Yjet s’e kanë për turp të duken xixëllonja!

(sguraziu – ap, j 2014)

Yjet s’e kanë për turp të duken xixëllonja, por dhe xixëllonjat e kanë për nder të duken si yjet” – aq kuptimplotë slogani i punës ose motoja që përdoret nga redaksia e gazetës “Rrënjët”. Moto e bukur, sikur dhe vetë nisja e gazetës, e bukur si nismë. Secila sofër kulturore është diç e bukur, dhe secili përfillim e justifikon veten për vështirësitë. Por ne prore synojmë për më mirë, për bukurinë e tutjeshme, për vazhdimin e bukurisë. Jo vetëm për faktin se gazetat bartin përgjegjësi të madhe kulturore.

Ajnshtajni merrej me gravitetin, me optikat, me “kohë-hapësirën”, e me të tilla mendje-lodhjesh shkencore të fizikës. Mirëpo nëse (i frymëzuar nga motoja e yjeve dhe xixëllonjave) ta kishte komentuar nisjen e gazetës “Rrënjët”, padyshim do kishte shkruar diç si vijon: xixëllonjat e kanë për nder të duken “yje dhe yllkash”, por duke qenë jashtë dimensionit kohor yjeve kurrë s’u bëhet vonë, xixëllimat e tyre janë dhe do të jenë të sinqerta.

Përndryshe ndoshta Dielli ynë (si një yll krenar që është) do ishte mërzitur qëmoti. Akoma pa ndodhur mrekullia e “jetës”, ende pa u sferizuar planeti, do kishte pëlcitur nga marazi (dmth. para lindjes së njerëzimit, meqë diellit i takojnë të gjitha meritat)! Kështu që patjetër dhe ai do jetë gëzuar për nismën e “Rrënjët”. Tjetër se nganjëherë yjet shtiren të largët, gjoja s’i shohin as yjet dhe as xixëllonjat e gazetave : )

Shumçka e kësaj bote, në mos gjithçka e universit, ballafaqohet me vështirësitë e fillimeve, e edhe vetë yjet. Madje nismat yjore janë të vështira dhe totalisht kaotike, sa i përket “kaotikes fillimore” yjet janë mos pyet. Aq e vështirë të niset një yll, sa ne as idenë e vetë idesë s’e kemi. Yjet duhet ta kenë patur vështirë derisa qenë konsoliduar si yje, pastaj e lehtë për ta. Por ne i dimë ca gjëra që duhet t’i dimë. Psh. e dimë që “yjet nuk turpërohen nëse duken xixëllonja”, as në fillim dhe as në mbarim të nismave tona kulturore.

Në fund, pas mbarimit të komentit, Ajnshtajni do buzëqeshte, do e ndizte llullën e vet, ose do i qasej violinës… diç kështu.

***
“Yjet nuk e kanë për turp të duken xixëllonja…”, me këtë moto, me këtë “filozofi” pune që në hyrje (në kreun e gazetës) lexuesit i sugjerohet diç si një drejtpeshim. Sidoqoftë, teoritë tona pothuaj gjithmonë u paraprijnë bëmave. Teoritë u paraprijnë madje dhe shkencave, teoritë janë diç si “definicione” në letër, të gatshme për bëmat e mirëfillta. Patjetër se duhet provuar të ruhet drejtpeshimi, duhet ruajtur ekuilibri i xixëllimave të yjeve gazetaresk dhe i xixëllonjave.

E sidomos gazetat që synojnë t’u falin dritë mëngjeseve të qenies (mbarë)kombëtare, “rrënjët” e ushqejnë trungun dhe kurorën e gazetës me mineralet e kripërat nga të gjitha trojet etnike dhe nga diaspora anembanë rruzullit!
Xixëllonjat gjithmonë më “afër” do i kemi sesa yjet. Mirëpo le ta imagjinojmë një qiell tjetërfare, qëllimisht diç si ilustrim surreal; sikur njëra nga hemisferat na verbon me dritash të forta yllkash e yjesh, secili më “polaris” se tjetri, secili më xixulush se tjetri, ndërsa hemisfera tjetër si plaf i pllakosur në errësirën e vet, me xixëllonjash imcake të kalamendura, të panumërta sa vetë yjet.

Për syrin tonë, xixëllimat e largëta yjore mund të “mbulohen” me një xixëllonjë. Por s’duhet harruar, xixëllimat yjore janë buzëqeshje diejsh – në fakt yjet janë yje vetëm për neve që jemi larg : )
Reduktimi në emër të drejpeshimit qiellor s’duhet të përjashtohet, dmth. nëse eventualisht t’mos kemi mjaftueshëm materie atëherë më mirë 3 numra të “drejtpeshuar” sesa 9 sosh që rëndojnë në “bisht”. Le t’mos harrojmë se një qiell i ngulfatur me xixash e grimcash të fishekzjarreve qebesa na i fsheh buzëqeshjet e yjeve atje në sfond.

E lehtë të shkruajmë, e lehtë të shpikim ide, e lehtë të teorizojmë se “Thoti Fliste Shqip”… mund t’i shpikim një milion e një hipotezash, por gjithçka do duhej mbështetur në bazamentin modern shkencor. Në shek. XXI asgjë s’na e siguron një pathos gazetaresk më të denjë sesa njohuritë shkencore dhe faktet. Mjaft me përhumbje, me fiullima dritëshkurtëra fishekzjarresh e me glorifikimesh. Qielli metaforik i gazetarisë, qielli ynë surreal do ishte larg për të qenë qiell yjor, përveç se qiell xixëllonjash.