Muzeu i Versajës, muzeum epigonik për gjithë lavditë e Francës

(s. guraziu – ars poetica, sht 23 – me rastin e 400-vjetorit, për nder të 4 shekujve të Pallatit të Versajës 1623-2023, koment me ndonjë kokërr gazmore aty-këtu : )

[ ngjitur: “Salla e Pasqyrave”, Pallati i Versajës, 2010 ]

Le t’ia fillojmë, jo si përrallë historianësh por duke thënë se dikur në një kohë Franca “gjysmën e Amerikës” ia dhuroi Amerikës! Le t’jetë dhe vetë titulli ky, pse jo. Pasi e vërtetë kjo, aso e madhe, e vërtetë madhështore. Për Amerikën e vërtetë më e madhe sesa blerja e Alaskës nga Perandori i Rusisë, më e madhe se blerja e Panama-Kanalit nga Panamaja, më e madhe se blerja e “tokave të Meksikos” nga Meksikoja, më e madhe se blerja e Floridave nga Spanja etj. etj. Fjala ishte për gjysmën e Amerikës – varet vetëm si historianëve u pëlqen ta “interpretojnë” historinë. Mirëpo s’është përrallë, dhurata pati ndodhur realisht, në v. 1803, ishte diç si bujari e paimagjinueshme e Napoleonit.

Ishte donacioni më i madh që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit, dhurata më e madhe. Askush s’e di me siguri pse kjo dhuratë e historisë… Mjaft e çuditshme, sikur dhe po ashtu askush s’e di me siguri pse francezët i duan amerikanët aq shumë. Janë aq larg, një Atlantik larg, dhe aq të dashur… Franca i do. Ndërsa vëllezërit e tyre anglezët (në Britani) fare në prag francezët s’i donë, për t’mos thënë i “urrejnë” (anise dhe kjo e vërtetë). Vërtet e çuditshme, kuptohet se vlen dhe anasjellëza, dashuria është diç si përqafimet, si bumerangu, as anglezët s’ngelin mbrapa me dashurinë ndaj francezëve!

Askush s’e di saktë pse një “urrejtje-dashuri” e tillë midis franko-inglezëve, e megjithatë të gjithë mund ta “ndiejnë”. Psh. ju mbushet mendja dhe shkoni ta shihni Luvrin në Paris, ose vendosni ta vizitoni pallatin mbretëror-presidencial në Versajë. Pikërisht këtu duhet kujdes, s’është vetëm çështje nderi, nëse s’di të thuash “merci”, “au revoir”, “bonjour” (ndonjë këso fjale të vockël) atëherë më mirë mos thuaj gjë. Më mirë hesht totalisht. Më mirë pretendo se ke ngelur pa fjalë, shtiru se ta kanë prerë gjuhën piratët e Tasmanisë, o diç të tillë. Assesi mos guxo të thuash “thank you”, në asnjë mënyrë… të flasësh anglisht.

Dhe imagjino, ia dhuron Amerikës “gjysmën e Amerikës”, e prapë sikur të gjithë e mbajnë mend dhuratën e “Lirisë”, statujën Liberty, askush s’e kujton donacionin “Luiziana”. S’e mohon kush, qëndron dhe fakti historik se për ta festuar fundin e Revolucionit Amerikan, për ta festuar Lirinë, për ta festuar Pavarësinë nga zgjedha britanike, populli francez ia dhuroi Amerikës dikur atë Statujën e Lirisë. Dhe pati kushtuar, s’ishte aq e lirë as statuja, si Franca njësoj dhe Amerika patën hequr duke mbledhur para, me mjaft vështirësi i mblodhën donacionet publike për mbarimin e statujës.

Sidoqoftë, krahasuar me dhuratën “Luiziana”, statuja ishte vetëm një dhuratë simbolike, e vogël fare, në emër të dashurisë, në emër të impenjimit të përbashkët luftarak kundër Britanisë. Duhet mbajtur në mendje ose parasysh që Luigjat (në fr. Louis), sëpaku 4 mbretërit e Dinastisë Bourbon të Francës, kanë “të bëjnë” diç me Luizianën, me emrin : )

Mendoj se historianët mund ta thonë fare lehtësisht, pikërisht ajo dhuratë (gjoja shitja e Luizianës, në v. 1803) ishte njëra nga shumë lavditë franceze gjatë historisë. Sepse vërtet dhurata ndihmoi për ta bërë, ose e bëri Amerikën të madhe…
Dhuratës franceze do i rikthehemi pakëz më poshtë. Fillimisht ca fjalë rreth përvjetorit, rreth 400-vjetorit të Versajës.

Sivjet, në v. 2023, Pallati i Versajës e feston 400-vjetorin e vet. Për nder të këtij përvjetori të jashtëzakonshëm, muzeu i Versajës e ndërmori një rinovim të plotë të Galerisë së Historisë (në kuadër të vetin), dhe rihapja e dyerve për publikun qe planifikuar të bëhej në Shtator 2023.
Megjithë turbulencat historike, pavarësisht trazirave politike Pallati i Versajës “mbeti një simbol i fuqishëm politik” – qenkan shprehur zyrtarët në faqen zyrtare të pallatit. Dhe vërtet, për rezidencën madhështore të mbretërve, kryekëput si simbol i monarkisë, Revolucioni Francez ishte një lloj “pikë-kthese” e pakthyeshme. Që nga Revolucioni pallati do zbrazej nga mobiljet dhe sikur do “zhvishej” nga shkëlqimi e madhështia. Në v. 1837 Luigj-Filipi vendosi dhe e shndërroi në muze, dedikim muzeal për historinë, “dedikuar të gjitha lavdive të Francës”. Që nga impenjimet e Luigj-Filipit dhe deri sot e kësaj dite, shuma të mëdha parash janë shpenzuar për riblerjen, për rikthimin e mobiljeve, gjësendeve, artefakteve shitur gjatë viteve, që nga Revolucioni.

***
Gjithçka pati nisur 400 vjet më parë, në v. 1623 ndërtesa ishte një shtëpi e thjeshtë gjuetie. Në v. 1661 Luigji XIV filloi me ndërtimin e pallatit për t’u bërë përfundimisht siç e njohim sot. Thuhet se në kulmin e ndërmarrjes, rreth 36000 njerëz ishin të përfshirë në ndërtimin. Do kishte mjaft sfida, e sidomos sfida rreth ujit që nevojitej për fontanat e kopshteve, problem ky i cili s’qe “zgjidhur” kurrë mirëfilli. Projektet ambicioze patën kushtuar shumë, e edhe jetë njerëzish. Nga 1623 deri në fund të Monarkisë Franceze do jetonin aty 4 mbretër-Luigja, Luigji XIII, Luigji XIV, Luigji XV dhe Luigji XVI. Thuhet se në kulmin e madhështisë rreth 4000 oborrtarë jetonin në pallat, dhe 2700 oborrtarë të tjerë jetonin në ndërtesat ndihmëse rrotull krye-pallatit. Nga 4 mbret-Luigjat, Luigji XIV e mban rekordin për mbretërimin më të gjatë, do rrinte jo më pak por 72 vjet në fron.

Sot, pas Kullës së Eifel (si mrekulli kjo e llojit të vet) Pallati i Versajës është atraksioni më popullarizuar i Francës. Me afro 10-15 milionë vizitorë çdo vit, është njëra nga “pikat” historike më të vizituara në botë. Në rregull, por pse mrekullirat franceze sikur patjetër i çmendin vizitorët e botës, jo vetëm Eifelat joshës por dhe Luvrat, edhe Mona-Lizat, edhe Versajat… gjithçka. Pse aq tërheqës, aq atraktiv ky pallat, pse me miliona vizita, secilin vit, vit pas viti?

Epo, ndoshta sepse ish-rezidenca mbretërore vërtet është madhështore, super-madhështore. Para shekujsh, Luigji XIV ia doli ta impresiononte botën, desh i la pa mend delegacionet e historisë, me secilën vizitë çmendurim origjinal, më origjinalisht se askush tjetër. Asnjë mbret tjetër i historisë, asnjë mbretëri s’mund të krenohej për “pallat madhështor” siç ishte ky i tij. Asnjë mbret s’kishte parë kopshte, fontana, pallate dhe aq shumë vepra arti “ngjeshur” në një vend.

Joshja e vizitorëve, tërheqja, ndoshta sepse pallati rrethohet nga 787 hektarë dhe i mirëpret vizitorët për t’i admiruar dhomat luksoze, koleksionin e artit dhe kopshtet e mrekullueshme. Ndoshta sepse, psh. vetëm Grand Trianon (gjoja si “shtojcë” madhështore) i ka 535 dhoma. Duke mos i përmendur 2300 dhomat e Krye-Pallatit, as 158 dhomat e Petit Trianon. Ndoshta sepse, që nga v. 1979 Pallati i Versajës është renditur si Trashëgimi Botërore dhe është një nga arritjet më të mëdha të artit francez gjatë shek. XVII. Ndoshta sepse vetë pallati, si një vepër arti mbresëlënëse në “vete”, ka një sipërfaqe prej 64.110 m2 mbuluar me më shumë se 2 hektarë çati. Ndoshta sepse nën këtë çati 2-hektarëshe koleksionet e pallatit përbëjnë 84.069 vepra arti gjithsej.

Pallati i tërheqë vizitorët… ndoshta sepse për arsye të 400 viteve të historisë së pasur dhe marramendëse. Jo vetëm historia e Evropës por dhe ajo e Amerikës kanë qenë ose ishin gjithmonë pjesë e pandarë e “historisë” së Versajës. Ishte nga Pallati i Versajës që Luigji XVI dërgoi fonde dhe ushtarë (udhëhequr nga gjenerali Lafayete) për ta ndihmuar Amerikën rreth fitorës së Pavarësisë së vet. Ishte pikërisht Pallati i Versajës që më pas e priti Ambasadorin e parë të Amerikës, Franklinin. Ishte në Versajë ku “Urdhri i Cincinnati” qe themeluar për oficerët e luftës revolucionare, për oficerët që luftuan krah për krah me gjeneralin Uashington.
Në shek. XIX, kur mbreti Luigj-Filipi e ktheu Pallatin në muze, dy nga galeritë muzeale ai i quajti “Les Salles de L’Indépendance Américaine” (Sallat e Pavarësisë Amerikane).

Siç e dimë nga historia, Revolucioni Amerikan 1775-83 ishte një kryengritje me të cilën 13 nga kolonitë britanike të Verio-Amerikës e fituan pavarësinë politike dhe vazhduan me themelimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bukur kjo, pavarësia amerikane e qartë kristal, mirëpo si ia dolën, pse fituan amerikanët, vallë na qenë dobësuar aq shumë britanikët, apo gjeneralët e tyre na ishin kthyer tashmë në ca strategë të dobët?
Rreth shpjegimit të suksesit të revolucionarëve amerikanë shkollarët e kanë vënë në dukje se britanikët kurrë s’e patën ndonjë strategji komplete, as të përgjithshme, për t’i mundur ata. Po ashtu, insistojnë – s’u takon faji vetëm gabimeve britanike, s’ishin vetëm ata fajtorë për suksesin e revolucionarëve të përtej-oqeanit. Shkollarët s’e mohojnë që Uashingtoni, si prijatari i madh me 1 dhëmb (Gjeneral Një-dhëmbaxhiu) e mësoi ngadalë por mjaft mirë artin e “gjeneralitetit ushtarak”. Askush s’i vë në dyshim meritat e tij si lider ushtarak e si gjeneral – thonë ata.
Mirëpo dhe vetë shkollarët britanikë (rreth humbjes britanike) sikur “justifikohen” se ishin furnizimet dhe fondet nga Franca, nga v. 1776 deri 1778 ishin faktori kyç, ndihma e madhe dhe e paçmueshme, ndihma franceze ishte fati i revolucionarëve. E sidomos për ta shkaktuar dështimin britanik, mbështetja ushtarake dhe detare franceze pas v. 1778 ishte thelbësore. Andaj dhe fitorja amerikane, “rezultati” i luftës së tyre rezultoi në sukses falë kombinimit të gabimeve britanike, falë përpjekjeve amerikane dhe falë ndihmës franceze.

Dmth. hyrja e Francës në luftë atëbotë, e ndjekur nga hyrja e Spanjës në v. 1779, dhe e Holandës në v. 1780, do shkaktonte ndryshime të rëndësishme në aspektin detar të luftës britanike-amerikane. S’është se spanjollët dhe holandezët na ishin aq aktivë, por roli i tyre në mbajtjen e forcave detare britanike “lidhur” në portet e Evropës ishte aq i rëndësishëm – thonë shkollarët.

Në fakt, Britania sakaq ishte ballafaquar me një rrezik real. Jo vetëm që duhej përballur me “kryengritjen” amerikane atje përtej oqeanit, jo vetëm që duhej t’i mbante Francën dhe Spanjën larg brigjeve të veta, por të ngratës Britani tashmë i qe imponuar dhe frika e sulmimit, frika e pushtimit franko-spanjoll. Flotat e kombinuara të Francës dhe të Spanjës tashmë veç e “komandonin” La Manshin e ngushtë. Situata qe përkeqësuar fort, pothuaj sikur ushtria franceze e priste momentin e favorshëm për t’ia filluar me ngarkim-zbarkimet. Sidoqoftë, paranoja britanike për flotillat franko-spanjolle do ngelej e pabazë. Do ishin stuhitë, moti i lig, sëmundjet e ekuipazheve të Spanjës dhe të Francës, por dhe ndryshimet e planeve që i dhanë fund kërcënim-paranojës rreth “pushtimit”.

Dhe rishtas, siç e dimë nga historia, zyrtarisht Paqja e Parisit në v. 1783 do i jepte fund Luftës Amerikane për Pavarësi. Britania e Madhe njohu pavarësinë e ShBA. Po ashtu ia dorëzoi Spanjës territorin e Floridasë. Në atë kohë rritja territoriale amerikane do ishte aq e madhe, si diç “e paimagjinueshme”, për më pak se 50 vjet, kufiri perëndimor i ShBA do zhvendosej nga lumi Misisipi tutje andej larg në perëndim, deri në Oqeanin Paqësor. Duke filluar me blerjen e territorit Luiziana nga Napoleoni (lexo: dhuratën), dhe duke përfunduar me territoret e fituara nga Meksikoja (në Luftën Meksiko-Amerikane).

Mirëpo fati amerikan ka akoma më shumë ëmbëlsi (nëse lexuesi ynë eventual të ketë vullnet dhe kohë : ) Patjetër që ka dhe tjera “pika historike” të ëmbëlsisë franko-amerikane. Normale që formimi i perandorive, fitimi i revolucioneve, fitimi i betejave, fitimi ose humbja e luftrave… gjëra të tilla të mëdha nuk janë kurrë të lehta dhe as çështje “tek ashtu” të historisë.

Nga ana tjetër, aq e lehtë të konkludohet se Luftërat Napoleonike ta kenë shtyrë Napoleonin në v. 1803 për shitjen e territorit “Luiziana”. Siç e thamë tashmë, në fakt ishte diç si “dhuratë” dedikuar Amerikës, kurrë në historinë e njerëzimit s’i ka shitur kush aq lirë 2 milionë km2 territor. As shitur as blerë – vetëm Amerika do e kishte këtë fat, do e gëzonte këtë dhuratë napoleonike. Të thuhet se Napoleoni ia “fali gjysmën e Amerikës” Amerikës thjesht për inat të britanikëve… no way, ky spekulim do ishte nonsens, spekulim i madh : )

Andaj mirënjohja ndaj Napoleonit (dmth. ndaj Francës) nga amerikanët ndihet jokushtimisht, e sinqertë, e pakushtëzuar dhe pa motive të fshehura – mirënjohje koherente dhe përgjithmonë. Jo vetëm sepse Franca e ndihmoi Amerikën dikur të bëhej “Amerikë”, por dhe sepse Franca e bëri Amerikën aq të madhe! Ra Napoleoni dhe Amerika do bëhej “Great”. Klishetë moderne të Trumpit (gjoja me politikat e veta) thjesht s’janë origjinale, zor t’i “blejë” kush. Klishetë e tij mund t’i besojnë vetëm ata që s’e njohin Amerikën, vetëm viktimat e pagandave politike, vetëm ata që s’janë interesuar aq për historinë.

Blerja e 2 milionë km2 sipërfaqe e pati dyfishuar madhështinë e Shteteve të Bashkuara, do e forconte vendin materialisht dhe strategjikisht, do i jepte një shtysë të fuqishme zgjerim-ekspansionit perëndimor. Ishte njësoj si t’ia dhuronin Amerikës “gjysmën e Amerikës”, amerikanët ia paguan Napoleonit jo më shumë se “disa centë” për çdo km-katror. Njami-njami, i blenë çyl nga Napoleoni 10 shtete, 2.144.520 km2 territor. Nga ky territor do i “skiconin” pastaj shtetet që sot i njohim si Louisiana, Missouri, Arkansas, Iowa, North Dakota, South Dakota, Nebraska, Oklahoma. Plus, zona si dhuratë e Napoleonit përfshinte pjesën më të madhe të tokës në shtetet Kansas, Kolorado, Wyoming, Montana dhe Minesota.

Dhe siç dihet nga historia, Luftrat Napoleonike dhe 6 “aleancat e rezistencës” evropiane do i kushtonin Evropës me miliona jetë. Sa për dëmet materiale zor se mund t’i llogariste kush, ndoshta as vetë Zoti (dmth. engjëjt, audit-ekspertët e tij). Dhe vetëm 1 kampanjë e kryeneçësisë napoleonike në Rusi do u merrte jetën mbi 1 milionë ushtarëve, vetëm brenda ca muajve. Pas luftërave të Napoleonit, Kongresi i Vjenës ishte “lapsi politik” që do ta ribënte, do ta rivizatonte hartën e Evropës. Pikërisht “lapsi i Vjenës” do ta vizatonte skenën për Gjermaninë të bashkohej si “Gjermani”, të Italisë si shtet i unifikuar, por dhe të “kursim-faljes” së Francës, me kusht që ndokush nga Dinastia e Burbonëve të “instalohej” në pushtet.

Sepse balansi, “ekuilibrat” politikë të kohës ashtu e kërkonin, historia insiston se nganjëherë duhet parë “mes gishtash” të historisë.
E thamë më lart se Paqja e Parisit në v. 1783 i pati dhënë fund Luftës Amerikane për Pavarësi – rishtas, më vonë në histori, “disa” km larg Parisit, në Versajë në v. 1919 u nënshkrua Traktati i Paqes (i Luftës I Botërore). Paqja qe nënshkruar pikërisht në Sallën e Pasqyrave (në Grand-Galerinë e Luigjit XV). Edhe Presidenti W. Wilson i Amerikës ishte prezent. Tjetër është fakti se paqja s’do zgjaste dhe aq, sëshpejti do vinte Lufta II Botërore (temë tjetër kjo, s’na duhet këtu)

Lidhur me Pallatin e Versajës, për fat të keq jo vetëm “rreth, dhe gjatë” Luftës I Botërore, por Pallati pati vuajtur tepër gjatë nga mungesa e mirëmbajtjes. Luftrat gjithmonë kushtojnë, s’janë kurrë të lira, e zbrasin kasën mozomokeq. Dhe askush s’i shet tek ashtu 2 milionë km2 territore, vetëm Napoleoni e pati bërë.
Më pastaj, për fat të mirë, neglizhenca rreth Pallatit të Versajës do i bënte përshtypje një amerikani të pasur, pasanikut John D. Rockefeller. S’ka rëndësi që dhe ai do i ketë shtuar pasuritë e veta gjatë Luftës. Afërmendsh, pse jo, luftrat dhe bëhen për 2 qëllime kryesore – për t’u pasuruar të pasurit dhe për t’u pakësuar të varfërit (tekefundit kështu thonë “teoricienët kosnpirativë”, apo jo : )

Sidoqoftë, pasaniku amerikan Rockefeller vendosi ta ndërmerrte një program të gjerë për shpëtimin e pallatit. Mes viteve 1924-27 do ia akordonte Francës dy donacione të mëdha për ta shpëtuar kryeveprën e quajtur Versajë. Natyrisht, pas Luftës II Botërore (pas D-Day në Normandi, pas çlirimit të Francës nga “aleatët e Amerikës”) dhe vetë Gjenerali de Gaulle do thoshte “faleminderit z. Rockefeller, merci beaucoup”. Madje i pati ftuar Presidentin John F. Kennedy me gjithë Zonjën e Parë, Zhaklinën, i pati pritur dhe patën ardhur, historia nuk e fsheh se desh qenë kënaqur në Versajë me ëmbëlsira e me shampanj.

Luigji XIV e pati mahnitur botën me Galerinë e tij të Madhe, me Grand-Galerinë të njohur si “Salla e Pasqyrave”. Thuhet se është 75 m e gjatë dhe 11 m e gjerë, se i ka 357 pasqyra të instaluara nëpër muret. Megjithatë, në v. 1837 Luigj-Filipi vendosi të shkonte dhe më tej sa i përket madhësisë. Sipas tij Galeria e Betejave të Mëdha duhej t’ishte 119 m e gjatë dhe 14 m e gjerë. Pra ia pati kaluar “Sallës së Pasqyrave”.
Luigj-Filipi pati vendosur ta konvertonte pallatin në muze, ashtu dhe pati bërë. Jo vetëm Galerinë e Betejave të Mëdha, por i ujdisi dhe shumë galeri tjera të mëdha. Psh. disa Galeri të Kryqëzatave, pak “e çuditshme” pse Franca aq krenare për Kryqëzatat, mirëpo askund tjetër në botë historia e Kryqëzatave nuk ruhet artistikisht më bukur e më denjësisht sesa në Versajë. Me mbi 6000 piktura dhe 3000 skulptura, koleksionet e muzeut janë burimi kryesor, burim ikonografik rreth historisë franceze.

Mirëpo, në përgjithësi kur flitet për Koleksionet e Versajës fjala është për gjithsej 84.069 vepra artistike, përfshirë 6924 piktura, 7452 mobilje (psh. 426 llambadarë, 156 orë muresh, aso mbretërore), 29434 vepra të artit grafik (skica, gravura e këso), 8745 objekte arti (vazo e të ngjashme), dhe 3741 skulptura.
Pastaj kopshtet e paskajshme… vetë s’e kam llogaritur sipërfaqen e Versajës mirëfilli, andaj s’e kam idenë si duhet ardhur tek 800 hektarë, ja pse dhe marramendja. Por aq janë – thonë burimet. Madje e vështirësojnë dhe më shumë. Kur themi Versajë, sot flasim për ~800 hektarë, por nën sundimin e Luigjit XIV “Parku i Vogël i Versajës” i mbulonte afro 2000 hektarë, dhe “Parku i Madh” rreth 8600 hektarë. Imagjino, sapo shkrova që s’di as 800… pa le 8000 hektarë : )

Pallati është i rrethuar me 77 hektarë Kopsht, mirëpo Kopshti së bashku me Parkun dhe me Krye-Pallatin i mbulojnë 432 hektarë. E prapë, as kjo s’është e gjitha, së bashku me sipërfaqen e kompleksit Trianon bëhen 660 hektarë – thonë shifrat. Kompleksi Trianon i mbuluaka 96 hektarë, është i ndarë në 3 zona (Grand Trianon, Petit Trianon dhe Hamleti i Mbretëreshës). Objekti Grand Trianon ka sipërfaqe prej 8527 m2 dhe i ka 535 dhoma, ndërsa pallati Petit Trianon është 2013 m2 dhe i ka 158 dhoma. Çfarëdo që i “shtojmë” 660 hektarëve, psh. në pjesën e Parkut, Kanali i Madh me gjatësi 1675 m dhe gjerësi 1073 m i mbuluaka 23 hektarë – prapë trullosje. S’duhet ngatërruar (kjo vlen për ata që s’e dinë) “Parku” dhe “Kopshti” janë 2 nën-pjesë të mëdha, secila pjesë i ka hektarët e vet të marramendjes.

Shkurt, dhe vetëm llogaritja e madhështisë së kopshteve e vështirë, ose s’dimë ose na trullosë. Ja pse sikur kam përshtypjen dhe për vetë Francën është “e madhe” për t’u mbrojtur, rinovuar dhe mirëmbajtur gjithë ajo madhështi. Ja pse ata vazhdimisht kërkojnë donacione – anise u ankuakan, 60% i merrka shteti për vete. Pa pa pa… padrejtësi e madhe kjo. Mozomokeq, i dhuron dikush 1 milion, 600 mijë i merrkan byrokratët e shtetit për vete. Ruana zot, politikë aq e keqe monetare ndaj Versajës. Vetëm për ta siguruar pallatin dhe koleksionet e artit në vete mjaft sfidë e madhe (në Louvre dikur e patën “vjedhur” Mona Lizën”, apo jo), nevojiten qindra punonjës sigurie dhe fjalët e fundit të tekno-shkencave.
Lexova në një vend se në v. 2018 kishte të punësuar 1068 persona, prej tyre 814 staf i përhershëm (500 anëtarë të stafit të sigurisë, 60 kopshtarë dhe 15 kuratorë të trashëgimisë artistike).

Sa për sot kaq… ç’të them tutje, u mundova të them “mjaft”, sa më shumë… sipas mundësisë, si thuktim i gjithë historisë. Ndoshta vetëm dhe “Urime 400-vjetorin Versajë, uroj dhe 400 shekuj të tjerë lavdi e madhështi, përgjithmonë… maja e krenarisë, krahas Louvre tek e ruan krenarinë botërore, edhe muzeu i Versajës diç si muzeum epigonik për gjithë lavditë e Francës”!