Flaka vullkanike dhe “tigan-zemrat” le Creuset

(s. guraziu – ars poetica, sht 23)

Vetë s’jam kuzhinier dhe s’kam ditur, fare normale mosdija, por Le Creuset e paska vënë në qarkullim një seri tiganësh si zemra (tavë prej gize në formë zemre ). Nëse kihet parasysh se gjithçka që francezët prodhojnë, o e bëjnë me dashuri o s’e bëjnë fare, atëherë zemër-tigani s’kushtuaka dhe aq, 159 €. E sidomos nëse kihet parasysh garancia e tyre jetësore. Bleje një “zemër” dhe gjatë gjithë jetës tënde, që nga data e blerjes, tërë jetën e pronarit origjinal (qoftë blerje për vete, apo menduar si dhuratë) do vlejë garancia.

Madje e paskan dhe një recetë gatimi me titull “Dutch Baby” (andaj dhe përshtypja, sakaq m’u ngjall buzëqeshja). Dmth. kjo recetë ia vlen të gatitet në një tigan si zemër, sepse e qartë, ashtu-kështu zemrat janë simbol i dashurisë, as francezët as belgët kurrë s’i “ngatërrojnë” logjikat, falë dashurisë vijnë dhe bebet në jetë apo jo, e sidomos “bebet e Lulandisë”, andaj quhen “dutch baby” : )

Le Creuset është kompani franko-belge e enëve të gatimit, janë të njohur për enë të klasit botëror tani e pothuaj 100 vjet, enë që i përdorin bie fjala kuzhinierë të famshëm dhe aso të apasionuar anembanë globit. Thuhet se enët e tyre ofrojnë performancë të jashtëzakonshme, për të gjitha aspektet e gatimit e të rezistencës. Natyrisht se dhe çmimet janë “adaptuar” paksa me lartësinë, me kualitetin e me famozitetin e produkteve. Psh. një servis prej 12 pjesësh i Le Creuset me emrin “Bomba Bjonde” qe shitur në v. 1999 për 25.330 $.
Sidoqoftë, është dhe garancia jetësore diç si “vulë” e tyre karakteristike. Duke qenë krenarë për sigurinë, për mjeshtërinë dhe për kualitetin e produkteve, Le Creuset ofron garanci “jetësore”, psh. për enët e emaluara prej gize. Po ashtu, Le Creuset ofron garanci “jetësore” për të gjitha produktet prej çeliku inoks me 3 shtresa, si dhe për enët me veti jongjitëse (anti-ngjitëse, apo si duhet thënë).

Le Creuset shërbehet me një paletë të gjerë ngjyrash (për produktet, s’e përdorin vetëm 1 kolorit si ide), mirëpo mendoj se “flaka vullkanike” është ajo më e njohura e tyre, seria më e bukur (apo ndoshta sepse mua më pëlqen më së shumti, s’di pse kam përshtypjen se “flaka vullkanike” do jetë favoritja – apo prapë ndoshta sepse tingëllon mjaft “poetikisht”, flaka vullkanike si figuracion, si metaforë në vete… totalisht e pavarur, kjo patjetër, por mund t’shërbejë dhe si titull për ato lirikat e zjarrta – dihet se edhe poezia e edhe gatimet më të shijshme vijnë në jetë me dashuri, nuk thuhet kot “gatuar me dashuri”, asgjë pa dashurinë : )