Shkencat e Da Vinçit dhe Profecitë (1)

S. Guraziu – Ars Poetica, Dhjetor 2016

“…aktiviteti intelektual, manuskriptet e tij janë dëshmi e punës së makinës më të fuqishme mendore që ka përfaqësuar ndonjëherë truri i njeriut” (E. McCurdy)

[1 – Pikat e Dyshimit ]

“Këtu lind dyshimi, i cili është: nëse përmbytja, e cila ndodhi në kohën e Noesë, ishte universale apo jo. Dhe duket se nuk ishte, për arsyet si vijon: Në Bibël e kemi që kjo përmbytje zgjati 40 ditë dhe 40 net nga shiu i pandërprerë dhe botëror, dhe se uji u ngrit për dhjetë kubitë* [ rreth 5 metra – shën. im, sg ] mbi malet më të larta të botës. Dhe në qoftë se shiu të ketë qenë botëror, dmth. uji do ta ketë mbuluar globin tonë, i cili është sferik si formë. Dhe kjo sipërfaqe sferike në çdo pjesë të saj ka të njëjtën largësi me qendrën e sferës; kështu që sfera ujore* duke qenë në të njëjtat kushte, është e pamundur që uji [ i përmbytjes – shën. im, sg ] të lëviz mbi të, sepse uji në vetvete nuk lëviz, përveç nëse pëson rënie; pra, si munden ujërat e një përmbytjeje të tillë të lëvizin, nëse e kemi të vërtetuar që nuk ka lëvizje? Dhe në qoftë se uji të jetë nisur disi, si mund të lëvizte përveç nëse të “ngjitej” lart? Këtu, pra, shkaqet natyrore janë mëse të nevojshme; për ta larguar këtë dyshim është e nevojshme thirrja e ndonjë mrekullie në ndihmë, ose ndryshe të thuhet se gjithë ky ujë të jetë avulluar nga nxehtësia e diellit.” – [ Leonardo da Vinçi ]

* kubit” – masë antike për gjatësinë, rreth 44 cm (kubit i shkurtër) dhe kubit i gjatë 52 cm
* sfera ujore” – siç e kam kuptuar unë, si duket për Da Vinçin ujërat e botës përbënin sferën ujore, sipas tij elementet “ndërfuteshin në njëri-tjetrin pa shkaktuar vakuum” (në këtë rast elementi “ujë” dhe ai “tokë”), pra sfera ujore dhe sfera tokësore ishin dy sfera elementesh të lidhura, dy masa sferike ndërfutur njëra në tjetrën…

***

Nga: “Miriadë yjesh e buzëqeshjesh”, 2015

“…giroskop që vërtitet sa andej sa këndej në 3-D nyjen aksiologjike dhe sikur ma mundëson të mrekullohem me një miriadë të paskajshme yjesh e buzëqeshjesh ideatike. Tre rrathë si aso “olimpikë”, ose akoma më mirë… jo olimpikë por aso “vitruvian” (vizatime 2-dimensionale të Da Vinçit), ujdisur tashmë me precizitetin giroskopik 3-dimensional brenda kupolës transparente…
Pse hoqa dorë nga rrathët e olimpikave dhe pëlqeva ata të Da Vinçit?
Jo për ndonjë arsye të kushediçfarëshme, por thjesht sa për ta përshëndetur këtë buzëqeshje tepër të veçantë. Buzëqeshje që u kthye në simbolin më të njohur të Renesansës, buzëqeshje që i ngërthen disa dimensione prej buzëqeshjesh… në një të vetme.
Në një skicë të vetme, si një mjeshtër i papërsëritshëm i buzëqeshjeve, Da Vinçi ia doli atëherë t’i kombinonte ose lidhte: filozofinë, matematikën, religjionin, arkitekturën, dhe + aftësitë e veta prej vizatuesi, dmth. dhe artin!”
[ S. Guraziu – Miriadë yjesh e buzëqeshjesh! – Ars Poetica, Janar 2015 ]

***

Në “Fletoret e Leonardo Da Vinçit“, edicion i v. 1955, vëllim prej 1250 faqesh, autori Edward McCurdy shkruan:

“…se si Da Vinçi ta ketë shpenzuar kohën e vet, kjo do jetë një enigmë, por ekzistenca e grumbullit të madh të vizatimeve, dhe sidomos të fletoreve, na flet mjaft. Të gjitha së bashku do kërkonin një vëllim prej rreth pesë mijë faqesh… Da Vinçi kërkoi për të vendosur unitetin thelbësor të strukturës së të gjitha qenieve të gjalla, tokën dhe organizmat me venët dhe arteriet, trupin e njeriut si tipologji e botës. Perceptimet e trurit të tij vështirë të frenoheshin nga prangat e kohës apo të hapësires (vendndodhjes)…”

“…Për këtë njeri, i cili i solli në jetë disa vepra të përkryera të artit si frymëzim hyjnor, mund të thuhet se të gjitha njohuritë i mori si interesim ose si specializime autodidaktive, dhe se me arritjen e tij individuale si askush tjetër ndonjëherë, në cilëndo periudhë të historisë së botës, da Vinçi simbolizon diversitetin e një epoke.
Për dikend që i ka studiuar për më shumë se një çerek shekulli pothuajse rregullisht këto manuskripte – produkt i kushedi sa mijëra orëve të aktivitetit intelektual (davinçian) – ato janë të dhënat e punës së makinës më të fuqishme mendore që ka përfaqësuar ndonjëherë truri i njeriut…
Cili mendimtar ka poseduar ndonjëherë vizionin kozmik në mënyrë kaq këmbëngulëse?…”

– – –

( Shkencat e Da Vinçit dhe Profecitë – Seri e aty-këtushme fragmentesh nga shkrimet e gjeniut Da Vinçi, kuriozitete e copëza interesante nga afro 50 kategori “interesash” gjatë jetës së tij; që nga artbërja, filozofia, shkencat optike, arkitekturale, të armatimit… pastaj nga gjeografia e “oqeanistikat”, nga astronomia e “lunatikat”, nga anatomia e “kirurgjikat”… e deri tek “Profecitë”, si kapitull shpesh i paqartë dhe mjaft mistik i dorëshkrimeve të tij – përgatiti S. Guraziu, 2016)