Botë e “vogël”, diç si fshat komercial

( sguraziu – ars poetica, sht 23 )

…mësova se “Parkside” qenka kompani gjermane, s’di pse kam kujtuar të jetë ndonjë kompani kineze, vietnameze, polake, çeke a sllovake, por jo qenka gjermane – sapo e mësova këtë nga Arnoldi (ai dmth. i njohuri, nga Terminatori, Schwarzenegger-i i Austrisë : ) desh na çmendi këto ditë me ca reklama, edhe si plak-xhufurrak s’di të ndalur, shtiret “xhufurratik-reklamatik”, na i vërtitë gjithandej veglat e Parkside, më ishin të njohura këto veglat e tyre por isha skeptikë, qëkur pothuaj falas, çmimi i tyre pothuaj “qesharak”, nuk bëj shaka… e kam me gjithë mend, më shtrenjtë është një pizza (tekefundit pizza-t në lagjen time) sesa një vegël e “Parkside”…

…mësova se “Parkside”, e edhe dyqani Gamma, qenkan pjesë të Einhell Germany AG, e kjo tutje qenka pjesë e Einhell Group, themeluar si kompani në v 1964 – epo prandaj, sakaq e qartë pse pikërisht Arnoldi – ngjashëm si ai shqiptaro-amerikani i “Jeta sipas Xhimit”, Jim Belushi, padyshim ju kujtohet edhe ky reklamonte diç të “KLAN-it” shqiptar, merrej me ca poza në aeroport, me ca shqiponja të Rinasit, i ngrati Xhim s’dinte shqip, harruar shqipen totalisht, mirëpo tekefundit as shqiponjat nuk flasin shqip, as dollarët e KLAN-it nuk flasin anglisht, dollarë memecë janë, dhe dmth. e qartë pse pikërisht Xhimi, pse Arnoldi etj. etj. sepse botë “interesash”, botë reklamash, biz-klanokratike, sidomos kohët e fundit botë aq e “vogël”, diç si fshat komercial : )