim”, skenografi marramendëse, përtej imagjinatës, shih veloret digjitale, studio si ishuj komplet, deri në detaje… sipas skenarit, buxhet i pakufizuar padronësh – e këta si “playboys”, magnatë penash dhe zemrash, pronarë ishujsh real dhe aso prej germash, ndoshta kurrë një novelë lexuar, fare lehtë, pasuruar me tregti të librave të tu!

***
Në fund të spektaklit sikur ironizojnë, një milion ide nga një roman i vetëm, ndoshta dhe vetë Defoe do mahnitej, s’do ta kuptonte kurrë si Robinsoni i kalon një milion kurthe, i ndërron po aq maskash, madje dhe Robinat si Amazonat pjekin këpurdha, të “mbijetojnë” thurin kroshne, gjuajnë gaforre, mprehin kunja, secilën herë një dikush, vjelje e mjelje sezonale – pastaj ia japin çmimin “Robinson” para kamerave të “Premtit” çdo vit, buzëqeshin fare ëmbëlsisht, predikojnë për vlerat universale, i mbushin xhepat në plazh, aty gjoja në piknik të “kanibalëve” fals!

***
Natyrisht, krijuesit janë vetë burimi, vetë uji, vetë etja – të tjerët “kova” që bartin ujë, botues, tregtarë pompoziteti, me buzët e të eturve i vjelin frutat e gjenialitetit – çfarë desha të them është: mos u çudit as ti, nëse para teje dikush ta merr një Nobel-kopje, për “Gjeneralin…” tënd si video-game, tek i hapë gjithë varret e Ballkanit!