Flamuri holandez “kokëposhtë” – pakujdesi e pafalshme!

sguraziu – ap, j 2023

(…flamujt me traka janë mjaft “kategorikë”, ka fort rëndësi si pozicionohen ngjyrat, bie fjala, nëse flamuri i Francës të rrotullohej “majtas” për 90 shkallë, aty për aty do bëhej “flamur i Holandës”…)

1 – sipas skenarit imagjinar
…imagjino, shkon Kryeministri i Kosovës për vizitë tek Kryeministri i Shqipërisë, dhe ky i fundit e fton të fotografohen për një foto zyrtare, aso që bëhen me flamujt mbrapa, hijeshuar me shkëlqim, me buzëqeshje e me lloj-lloj dritash, pothuaj hesape “rutineske”, asgjë e jashtëzakonshme, njësoj si dhe protokolaritetet, shampanjat e drekat – ama pastaj nga fotoja del në pah se flamuri i Kosovës na qenkësh varur “mbrapsht”, kokëposhtë, boooo e pafalshme…

…sidoqoftë ndryshe realiteti, sa i përket imagjinatës pata përshtypjen, përveç zhvendosjes së yjeve, “kokëposhtësia” kosovare nuk ndryshon dhe aq “punë”, për fat të mirë sfondi i flamurit kosovar ka qëlluar të jetë “uniformal”, dhe po ashtu fat i madh që harta e Kosovës e ngjashme si lart e si poshtë, rrotulloje kah të duash i bie pakashumë njësoj (diç si harta e Teksasit – disa harta thjesht janë me fat), e vetmja gjë që do ndryshonte “pozicion” do ishin yjet – sa për vizitën e Kryeministrit shqiptar në Kosovë, sa për dykrenaren kokëposhtë… s’guxova as ta marr me mend, natyrisht e paimagjinueshme, do ishte incident i pafalshëm : )

2 – sipas skenarit realistik
…këtë javë Kryeministri holandez Mark Rutte e vizitoi kryeministrin e Belgjikës Alexander De Croo, momente zyrtare të buzëqeshura, shtrëngim duarsh mes fqinjëve të Beneluksit, të gjithë e kishin vënë re “kokëposhtësinë” e flamurit, përveç atyre vetë, përveç z. Rutte dhe z. De Croo – kur është fjala për famurin holandez traka e kuqe duhet lart… assesi ndryshe, pasi flamujt me traka janë mjaft “kategorikë”, ka fort rëndësi si pozicionohen ngjyrat, bi fjala nëse flamuri i Francës aksidentalisht të rrotullohej “majtas” për 90 shkallë, aty për aty do bëhej “flamur i Holandës”, booo katastrofa vetë, gjysma e Belgjikës do turbullohej, e gjithë Valonia do trazohej mozomokeq…

…më vonë, televizioni belg për këtë incident konkludon : “nuk është hera e parë që belgët ngatërrohen me flamurin holandez”, pra dhe një herë tjetër qeveria belge (gjatë një eventi zyrtar) e kishte varur flamurin holandez “kokëposhtë” – përmbyllja televizive do ishte e shkurtër, me fjalën “e turpshme”…

…në rregull, bukur që belgët e pranojnë se flamuri kokëposhtë është moskujdes “i turpshëm”, ama për holandezët është më shumë sesa vetëm “turp”, të tilla incidente mund t’kenë madje dhe “efekte” politike, pasi flamuri kokëposhtë është diç si “simbol” (jozyrtar) i protestave të bujqëve holandezë kundër “politikave të pakënaqshme” të qeverisë – në rregull, s’e beson kush se belgët e kishin këtë qëllim (gjoja solidarizimin me bujqit e pakënaqur të Holandës) ama pakujdesia me flamurin tutje nuk falet (sepse për herë të 2-të), falet të gabosh 1 herë, nuk falen 2 herë, e sidomos e treta e vërteta, nëse ndodhë dhe 1 herë, absolutisht e pafalshme : )