Konkluzioni paradoksal sokratik, si perlë e lashtësisë!

S. Guraziu – Ars Poetica, T 2015 – “unë di që asgjë nuk di” – paradoksi i mirënjohur antik 🙂

sa për veten, e gjitha çfarë di është që unë s’di gjë, sepse nëse nuk di ç’është drejtësia, atëherë vështirë ta di nëse kjo do ishte një lloj virtyti apo jo, dhe po ashtu nëse një person i cili e ka këtë (virtyt) të jetë i lumtur apo i palumtur” – pati shkruar Platoni, të ketë thënë Sokrati kështu, në “Republika”… dikur rreth 400 vjet p.e.s.

Kredituar nga Platoni, si rithënie, si “meritokraci” platonike, dhe përkundër mijëvjeçarëve asfare s’është “zbehur”, përkundrazi, sikur e ka ruajtur atë shkëlqimin e perlave të përjetshme nga deti i thellë i lashtësisë. Sipas meje asgjë s’ka ndryshuar lidhur me “konkluzionin” simpatik sokratik, as sot e kësaj dite, përkundrazi madje sikur është thelluar dhe më tepër ai “kuptimi bazik sokratik”.

Dhe kur dihet ndikimi i madh i “Republikes” platoniane, sikur rri mbi “supet” e tij vetë madhështia e gjigantëve (nanos gigantum humeris insidentes) !
Ngjashëm si ajo thënia “kreditore” njutniane; “nëse të kem parë më tej është sepse po qëndroja mbi supet e gjigantëve“. Derisa Njutni e kishte fjalën për të mëdhenjtë pararendës, për Galileon e Kopernikun, ky koncept megjithatë nuk është “origjinalitet” i Njutnit, mund të trasohet mbrapa në kohë deri në shekullin XII.

Metafora e xhuxhëve që qëndrojnë mbi supet e gjigantëve e shpreh kuptimin e “zbulimit të së vërtetës duke u mbështetur në zbulimet e mëparshme”. Mirëpo prapë, gjithçka mbase i ka rrënjët në analogjinë mitologjike greke, respektivisht gjiganti i verbër Orioni e mbante shërbëtorin e vet Cedalionin mbi supet që ai të “ishte sytë e tij”.

Si në planin historik si intelektualisht kjo vepër e Platonit është vërtetuar të jetë njëra nga veprat më me ndikim në botën e filozofisë dhe të teorizimit politik. S’ka asnjë dyshim për këtë “influencë”, në asnjë kulturë dhe në të gjitha sferat akademike të botës moderne.