Historia “presidenciale” e Kosovës!

(sg – ap, prill 2019 – koment, diç si shkokëlim i ironisë, infografikë me ndihmën e Wiki_EN – teksti teresisht i lidhur me grafiken)

Jo të gjithë i shohin gjërat “njësoj”, dhe as jo të gjithë mendojnë “njësoj”. Fat i madh që është kështu. Nëse t’mendonim të gjithë “njësoj”, do ishim pakashumë ngjashëm siç ishte dikur solo-partia e xhaxhi-hoxhës. Jo pra, s’duhet menduar “njësoj”, ama faktet historike duhet interpretuar njësoj, dhe duhet kuptuar ato drejt. Sipas meje, s’mund të aspirosh për ide të “reja” nëse ora historike t’ka ngelur mbrapa, apo dhe më keq… nëse t’ka ngecur fare.

Një lajm i freskët thoshte se Pacolli do na flitka rreth “Integrimit të Kosovës në EU”, dmth. në cilësinë e “Shefit të Punëve të Jashtme”. Bukur shumë, u kujtova që Pacolli është biznismen fort i zoti, biznis-shef fort i pasur, politikolog “zviceran”, e ka Partinë e vet dhe s’ka lidhje me “Dinastinë Hashimiste”. Ishte madje dhe ish-President… padyshim i njeh mirë “Punët e Jashtme” (sëpaku për “kosovarët” i njeh mjaftueshëm, përndryshe s’do ta kishin zgjedhur)!

Pra ra Behxhet Pacolli (emrin e të cilit, sa i përket gjuhësisë Shqip, s’di pse anglezët e shkruajnë “gabim”, Behgjet) dhe më “interesoi historia presidenciale”. Sepse më pëlqejnë kronikat dhe kohëlinjat e historisë. Kohëlinjat sikur ma përkujtojnë madhështinë e “historisë amerikane të presidentëve” e cila është njëra nga historitë më simpatike të botës. Siç e dimë fillon me Washington-in, si Presidenti i Parë me 1 dhëmb (President Një-dhëmbaxhiu), dhe sot për sot historia “përmbyllet” me Trump-in.

Wikipedia thoshte se Jakup Krasniqi paska qenë “Aktor-President”, dmth. padyshim aludohet diç ngjashëm si aktorë filmash. Bie fjala ishte dhe Harrison Ford “President” i ShBA në një film, e kam parë vetë (filmin dmth). Jakupit madje dhe nr. i qenkësh tejkaluar në Wiki, siç tejkalohet “kati 13” në ashensorët : )

Ndërsa Pacolli paska qenë thjesht “Gabo-President, diç si President Gabimi”. Dmth. i bie që asnjëri prej tyre s’ishte President, ose nëse na ishin, ishin sa per sy e faqe, jo më “legjitimë” sesa unë tani që s’jam President).
Si për inat shihen vetem yjet, Dykrenarja as dikur as tani, nuk figuron askurr-kund. Ironia vetë (thuase ironi e zverdhur nga yjet), bien në sy aq shuuuuumë yje, flamuri i “komunistëve” e kishte 1 yll të vetëm (paçka se mjaft yll i madh), flamuri i kosovarëve të Evropës tani 6 yje…

[ Presidentët e “Presidencës”, dhe ata të Republikës… ]

Nëse eventualisht s’e keni ditur (Wiki thoshte se) para Fadil Hoxhës “President i Komitetit…” paska qenë Mehmed Hoxha, anise paska shërbyer shkurt. S’e dija këtë detaj, ose padyshim duhet ta kem harruar. Po ashtu paskam harruar që në v. 1953 “Partia Komuniste” qenka riemëruar “Lidhja Komuniste”.

Tani për tani, bazuar në infografikën e Wikipedia, më vjen inat që “historia komuniste” aq e gjatë. Aq shumë presidentë, lloj-lloj yjesh e marionetash. Kjo shumësia e komunizmit sikur ma prishi imazhin e “kohëlinjës presidenciale të Republikës”

Wikipedia (anglisht) Kosovën e “sqaron” kështu:
Republika e Kosovës (e njohur nga 112 shtete anëtare të KB) – Që nga shpallja e Pavarësisë së vet nga Serbia, më 17 Shkurt 2008, njohja ndërkombëtare e Kosovës ishte e “përzier”, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të jetë e përçarë lidhur me çështjen… (referohu ne grafiken e ngjitur)