Eskpertët e gënjeshtrave, dhe pinokiot e politikes!

(sguraziu, 2019 – koment, pak humor)

Kjo grafika (ngjitur) qenka e bazuar në ekspertizat e Dr. Lillian Glass, e cila ekspertizë rishtas e bazuar në mësimet e saj ndër vite e vite nga “gënjeshtrat e politikanëve”. Dr. Lillian Glass dikur paska punuar madje dhe për FBI (shih pra… për t’i zbuluar gënjeshtrat e politikanëve duhen top-ekspertë, përndryshe FBI s’do ta kishte punësuar : )

Para disa viteve Dr. Glass e paska publikuar librin “Gjuha Trupore e Gënjeshtarëve”, i paska sqaruar aty dmth. karakteristikat kryesore të rrencave. I paska hedhur në dritë me vese e me gjeste, i paska studiuar me Pinokio e me Pinokiolina.

Vetë ende s’e kam lexuar librin, anise për “gjuhën trupore” të politikanëve nganjëherë më bëhet sikur di mjaft, tepër madje. Dhe vetëm duke i parë gjestikulacionet e tyre në TV më bëhet sikur s’është nevoja ta hapin as gojën. Nuk pretendoj ndonjë titull as gradë, s’është nevoja por secilin vit e më tepër ekspertiza thuase duke u “thelluar”, çdo ditë e më shumë ndjehem si eskpert për “pinokiot e politikes”.

Edhe para librit të Dr. Glass, edhe paralelisht me librin e saj, kishte dhe ka plot teoricienë që thonë se politikanët, 100% pa përjashtime, janë gënjeshtarë. “Teoritë” e tilla ndoshta janë vërtetuar dhe shkencërisht (vetë pakëz i prapangelur me ndjekjen e këtyre shkencave, librin e Dr. Glass tek më duhet ta lexoj, por si supozim shkollarët mbase i dinë të gjitha detajet).

Sidoqoftë, më ngushëllon fakti që “ne të tjerët” (dmth. jo-politikanët) sëpaku NUK jemi të gjithë gënjeshtarë. Mbase s’jemi as ne engjëj, por desha t’them jemi laaaaarg politikanëve, s’ka si krahasohet “nata dhe dita”, mes nesh sëpaku ka të sinqertë. Një % e konsiderueshme jemi të sinqertë, apo jo, pra ka dallim : )