11 Shkurti, Dita Ndërkombëtare e Vajzave dhe Grave të Shkencës

(sguraziu – ars poetica, shk 23)

Siç e nënvizon dhe OKB-ja, bota duhet ta njohë rolin e femrave të shkencës, jo vetëm si përfituese, por dhe si bartëse, si kontributore të ndryshimit progresiv. Për nder të vajzave dhe grave të shkencave thashë “Urime Ditën…”, uroj të ndodhin sa më shumë Nobela e Nobeliste (nëse krahasohen statistikat e meshkujve, do pikëllohemi që s’janë aspak të lavdërueshme, 7-8 Nobela për vete, vetëm 1 Nobel ua lënë femrave, krijohet përshtypja se do ngelin përgjithmonë statistika “egostatike”).

Aktualisht në CERN vetëm 21.9% e personelit të punësuar janë femra. Gjithsesi, objektivi aspirativ me “25% femra shkencëtare” synohet që t’përmbushet deri në fund të v. 2025. Aspiratë aq e bukur, apo jo, u lumtë aspiratave të CERN, dhe sot (11 Shkurti) është pra Dita e tyre, Dita e Femrave të Shkencës.
Datë e rëndësishme për CERN-in dhe për komunitetin shkencor në përgjithësi. Siç dihet ky komunitet s’është i vogël, sot e gjithë bota merret “ngapak” me shkencat. Njëfarëlloj dallimi mbase është se në CERN merren me çështje të mëdha, madje dhe aso “përtej” shkencës.

Falë hulumtimeve të atyshme sot psh. e gëzojmë Web-in, i shfletojmë faqet internetike, nisim emaila etj. etj. Ose padyshim ju kujtohet se para 1 dekade pikërisht aty e zbuluan bozonin e Higgs, atë “grimcën e Zotit”. I cili bozon gjithçkaje të materies universale ia “jep masën”, pa bozonin e Higgs asnjë grimcë s’do kishte masë. Anise, dhe aq të “sigurtë” akoma s’janë as shkencëtarët, ama ishte zbulim aq i madh, sepse pothuaj gjithçka të shkencës e mban “kompakte”, falë këtij bozoni fantomik ai Modeli Standard nuk shkapërderdhet.

Aty në CERN merren me shumçka serioze të shkencës, merren dhe me “materien e errët”, me “anti-materien”, me “energjinë e errët”, me “asimetrinë e materies-antimateries”, me eksperimente rretherrotull “big-bangut”, me “vrimat e zeza” etj. etj., panumër hulumtime, eksperimente, kërkime e eksplorime ndodhin në CERN.
Shkencëtarët thonë se Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave të Shkencës, 11 Shkurti është një mundësi për t’u kujtuar (për t’mos harruar) se nevojiten përpjekje të mëtejshme për ta siguruar barazinë gjinore në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM – science, technology, engineering, mathematics).
Karriera në fushat e STEM është e arritshme dhe për vajzat, njësoj sikur dhe për djemtë, ky është mesazhi themelor që ata duan ta përcjellin nëpër shkollat. Pikërisht kjo dhe pati qenë arsyeja pse CERN në v. 2017 do ta fillonte programin “Gratë dhe Vajzat në Shkencë e Teknologji”.

***
CERN është Organizata Evropiane për Kërkime Bërthamore, është laboratori kryesor i botës shkencore për fizikën e grimcave (apo fizikën thërmijore, si duhet thënë). Selia është në Gjenevë. Aktualisht shtetet anëtare të CERN janë: Austria, Belgjika, Holanda, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Bullgaria, Izraeli, Italia, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Spanja, Suedia, Zvicra, Republika Çeke dhe Mbretëria e Bashkuar. Rumania është kandidate për anëtarësim, Serbia është anëtare e asociuar në fazën paraprake të anëtarësimit. Ndërsa India, Japonia, Federata Ruse, ShBA, Turqia, Komisioni Evropian dhe UNESCO e kanë statusin e vëzhguesit.

[ i përgatita ca kartolina me buzëqeshjet e avancuara të shkencave (kuptohet, duke i përdorur fotot e CERN, meqë vetë s’i kam fotografuar, s’kam as kamerë madje : ) ]