Realizmi Shkencor dhe Instrumentalizmi – Debati Shekullor!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sht 2022

(…vallë, kemi arsye të “dyshojmë” në vërtetësinë e gjykimeve shkencore, apo s’kemi si ta dimë – si për ironi, as vetë shkencëtarët s’e dinë, janë të “përçarë” madje dhe sot e kësaj dite, edhe 100 vjet pas Ajnshtajnit…)

***
Debatet rreth realizmit shkencor kanë të bëjnë me çështjen sa ka të drejtë njerëzimi të shpresojë ose të besojë se shkenca do ta “ngopë” realisht kureshtjen e njeriut lidhur me ç’është bota në të vërtetë?. Shkencëtarët realistë (në të cilën grupnajë bënte pjesë dhe Ajnshtajni) pohojnë se njerëzimi ka arsye të mira për t’besuar në parimet e shkencës. Sipas “realistëve” bota jonë është e saktë dhe e vërtetë, pikërisht siç na e “sqaron” shkenca. S’kemi ndonjë arsye të “dyshojmë” në vërtetësinë e gjykimeve shkencore.

Realistët shkencor priren të jenë optimistë – kuptohet, anti-realistët priren dhe bazohen në skepticizmin. Realistët thonë se duke patur parasysh parashikimet spektakolare, inxhinierike dhe sukseset “teorike” të teorive më të mira shkencore, do ishte pothuaj e “pakuptimtë” nëse ato t’mos ishin përafërsisht të sakta (të vërteta).
Mirëpo (shtrohet pyetja) si ta dimë realisht se vërtet është ashtu?

Gjithsesi, një shekull më herët Ajnshtajni dhe Realistët paten “humbur”. Fitimtarë do ishin Niels Bohr dhe Instrumentalistët e “filozofisë” shkencore. Që nga ajo kohë Instrumentalizmi është parë si normë, anise debati është vazhduar në mënyrë aktive për t’mos u ndalur as sot e kësaj dite.

***
Disa nga idetë intelektuale më sfiduese dhe njëkohësisht më të “avancuara” të fizikës moderne padyshim janë të ashtuquajturat “Materia + Energjia e Errët”, “Probabiliteti Kuantik”, “Dualiteti i Valë-Grimcave”, “Vetëdija Kuantike”, “Shpërthimi i Madh (Big Bang)”, “Parimi i Pasigurisë (së Heisenbergut)”, “Teoria e Unifikuar (e Fushave)”, “Gërshetimi Kuantik dhe Jo-lokaliteti”, “Teoria e Relativitetit”, “Vrimat e Zeza”, “Principet Antropike”, e edhe ndonjë diç tjetër e ngjashme.

Gjithsesi, duke ditur se shumçka e shkencës janë teorizime marramendëse, pastaj siç pohojnë Realistët (e filozofisë shkencore), duke u bazuar në sukseset “teorike” (më të mira) të teorive shkencore, atëherë si të orientohemi kur aq shumë gjëra nga materia e shkencës s’dihet nëse janë “teori të suksesshme” apo (herdokur) do të braktisen?!

Bie fjala si ta vërtetojmë “String-teorinë” ndonjëherë, si t’i vërtetojmë panumër dimensionet e saj (anise, nga 20 e kusur… string-istët tashmë i kanë reduktuar dimensionet në 10-11 sosh – por athua vallë pse i reduktuan!). Në çfarë të bazohemi se teorizimet e Hawking për të ashtuquajturat “vrimat e zeza” do jenë sukses i palëkundshëm? Ose përgjithësisht, vallë si ta dimë se do jenë të suksesshme grumbulli sa marramendja i “teorive” të shkencës moderne?

Në fakt, bota shkencore është ndarë në “dysh” si asnjëherë gjatë historisë, ka me dhjetra nobelistë që i mundon e njëjta skepsë. Sëfundi dhe vetë Dr. Stringu (Michio Kaku, njëri nga themeluesit dhe forca shtytëse prapa “String-Teorisë”) në librin me titull “Ekuacioni i Zotit” e pati shpalosur dhimbjen e vet.

Edhe në media e pati pranuar se e kanë një “armatë kritikësh”, se një LHC (Large Hadron Collider) më i madh nuk ofron asnjë garanci për të “dëshmuar” gjë (dmth. tani meqë shpenzimi i miliardave për LHC-n aktual, nuk doli i “mjaftueshëm”. Psh. Sabine Hossenfelder shumçka të teorive i pati hedhur posht, me “supersymmetry”, me “multiverse” e me “string”… varg e varg i pati quajtur “useless” (teorizime kot).

E prapë, megjithatë qarqet e caktuara të fizikës “teorike” kërkojnë të shpenzohen dhjetra e dhjetra miliarda të tjerë për një super-LHC, ndoshta 100km në diametër. Ai aktual (Cern) me diametër prej 30 km ishte pak, për dy dekada miliardat e taksapaguesve u dogjën në erë, për ta “zbuluar” një bozon hipotetik, një “grimcë” të pasigurisë… apo çfarë, pse na duhet tani një tjetër me 100km-diametër!

***
Në filozofinë e shkencës “Realizmi” është pikëpamja se vlera e koncepteve dhe e teorive shkencore nuk përcaktohet nëse ato janë fjalë për fjalë të vërteta, ose nëse në njëfarë kuptimi korrespondojnë me realitetin. Por vlera varet nga shkalla sa ndihmojnë ato për t’bërë parashikime të sakta empirike, ose për të zgjidhur probleme konceptuale.

Me fjalë të tjera, realizmi shkencor është pikëpamja që teoritë shkencore të konfirmuara janë afërsisht të vërteta. Shkencëtarët realistë pohojnë se ne kemi arsye të mira për t’besuar në parimet e tyre. Nëse bazohemi në parashikimet spektakolare dhe në sukseset “teorike” të teorive shkencore, do t’ishte pothuaj e “pakuptimtë” që ato t’mos ishin përafërsisht të sakta (te verteta).

Kjo linjë e natyrshme e mendimit e ka një bazë të respektuar në familjen mbarëbotërore të shkencëtarëve, megjithatë ka qenë subjekt i mosmarrëveshjes filozofike që nga fillimi i shkencës moderne.

Sipas Michael Liston (Univ. i Wisconsin-Milwaukee, ShBA), në vitet ’70 (dmth. të shek. që lamë pas) një formë veçanërisht e fortë e realizmit shkencor u mbrojt nga Putnam, Boyd dhe të tjerët. Sipas Liston “realizmi shkencor” i kësaj periudhe karakterizohet nga këto angazhime si vijon:

1. Shkenca synon të japë një llogari të vërtetë për botën
2. Ta pranosh një teori është të besosh se ajo është (afërsisht) e vërtetë
3. Ekziston një botë e caktuar e pavarur nga “mendorja” dhe një botë tjetër e pavarur nga “gjuhësorja”
4. Teoritë janë vërtet të vërteta (kur ato janë të vërteta), pjesërisht sepse konceptet e tyre “mbyllen” ose korrespondojnë me pronat e vërteta që mbështesin rrjedhshëm përdorimin e suksesshëm të koncepteve
5. Progresi i shkencës konvertohet asimptotikisht në një llogari të vërtetë.

***
Që nga v. 1912 çdo tre vite mblidhen fizikantët dhe kimistët më të shquar nga mbarë bota, dhe sipas agjendës aktuale-konferenciale diskutojnë për arritjet dhe problematikat e Fizikës dhe Kimisë, dy fusha këto jashtëzakonisht të gjera shkencore.

Rreth tubimeve për Fizikën, gjatë gjithë historisë ndoshta më interesantja ishte Konferenca e 5-të, me temën Elektronet dhe Fotonet, në Tetor të 1927. Fizikantët më të shquar të botës qenë takuar për të diskutuar rreth Teorisë Kuantike atëbotë të sapoformuluar. Figurat kryesore ishin Albert Einstein dhe Niels Bohr.

Atëbotë, shkencëtarët i mundonte misteri nëse elektronet, fotonet dhe entitete të ngjashme na ishin valë apo grimca.  Në disa eksperimente silleshin si valë (fotoni psh.), në tjerash eksperimente… na “shtireshin” si grimca. Niels Bohr do propozonte se “valët” janë entitete thërmijore joekzistente, përveç nëse të tentohej “vëzhgimi” i tyre. Sipas Bohr, akti i vëzhgimit e “shkaktonte” ekzistencën e tyre. Përndryshe të tilla entitete s’kishin realitet të pavarur në kuptimin e zakonshëm fizik.

Mirëpo sipas Ajnshtajnit elektroni ishte elektron, tani vetëm për shkak të “mosvëzhgimit” si të shpjegohej që elektroni sakaq na bëhet “joekzistent”! Për rreth 3 dekada tutje Bohr dhe ai do debatonin pa e lëshuar “perin”, në fakt, deri në vdekjen e Ajnshtajnit. Bohr e kishte vulosur sigurinë, “është e gabuar të mendosh se detyra e fizikës është zbulimi i ‘natyrës’ së vetë natyrës”! Ajnshtajni nuk pajtohej, sipas tij “qëllimi i vetëm i asaj që e quajmë shkencë është përcaktimi se ç’është natyra”!

Më vonë “pikëpamja” e Bohr do bëhej e njohur si “interpretimi i Kopenhagës” – ironikisht, sot pikëpamja më e “pranuar” e shkencës kuantike.

Dihet se Ajnshtajni kishte probleme me “Kuantikat”, sipas tij qasja kuantike ishte diç si “kundërshti fondamentale për shkencën moderne”. Në v. 1938 në një letër pati shkruar se (Teoria Kuantike) “në fushën inorganike tashmë veç është si qasje mashtruese. Në njëfarë mase është parim i dyfishtë, i cili më shumë i ngjanë shpjegimit sipërfaqësor primitiv dhe rrënjësisht i kundërvihet shkencës moderne”.

Pra kjo konferencë sikur do ishte kulmi i “luftës debatuese” mes Ajnshtajnit (së bashku me “realistët” e vet, të cilët i përkrahnin rregullat strikte të metodës shkencore të parashtruara nga Charles Peirce dhe Karl Popper), kundrejt Bohrit dhe “instrumentalistëve”, të cilët kërkonin rregulla më “elastike”, sipas tyre konkluzat duhej mbështetur në bazë të rezultateve.

***
Fotoja ngjitur – Pjesëmarrësit e Konferencës së Pestë të Solvay, 1927 – 29 pjesëmarrës, 17 prej të cilëve ishin ose u bënë fitues të Çmimit Nobel, përfshirë laureaten e dyfishtë Marie Curie, si e vetmja mes tyre që ka fituar Çmimet Nobel në dy disiplina të veçanta shkencore.

Auguste Piccard (1884-1962), Émile Henriot (1885-1961), Paul Ehrenfest (1880-1933), Édouard Herzen (1877-1936), Théophile de Donder (1872-1957), Erwin Schrödinger (1887-1961) [ Nobel, 1933 ], Jules-Émile Verschaffelt (1870-1955), Wolfgang Pauli (1900-1958) [ Nobel, 1945 ], Werner Heisenberg (1901-1976) [ Nobel, 1932 ], Ralph Fowler (1889-1944), Léon Brillouin (1889-1969), Peter Debye (1884-1966), Martin Knudsen (1871-1949), William Bragg (1890-1971) [ Nobel, 1915 ], Hendrik Kramers (1894-1952), Paul Dirac (1902-1984) [ Nobel, 1933 ], Arthur Compton (1892-1962) [ Nobel, 1927 ], Louis de Broglie (1892-1987) [ Nobel, 1929 ], Max Born (1882-1970) [ Nobel, 1954 ], Niels Bohr (1885-1962) [ Nobel, 1922 ], Irving Langmuir (1881-1957), Max Planck (1858-1947) [ Nobel, 1918 ], Marie Curie (1867-1934) [ Nobel, 1903, 1911 ], Hendrik Lorentz (1853-1928) [ Nobel, 1902 ], Albert Einstein (1879-1955) [ Nobel, 1921 ], Paul Langevin (1872-1946), Charles-Eugène Guye (1866-1942), Charles Wilson (1868-1959) [ Nobel, 1927 ], Owen Richardson (1879-1959) [ Nobel, 1928 ]