Muzeu i së Ardhmes (Museum of the Future), Dubai, EBA

(s.guraziu – ars poetica, pr 23)

Paraardhësit i mbjellin pemët, pasardhësit e gëzojnë hijen“.

Vitin e kaluar (Shkurt 2022) qe inauguruar Muzeu i së Ardhmes në Dubai (Emiratet e Bashkuara Arabe). Sipas të dhënave nga faqja zyrtare, “kodra e gjelbër” e përfaqëson tokën (në fakt është bazament prej 3-katesh), ndërtesa në formën e torusit e përfaqëson aftësinë e njerëzimit për inovacione, zbraztësia në qendër të strukturës e përfaqëson të panjohurën. Qe projektuar nga arkitektët Killa Design dhe Buro Happold, muzeu është 77 m i lartë, i ka 5 kate ekspozuese, dhe ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 30.548 m2.

Fasada e ndërtesës së famshme është e “gdhendur” me citate në formën e kaligrafisë arabe, janë përdorur tri thënie të sheikut, M.T. Mohammed bin Rashid Al Maktoum (Nën-President dhe Kryeministër i EBA).
1 – “E ardhmja u përket atyre që mund ta imagjinojnë, ta dizajnojnë dhe ta ekzekutojnë. Nuk është diç që e prisni, por që e krijoni“.
2 – “Sekreti i rinovimit për korporatat, për evoluimin e qytetërimeve dhe për zhvillimin e njerëzimit është i thjeshtë: inovacioni
3 – “Ne s’mund të jetojmë për qindra vjet, por ato që krijojmë mund t’mbesin trashëgimi për shumë kohë pasi t’jemi larguar

Investim i madh, patjetër se ndërtesë unike, muze spektakolar, një vit vizitash, dhe sipas vizitorëve vetëm ana arkitekturale është impresive. Vizita ia vlen sa për ta parë ndërtesën, dmth. një vizitë dhe aq. Në faqet e “trip advisor” pjesa më e madhe e vizitorëve pothuaj e kanë etiketuar “muze për fëmijët”, do ta sugjeronin vetëm për fëmijët dhe adoleshentët.

Objektin e bukur, të shtrenjtë dhe mjaft kompleks si dizajn, zyrtarët e muzeut e quajnë “Ndërtesa më e Bukur në Tokë”. Nga aspekti arkitektural padyshim se kanë të drejtë, tekefundit është ndërtesë aq ikonike. Sa për misionin “muzeal” thuhet se muzeu e eksploron potencialin dhe mundësitë e njerëzimit për të ardhmen.

Sidoqoftë (meqë vetë s’e kam vizituar) në “Trip Advisor – Attraction Review”, pothuaj të gjitha komentet thoshin se ndërtesa e bukur… por aq, të tjerat thjesht hiper-zhurmë mediatike, bujë reklamatike! Nëse 100 komente do bënin 100%, atëherë 80 a 90% prej tyre ishin aso komente “zhgënjimi”.

[ ngjitur disa kartolina rreth “Museum of the Future”, dhe si shtojcë diç si “shoshitje” e pakënaqësisë rreth anës përmbajtësore të muzeut – filtëruar nga disa komente të vizitorëve në faqet e “Trip Advisor” ]

– – –
Dobët, jo në përputhje me standardet. Mund të jetë mirë për fëmijët, por ka shumë opsione më t’mira në Dubai.
– – –
Ndërtesa nga jashtë e bukur, brenda vetëm humbje parash për biletën. Ndërtesa mbresëlënëse dhe futuriste. Por, kur paguani një biletë dhe hyni brenda, s’ka absolutisht asgjë të veçantë. Në fakt, është vizitë aq e mërzitshme, s’ka ndonjë gjë realisht interesante.
– – –
“Muzeu…” është reklamuar jashtëzakonisht shumë, që nga kur filloi ndërtimi. Ndërtesë e bukur nga jashtë, por pa përmbajtje brenda. Ka gjëra shumë më t’mira për t’bërë në Dubai. Arkitektura e ndërtesës është e shkëlqyer pa dyshim, por i mungon përmbajtja.
– – –
Asgjë e veçantë – humbje kohe. Pas aq shumë zhurmë, asgjë e veçantë, humbje parash dhe kohe. Arkitekturë e bukur, por i mungon përmbajtja brenda. Kisha pritshmëri të madhe por asgjë, përveç disa prezantimeve.
– – –
Struktura e jashtme e muzeut është mbresëlënëse në dizajn. Por muzeu s’është interesantë për “vizionin e së ardhmes”. Do ta sugjeroja vetëm për fëmijët dhe adoleshentët. Prisnim diç më shumë. Mos i shpenzoni paratë. Është humbje parash dhe kohe.
– – –
Ndërtesë e shkëlqyer, origjinale, ide e mirë për ta bërë një muze për të ardhmen, por zhgënjim rreth përmbajtjes. Për teknologjitë e së ardhmes, mund t’u kishin kërkuar markave të mëdha koncepte inovative, asgjë s’kishte aty! Vizita ia vlen për ta parë ndërtesën, por aq!
– – –
Arkitekturë e shkëlqyer por mjafton një vizitë. Ndërtesë spektakolare, ndërtesë vërtet mahnitëse, por zhgënjim i madh, humbje parash dhe kohe!
– – –
Ndërtesa e bukur dhe futuriste, fatkeqësisht aspekti i sajuar i saj tenton të mbipeshojë shkencën. Argëtim për fëmijët nën 10 vjeç me siguri, por thjesht budallallëk për ne të tjerët. Nëse nuk ka përmirësim të dukshëm, nuk do ta vizitoj më.
– – –
Arkitekturë dhe dizajn i shkëlqyer, por vetëm kopje e dobët e asaj që është bërë në një nivel shumë më të lartë në perëndim. Nëse keni fëmijë deri në 10 vjeç, muzeu ka një kënd lojrash për ta.
– – –
Vizitë shumë zhgënjyese! E bukur nga jashtë, ndërtesë e bukur, por aq. Nëse keni fëmijë, ata do t’i shijojnë trampolinat etj. Nuk do ta vizitoja rishtas, edhe nëse t’ishte pothuaj falas.
– – –