Dy herë “Bugatti” – Dizajni, Krijimi, Ekzotizmi dhe Çmimi i “Prestigjit”!

S. Guraziu – Ars Poetica, G 2018 – Koment

(…sot e kemi dhe versionin e “shkencës së Hollivudit” – nëse i përziejmë bukur shkencën reale, fanta-shkencën, efektet speciale, mashtrimet optike dhe imagjinatën, voila… do ta kemi “fanta-shkencën hollivudeske” për t’i “bindur” fansat. Duke e shpenzuar një buxhet prej disa qindra miliona dollarë, natyrisht imagjinatat mund të “përzihen” mjaft bukur, sidomos vizuelisht : )

 

Në dizajn mëtohet që “Forma duhet ta ndjek Funksionin”, kjo mençuri i atribuohet arkitektit amerikan Louis Sullivan. Forma-Funksioni është një parim i lidhur me arkitekturën dhe dizajnin industrial në përgjithësi, të fundshekullit XIX dhe fillimshek. XX – nënkupton që forma e një ndërtese a objekti duhet të lidhet kryesisht me funksionin ose me qëllimin e synuar.

Sot filozofia e Sullivan pakashumë merret si “standard” i dizajnit industrial. Kjo filozofi kreative sikur mishërohet qartë në formën e cilësdo makinë “Bugatti”, pasi cilado prej tyre është pothuaj “intimiduese” (frikësuese), sikur i ngjanë një luani të mbledhur krusp dhe i gatshëm për t’u vërsulur. E dimë, përfundi “formës” fiber-karbonike, nën lëkurën e bukurisë dhe të elegancës është e ngjeshur një fuqi e madhe teknologjike. Thua se mbërthyer në skeletoidin prej titaniumi, nën kapakun… rri fshehur vetë zemra luaneske. Nëse zgjedhim Bugatti Veyron (Mansory Vivere) do t’na kushtojë 3.4 milionë $, nëse zgjedhim Bugatti Chiron do jetë vetëm 2.7 milionë $ 🙂

Por është “okay” mahnitja jonë, ashtu-kështu 10 markat e veturave më të shtrenjta në botë sot janë 2 milionë $ e më shtrenjtë. Bugatti Chiron si automobil (me çmimin 2.7 mil. $) është i 10-i (i fundit). Top-lista e “10-shes” vazhdon duke e arritur “kulmin” e shtrenjtësisë prej 13 milionë $ (aq thuhet se kushton Rolls Royce Sweptail).

Sot marka prestigjioze “Bugatti” është pronë e Volkswagen Group, mirëpo qe themeluar dikur nga Ettore Bugatti (1881-1947), i biri i Carlo Bugatti-t (1856-1940), njëri ndër dizajnerët më të shquar në kuadër të rrymës artistike “Art Nouveau”.
Dizajni i Carlo Bugatti karakterizohej nga format me elemente dekorative të shumta dhe të pazakonta, ishte një lloj ekzotizmi i frymëzuar nga Orienti, nga elemente të epokës gotike, nga elemente të artit islamik, të artit afrikan e të Lindjes së Largët. Në fakt, “ikja” e Bugatti nga e zakonshmja industriale në dizajn, mua më duket si “ikje” unike ose skajshmërisht e veçantë. Nuk ishte vetëm “hibridizim” i përkryer “orient-oksident”, vetëm dyzim i elementeve ekzotike, por se ç’ka një veçanësi pothuaj “alienike”, pakashumë ngjashëm si elementet arkitekturale të Antoni Gaudi (bie fjala kujtohu për mrekullinë “Sagrada Familia” në Barcelonë).

***
Në filmin “Alien – Covenant” (2017) regjisori i mirënjohur i Hollivudit, Ridley Scott e pati përdorur një ulëse ose fron dizajnuar në v. 1905 nga Carlo Bugatti. Që në skenën hyrëse të filmit, në një interier futuristik pothuaj të zhveshur ose të pangarkuar me detaje, Scott e përdor një ulëse të C. Bugatti, skulpturën “Davidi” (të Mikelanxhelos), pikturën “Lindja e Krishtit” (të Piero della Francesca), një tavolinë të vogël prej xhami (dizajnuar nga Eileen Gray), dhe një piano “Steinway”.

Të gjitha gjësendet e përdorura nga Scott janë shembuj të dalluar në fushat e artit dhe dizajnit. Pse i duhej regjisorit Scott pikërisht një përzgjedhje e tillë gjësendesh? Kritikët mendojnë se përveç dimensionit futuristik dhe argëtues që filmi i tij synon t’i arrijë, ka dhe thellësi filozofike të “fshehur” brenda. Ata thonë se Scott e shqyrton një koncept më të thellë – kreativitetin, krijimin. Epo, arti është “krijim”, kritikët e dinë që duke pohuar kështu, atëherë nuk janë dhe aq “larg” vërtetësisë : )

Çështja thelbësore dhe tematika se “kush e ka krijuar njeriun” siduket nuk ishte interesante vetëm për religjionin. Të gjitha interpretimet sipas religjioneve të botës (qofshin dhe me qindra sosh si versione) janë vetëm 1-ri version. Sot ka dhe 1 version modern më tepër, sot e kemi dhe versionin e “shkencës së Hollivudit”. Nëse i përziejmë bukur, sa më bukur që t’jetë e mundur shkencën reale, fanta-shkencën, efektet speciale, mashtrimet optike dhe imagjinatën, voila… do ta kemi “fanta-shkencën hollivudeske” për t’i “bindur” fansat. Duke e shpenzuar një buxhet prej disa qindra miliona dollarë, natyrisht imagjinatat mund të “përzihen” mjaft bukur, sidomos vizuelisht : )

Ridley Scott me dy filmat e tij “Prometheus” (2012) dhe “Alien – Covenant”(2017) na e thotë se kushdo që t’na ketë “krijuar” neve si specie, sot duke e patur imagjinatën, veglat shkencore, teknologjinë, forcën shtytëse të krijimit (kreativitetin), buxhetin marramendës të industrisë fimike etj. ne gjithmonë do ta sfidojmë vetveten (duke i shtruar pyetje vetes): “mirë, Zoti na paska krijuar neve, Zoti ishte krijuesi ynë – por atëherë kush ishte krijuesi i krijuesit, kush e paska krijuar pra vetë Zotin, krijuesin tonë?”.

Thuase pikërisht këtë pyetje duke e vërtitur Scott me filmat e vet. Mbase sipas Sott e gjithë problematika e “krijimit” (të njeriut) ngelet një rreth i mbyllur, është thjesht një lloj cikli intrigues, ja që e vështirë të shuhet kureshtja apo etja për të vërtetën. Mirëpo në fund të fundit pse… kush na qenka Ridley Scott (Ridley kushi)? Ai mund t’jetë shumë i zoti në shpenzimin e buxheteve astronomike të Hollivudit, askush si ai s’di ta shfrytëzojë Hollivudin për ta “ndihmuar” ekonominë britanike, madje dhe vetë mbretëresha ia pati shprehur “mirënjohjen”.

Por dhe ai vetë e di se intriga në frymën e imagjinatës së Hollivudit (në frymën e pikëpyetjeve të tij rreth krijimit të njeriut) është njësoj si përpjekja t’i japësh përgjigje paradoksit filozofik “pula apo veza… vallë cila na ishte e para”? : )