SG – Princip Antropik i Çoroditur

PRINCIP ANTROPIK I ÇORODITUR
SG – 2006

(…jo se qentë janë të “privilegjuar” por thjesht s’i kapë ligji, për ta s’vlejnë canis-gjykatat)

Hansi, ai syreshi i parkut të Gracit
në shëtitje me qenin e tij Leci, ndaloi
shikoi rreth e rrotull me naze, u kërrus
futi dorën në xhep me zhdërvjelltësi
gjeti-kapi një qese plastike speciale
me markën “low density polyethylene”
shtrëngoi hundën, e mbështolli k**lecin
dhe e hodhi në shportën e gjelbërt

tinëzisht, pas lisit të trashë të parkut
tutorët e tij, kritikët… ia bënë një X

Hansi, ai në parkun e madh të Bazelit
bëri të njëjtën, pa asnjë grimasë
nuk i lëvizi asnjë muskul i fytyrës
e përkëdhelte qenushin Genci, kurrizit
madje (kuptohet) ia mbante bishtin

këtij s’ia bënë asnjë X, s’kishte tutorë
pati parapaguar për 300 X-a në muaj

Hans Amsterdami, një rebel kryeneç
s’dëgjonte, as pesë pare s’i jepte…
i shkelte në ecje, pastaj kah rrotullohej
kundërmimi kishte pllakosur çdo skutë
njerëzit me maska të bardha, “tyrlifare”
çmendur, ngjashëm si rrugëve të Tokios
për t’u shpëtuar gazrave, smogut, erës

e Hansi s’çante kokën, pinte Heineken
s’kishte asnjë X, as që ëndërronte

Autoritetet, ambientalistët… të tërbuar
do t’ia punojnë, do ta padisin, dënojnë
me pretekst: po t’ishin qentë dinosaurë
njerëzit do t’duhej të vishnin skafandër
të mobilizoheshin, të bëheshin një –
gjer në Hansin e mbramë, të fundit
lindur fiks në 12.00, 1 sek pas mesnate
dhe të zhbironin-përbironin mijëra
eurotunele, high-speed kanale
tej-përtej, mes-për-mes, nëpër k**leca
nëpër terrenin e çuditshëm, dinosarios

…o Zot, në planetin e rrezikuar nga qentë
për të cilët s’vlejnë canis-gjykatat, e tash
padrejtësisht do duhet ta paguajë Hansi.

*
Vërejtje: autori s’mban përgjegjësinë nëse censura në vendin tuaj për këtë poezi t’jetë akoma në fuqi! Nëse është, atëherë ju këshillojmë që ta lexoni vetëm titullin.
2006