Arti, Historia, Mitologjia – Ndërlidhje dhe (Pa)Saktësi!

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2016

Henryk Siemiradzki (1843-1902):
Dirka e krishterë në cirkun e Nerosë, 1898
Pishtarët e Nerosë (Të krishterët si shandanë), 1876

“Dirka e krishterë në cirkun e Nerosë”, 1898, është një pikturë e artistit ruso-polak Henryk Siemiradzki. Artisti e paraqet një grua të krishterë, duke referuar figurativisht në mënyrën e vrasjes së grave të krishtera nga perandori romak Nero, si ri-futje në fuqi e mitit të Dirkasë. Sipas mitologjisë greke, Dirka qe ekzekutuar nga Amfioni dhe Zetusi, duke ia lidhur flokët për brirët e një demi të egërsuar. Si shkas për komentin tim shërbeu piktura e Siemiradzki, dhe e cila pikturë artistikisht lidhet me ekzekutimin e Amfionit dhe Zetusit të mitologjisë, dhe pra për këtë të fundit do mundohem ta “shkapuris” sadopak mitologjinë, t’i them disa fjalë, si formë vështrimi.

Edhe piktura “Pishtarët e Nerosë (Të krishterët si shandanë)”, e punuar nga artisti dy-tre herë (gjatë 1876-77), e rrah të njëjtën temë, ekzekutimin e të krishterëve nga perandori Nero (sipas të gjitha gjasave, pas zjarrit të Romës të v. 64, të cilin zjarr nga disa historianë dyshohet ta ketë “shkaktuar” vetë Nero).

Perandori Nero njihet si perandori i parë romak që pati kryer vetëvrasje. Ai sundoi për 14 vjet, pikërisht në prag të mijëvjeçarit të parë (pas zerosë imagjinare), në vitet 54-68. Sundimi i tij është i “lidhur” shpesh me tirani dhe me qeverisje të keqe ekonomike, ose shpenzime të tepruara. Edhe pse disa historianë të sotëm e vënë në dyshim besueshmërinë e burimeve të lashta rreth akteve tiranike të Perandorit Nero, megjithatë ai është i njohur për shumë ekzekutime, duke përfshirë (si spekulim) dhe atë të vetë nënës së tij, Agripina.

Nëna e tij ishte gruaja e katërt e perandorit Klaudius të cilin, po ashtu mjaft burime thonë se, e pati helmuar gruaja e vet, Agripina (pra nëna e Nerosë). Mirëpo as helmimi i perandorit Klaudius nga Agripina, as helmimi i kësaj të fundit nga djali i saj Nero, nuk merren si të konfirmuara me dëshmi e fakte historiografike – në burimet trajtohen më shumë si spekulime.

Mjaft kronistë të hershëm të krishterë, por dhe jo të krishterë, e përshkruajnë Perandorin Nero si torturues dhe ekzekutues të të krishterëve. Ndokush nga autorët ndjekjen dhe persekutimin e të krishterëve e lidhnin me zjarrin e Romës, të v. 64. Ndokush tjetër me “supersticionin e ri dhe të djallëzuar”, krishterimin. Ndonjë tjetër autor fliste për “hebrenjtë që e trazonin Romën me religjionin e ri” dhe që të cilët perandori Nero i pati dëbuar nga Roma – e këta të dëbuar “hebrenjtë” mund të ketë qenë të krishterët e hershëm.
Mirëpo gjithandej thuhet se shkrimet e tilla të kronistëve nuk janë të qarta, historianët modernë janë mjaft “skeptikë”.

***
Të flasësh për gjërat rreth mitologjive ashtu-kështu është e vështirë – nën dritën e dëshmive “historike” aktualisht në dispozicion, vërtet s’mund të “kurorëzohen” të dhënat e mitologjisë me saktësi nga askush, mitet janë mite… Gjithsesi, nga mitologjia greke e dimë pakashumë kështu:

Themeluesi dhe mbreti i parë i Tebës ishte Kadmusi, sipas të cilit qyteti qe quajtur Kadmeia, e më vonë Teba. Kadmusi për grekët ishte “heroi” i parë, trim mbi trimat. Qe përmendur nga Herodi për sjelljen e alfabetit fenikas (phoinikeia grammata), dhe grekët e patën përshtatur për ta formuar alfabetin e tyre. Herodi vlerësonte se Kadmusi jetoi rreth viteve 2000 pes.

Kadmusi (ose Kadmosi) ishte një princ fenikas, djalë i mbretit Agenor dhe i mbretëreshës Telefasa të Tiros (Libani i sotëm). Ishte vëllai i Europes (emrin e së cilës e mbanë kontineti ynë), si dhe vëllai i Feniksit dhe i Siliksit. Kadmusi u dërgua nga prindërit e tij për ta kërkuar motrën e vet Europen dhe për ta kthyer rishtas në Tiro, pasi ajo qe rrëmbyer nga Zeusi. Europa, pra motra e e Kadmusit, si princeshë e re qe rrëmbyer nga Zeusi dhe sjellur në Kretë. Në mitologji thuhet se Zeusi (i dashuruar) e pati mashtruar Europen duke marrë formën e një demi të bardhë, dhe nga ai… Europa pastaj do ishte nëna e Minotaurit, Radamantosit dhe Sarpedonit.
Ndërsa dihet, Zeusi ishte vërtet “mashtruesi” më i madh i të gjitha kohërave, sa e sa princeshat, sa e sa nimfat, sa e sa gratë e martuara dhe të lumtura, sa e sa bukuroshet i pati mashtruar… padyshim as vetë mitologjia nuk e “di” saktë : )

Kadmusi qe martuar me Harmoninë, vajza e Aresit dhe e Afërditës (kjo sipas njërit version). Harmonia pra ishte e bija e Aresit (Perëndisë së Luftës) dhe Afërditës (Perëndeshës së Dashurisë); por sipas një versioni tjetër Harmonia ishte e bija e vetë Zeus Kryezotit dhe e Elektrasë (gruasë së Korintit, përndryshe njëra nga shtatë vajzat e Atlasit dhe Plejonesë). Versione të “mitologjisë greke” na thonë se Elektra gjithashtu qe “mashtruar” nga Zeusi dhe nga lidhja me të pati ardhur në jetë Dardanusi.

Por pra – si sqarim – jo vetëm Dardanusi, sipas “thashethemeve mitologjike” edhe Harmonia ishte frut dashurie i aventurave të Zeusit dhe Elektrasë.
Sipas një legjende tjetër nga kazani mitologjik, fjala është për të njëjtën Elektra e cila konsiderohej “Plejada e humbur”, duke u zhdukur në pikëllimin e madh pas shkatërrimit të Trojës. E njëjta Elektra nga Ovidi qe quajtur “Atlantis”.

Sidoqoftë le t’i kthehemi dhe për pak Kadmusit. Më vonë disa prej perëndive e patën ndëshkuar Kadmusin (sepse ky e pati vrarë drangoin e shenjtë) me dënimin për të jetuar pjesën tjetër të jetës si një gjarpër. Harmonia e donte burrin e vet aq shumë sa s’mund të jetonte pa të, ajo u kërkoi perëndive për ta kthyer dhe atë në një gjarpër, në mënyrë që t’mund të ishin së bashku. Perënditë ia plotësuan dëshirën.

Kadmusi pra e themeloi qytetin grek të Tebës, anise qyteti qe emëruar fillimisht Kadmeia për nder të tij. Më pastaj qyteti u bë i njohur si Teba gjatë sundimit të Amfionit dhe Zetusit, dhe qe emëruar “Teba” sipas gruas së këtij të fundit, Zetusit (prapë, thuhet se Teba, gruaja e Zetusit, qe “shoqëruar” gjithashtu me Zeusin). Vajza me emrin Teba, pra gruaja e Zetusit, ishte bija e Azopit dhe Metopesë.
Vetë Amfioni dhe Zetusi ishin bijtë e Zeusit, rishtas fruta të “dashurisë zeusiane” me bukuroshen Antiopa, aventura këto derisa Antiopa ishte ende në Kadmeia (Tebën e mëvonshme); çunat patën lindur në fshehtësi nga bota dhe qenë rritur nga barinjtë diku në male.

Në kohën e rinisë së Amfionit dhe Zetusit, mbret dhe sundues i Kadmeia (Tebës) ishte Likusi. Antiopa, sipas Homerit ishte bija e perëndisë së lumenjëve, Azopit. Sipas burimeve të tjera, ishte vajzë e mbretit Niktus të Tebës, ose ndoshta bija e dikujt tjetër… e Likurgut. Mirëpo, veç e kemi thënë: e qartë, mitet janë mite… : ) Rëndësi ka që mitologjia e “vërteton” se Antiopa ndodhej në Kadmeia (Tebë), dhe mbreti Likus së bashku me gruan e tij Dirkanë e patën trajtuar shumë keq, madje dhe e patën burgosur. Ajo duhet të jetë arratisur disi dhe i pati kërkuar dy djemtë e vet, Amfionin dhe Zetusin. Pas ribashkimit të dhimbshëm me nënën e tyre, trimat Amfioni dhe Zetusi e pushtuan Tebën, e vranë mbretin Likus dhe gruan e tij Dirka. Sipas mitologjisë, Dirka qe ekzekutuar nga ta, duke ia lidhur flokët për brirët e një demi të egërsuar. “Demi i Dirkasë” është përmendur dhe nga Plini, në “Historia e Natyrës”.

Pra duke qenë djem të Zeusit, natyrisht që Amfioni dhe Zetusi ishin dhe trima, u hakmorën për nënën e tyre, e morën pushtetin dhe sunduan si mbretër “duo” të Tebës.
Gruaja e Amfionit ishte Najoba, e bija e Tantalit – ky po ashtu bir i Zeusit 🙂 Tantali neve lexuesve sot, gjithmonë na “dhimbset” pakëz, ngjashëm si Prometeu e të tjerë, sepse qe dënuar përjetësisht në humnerën e Tartarosit, në burgun e titanëve… burg i tmerrshëm që nga koha e Kronosit, diku akoma më thellë se Hadesi – sipas Platonit Tartari ishte vendi ku shpirtrat gjykoheshin pas vdekjes dhe ku shpirtrat e ligë e merrnin dënimin hyjnor.

Amfioni pati qenë dhe mjaft i pafat, pasi i pati humbur të gjithë fëmijët. Ai dhe Najoba i kishin shtatë djem dhe shtatë vajza. Për fat të keq Najoba na ishte një grua mendjemadhe, dhe mitologjia thotë që e pati zemëruar në kulm perëndeshën Artemisa, e cila me ndihmën e vëllait Apollonit, i vrau të gjithë fëmijët e saj. Tragjedi jashtëzakonisht e rëndë, sepse Amfioni dhe vëllai i tij Zetusi e patën zgjeruar qytetin e Kadmusit, të ashtuquajtur Kadmeja, e patën emëruar sipas emrit të gruasë së Zetusit, Teba dhe i patën ndërtuar shtatë portat e Tebës. Ndërsa të shtatë portat qenë emëruar sipas emrave të shtatë vajzave të Amfionit (Klorisa, Tera, Astinoma, Astikratia, Kiasa, Gigia, Kleodoksa). Nga dhimbja e papërballueshme, pas vdekjes së fëmijëve të dashur, Amfioni qe vetëvrarë.

Zetusi, vëllai i Amfionit, qe nderuar pra duke u emëruar qyteti sipas emrit të gruas së tij, por ai dhe Teba, për dallim nga Amfioni dhe Najoba e patën vetëm një fëmijë, një djalë të vetëm, i cili po ashtu qe vrarë, dhe Zetusi thjesht pati dhënë shpirt zemërthyer.

Gjithsesi, Teba si emër mund t’na ngatërrohet aq lehtë, pasi përmendet disa herë në mitologjinë greke, dhe nuk lidhet me emrin e një femre të vetme por me disa sosh. Thuhet se, sëpaku tri herë, me emrat e tyre Teba janë emëruar qytete të ndryshme. Pra nga “thashethemet mitologjike” na është e njohur Teba, gruaja e Zetusit, që sapo folëm më lart, bija e Azopit dhe Metopesë; na shfaqet po ashtu “Teba” tjetër, vajzë e Prometeut (edhe kjo përmendet si eponim i mundshëm); tutje na shfaqet një tjetër “Teba” – vajzë e Zeusit dhe e Idamesë; tutje na shfaqet “Teba” – vajzë e Zeusit dhe e Megaklitesë, tutje na shfaqet “Teba” e radhës – kjo tashmë vajzë e Siliksit dhe e [? – mitologjia ende s’e di], tutje na shfaqet “Teba” (eponim i Tebës së Egjiptit) – thuhet se kjo mund të ketë qenë vajza e Nilusit, ose e Proteusit, ose mitologjia “argumenton” ndoshta e Epafusit, ose ndoshta e Libisë (njëra duhet të jetë – versione të ndryshme thonë se dhe kjo Teba qe “shoqëruar” me Zeusin dhe se ishte nëna e Egjiptit).
Dhe mbase kaq, na mbarojnë Tebat por jo, na shfaqet dhe Teba në bregdetin Adriatik (që sot quhet Tivat, dmth. rishtas eponim). Për këtë të fundit, kështu mendon autori Rubin Zemon në artikullin “Historia e Egjiptianëve të Ballkanit” (publikuar në faqen zyrtare të Council of Europe – projekt i financuar dhe menaxhuar nga Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës).

***
Mendohej se vdekjen e Dirkasë mitologjike e paraqiste dhe një skulpturë e madhe greke prej mermeri e shek. I, si kopje romake e shek. II, e gjetur në shek. XVI (skulptura ndodhet në Muzeun Arkeologjik Kombëtar në Napoli). Mirëpo sipas ekspertëve, skulptura në fjalë megjithatë është rikrijuar sipas temës së spektakleve në arenat romake, lidhur me persekutimin e të krishterëve, ngjashëm si dhe pikturat e artistit Siemiradzki.

– – –

Bashkëngjitur pikturat e Henryk Siemiradzki (1843-1902):
Dirka e krishterë në cirkun e Nerosë, 1898
Pishtarët e Nerosë (Të krishterët si shandanë), 1876