Pierre-Narcisse Guérin – Fidra dhe Hipoliti, 1802

Pierre-Narcisse Guérin (1774-1833) – Fidra dhe Hipoliti, 1802

(sguraziu – ars poetica, korrik 2018)
Dashuria si “dënim”! – Në mitologji (anise jo gjithmonë 🙂 gjërat nuk ndodhin tek ashtu kot, “shkaku – pasoja” janë kushtimisht të lidhura. Dashuria e Fidrasë ndaj Hipolitit ishte diç si “dënim” për Hipolitin, sepse ky nuk e kishte “çuar në vend” dëshirën e Afërditës (perëndeshës së Dashurisë) që të dashurohej në të (dmth. në vetë Afërditën). Paçka se e bukur sa vetë Bukuria, paçka se vetë perëndeshë e Dashurisë (të gjitha fijet e “dashurisë” i mbante vetë në dorë, gjithë shigjetat e Amorit a të Kupidonit i përkuleshin vullnetit të saj), ja që ndonjë zemër djaloshare ngelet kryeneçe, nuk gjunjëzohet.

Afërdita ndjehej e fyer që Hipoliti nuk ndjente për të, por vazhdoi si ndjekës i devotshëm dhe virgjëror i Artemisës. Si dënim Afërdita e “bëri” Fidranë të dashurohet në Hipolitin – e cila pastaj, duke qenë e refuzuar dhe e fyer, do t’shpifte për Hipolitin… dhe tutje “refuzimin” ky do ta paguante me jetën e vet.

Duke qenë vetë perëndesha e Dashurisë, Adërdita shkaktare e vuajtjeve dhe e dhimbjeve (nëpërmjet Fidrasë, Afërdita e “realizon” hakmarrjen e vet), miti nuk është ndonjë “pasqyrim” i lavdishëm i femrës (i veseve joracionale, ego-istike femërore).

Edhe Hipoliti, edhe Teseu vuajnë për shkak të Fidrasë, sikur që dhimbjen e ndjen e vuan dhe ajo vetë. Fidra e shqetësuar nga refuzimi i Hipolitit, i “lojës së dashurisë”, synon ta shkatërrojë reputacionin e tij. Pra miti na flet se hakmarrja, siç besonin grekët e lashtë, sjell dhimbjen, vuajtjen e po ashtu sjell dhe tragjedinë. Vetëm Artemisën, në këtë rast, miti e portretizon si racionale e të arsyeshme, duke e përkrahur vërtetësinë, duke ia shpalosur të vërtetën Teseut.

Fidra (ose Fedra), “Shkëlqimtarja” – ishte motra e vogël e perëndeshës Ariadna (perëndesha e Pasionit – ekuivalenti hyjnor romak, Ariana), që të dyja ishin vajza të Minosit të Kretës (i cili vetë ishte i biri i Zeusit dhe i Europes (princeshës jashtëzakonisht të bukur fenikase në të cilën qe dashuruar madje dhe vetë Kryehyjnori i Olimpit, Zeusi, paçka se Europa s’ishte “hyjnore” por thjesht një krijesë vdekatare, tokësore – emrin e saj sot e mban dhe kontinenti ynë, Europa jonë e bukur, më bukuroshja nga gjithë kontinentet e akullnentet tjera 🙂

Karakteri dramaturgjik i Fidrasë na vjen nga Euripidi, dhe kishte një rol të rëndësishëm në tragjedinë e tij, “Hipoliti”, 428 p.e.s. Fidra është gjithashtu emri i një tragjedie të Senekasë (Seneka i Riu, filozof, shkrimtar dhe burrë shteti, intelektuali më i madh i Romës gjatë messhekullit të parë të erës sonë. Si senator Seneka qe vlerësuar për aftësitë oratorike. Ishte tutor dhe më vonë këshilltar i perandorit Nero. Dy herë i qe kërkuar të kryente vetëvrasje, nga dy perandorë, nga Kaligula dhe nga Nero. Si shkrimtar Seneka është i njohur për veprat e tij filozofike, dhe për dramat; tragjeditë).

Edhe pse e martuar me Teseun, Fidra ra në dashuri me Hipolitin (djalin e Teseut nga një grua tjetër – Hipoliti ishte ose i biri i mbretëreshës së Amazonave, Hipolita, ose i motrës së saj, Antiopa). Mirëpo Hipoliti e refuzoi atë. Nga inati, Fidra i shkroi Teseut një letër ku thoshte se Hipoliti e kishte dhunuar atë. Theseu i besoi gruas së vet (natyrisht) dhe e mallkoi Hipolitin me njërin nga tre mallkimet që i kishte marrë nga Poseidoni (kjo sipas Homerit). Si rezultat, kuajt e Hipolitit qenë frikësuar nga një përbindësh deti dhe e tërhoqën ashtu jashtë kontrollit, deri në vdekjen e tij.

Në një version tjetër, pasi Fidra i thotë Teseut se Hipolyti e kishte dhunuar, Teseu e vrau Hipolitin, dhe nga ndjenja e fajit Fidra pastaj bëri vetëvrasje, ajo s’kishte për qëllim që Hipoliti të vdiste. Më vonë të vërtetën lidhur me “gënjeshtrën” ose shpifjen e Fidrasë, Teseu e pati mësuar nga Artemisa.
Mirëpo sipas një versioni të 3-të, Fidra i thotë Teseut se Hipoliti e kishte dhunuar atë, ama nuk e pati vrarë veten, për vdekjen e Hipolitit qe kujdesur Dionisi, i cili e dërgoi një dem të egër për t’i tmerruar kuajt e Hipolitit.