Haremi i Portës së Lartë – Odajat Sekrete të Shekujve

(sguraziu – ars poetica, sht 23)

Haremi – Hapësira e shenjtë dhe e paprekshme

Në kuptimin “zyrtar” të Portës së Lartë, termi “harem” (i cili rrjedh nga arabishtja, “haram”) pretendonte të nënkuptonte diç si “hapësirë e shenjtë dhe e paprekshme”. Sa ishte hapësirë e shenjtë… s’e kemi idenë. Por se ishte hapësirë e paprekshme, hapësirë e izoluar me shekuj, hapësirë skajshmërisht misterioze, kjo qëndron jashtëzakonisht.

Sidoqoftë, akoma pa ia filluar, diç di “parashtesë” sqarimtare:
Për mua, si ndihmë kyç rreth artikullit të sotëm (sa i përket pallatit Topkapi), mbase do ishin fjalët e Dr. H. C. Cimilli. Anise dhe ekspertiza e historianëve të Bilkent University, si referencë autoritare, do ishte mjaft e mjaftueshme, kuptohet dhe kjo.
Mirëpo gjithashtu kuptohet se kjo punë do kërkonte shumë kohë. Referencat universitare ashtu-kështu vuajnë nga ai “zinxhiri” i gjatë i biblio-saktësisë, vuajnë nga ai bukinizmi marramendës.

Dihet, as vërtetësitë as njohuritë s’janë absolute, përndryshe asnjë libër i ri s’do e shihte dritën, universitetet do i gozhdonin njohuritë nëpër mure, do i vënin nëpër aso kornizash të florinjta (ndoshta njësoj si pikturat famoze të muzeumeve), do i kornizonin, do i stilizonin me lloj-lloj xinglamingash, do i siguronin pas xhamave, do i ruanin si Mona Lizat, pastaj profesorët s’do kishin dhe aq shumë punë, do vdisnin nga mërzia, do ia krisnin gjumit.
Në realitet, historia s’ka lidhje fare me profesorllëkun, as me universitetet, e vërteta rreth “hesapeve” të historisë di t’jetë mjaft jostabile si vërtetësi. Madje shpesh pasiguria rreth vërtetësisë i shkakton të gjitha gjatësitë bibliografike të universiteteve, sikur dhe gjatësitë historiko-bukiniste : )

Natyrisht, disa gjëra varen nga “përspektivat”, gjatësia s’ka gjë të keqe në vete, ama ja që dashtas-padashtas kushtëzohet me vite e vite studimore. S’shoshiten lehtë 400-500 vite histori, ashtu-kështu historia e pluhurosur. Jo shkencë ekzakte por mugëtirë me merimanga (historitë gjithmonë të pluhurosura, apo jo). Desha të them, meqë s’jam mirëfilli as historian as profesor, s’është se kam ndërmarrë ndonjë “studim esktensiv” rreth haremit. Unë gjithmonë provoj të mësoj aq sa më intereson të di për vete – garant nuk di aq sa do duhej të dija.
Anyway… jo se “haram” por s’është nevoja të di diç më shumë rreth haremit : ) Andaj le t’jenë fjalët e Dr. Cimilli diç si “bosht” i sigurisë për saktësinë – rreth të cilave fjalë vërtiten fjalët dhe referencat e mia sot.

(ngjitur)
Ludwig Deutsch (1855-1935) – Roja e Pallatit, 1892, dhe – Roja Nubiane, 1895 (2 piktura, në dy rastet fjala është për rojat e haremit, për eunukët e specializuar enkas për këtë punë, për eunukët profesionalë e që të cilët zakonisht do ishin me prejardhje “nubiane” (afrikane), Nubia ishte një rajon në Afrikë, besohet të ketë ekzistuar rreth v. 3800-4000 pes., rajoni hipotetik i Nubisë sot do i binte në Egjiptin e epërm dhe në veriun e Sudanit.

– – –

John Frederick Lewis (1805-1876) – “Jeta në Harem, Konstantinopojë“, 1857 (dmth. në Stamboll, ndoshta pikërisht në pallatin Topkapi, për të cilin e kemi fjalën në artikullin tonë, Konstantinopoja qe pushtuar në v. 1453 nga Sulltan Mehmet “Pushtuesi” – ashtu i qe vënë nofka, Pushtues) dhe piktura tjetër e Lewis “Jeta në Harem, Kajro” (dmth. në Egjipt, shih… ndoshta s’përjashtohet mundësia që fjala t’jetë pikërisht për haremin e Muhamed Ali Pashait, atij shqiptaro-kapedanit, të përkëdhelurit të Sulltanit, fare lehtë mund t’ketë qenë dhe ai haremist fort i zoti, tekefundit Ali Pashai i Janinës e kishte haremin aq të famshëm, vetë Hygoi e pati lavdëruar, vetë ai Bajron-poeti i hijshëm vërtitej andejpari, thuase s’kishte bukuroshe në Angli, në Evropë e në Itali, ia mësynte pikërisht tek Ali Pashai, herë flinte në sarajet e tij e herë diku në Greqi, rrallë e hiç ndokund në Shqipëri, përse nuk dihet por mbase jashtë pallatit të pashait shqiptaret s’ia varnin dhe aq, o shtireshin gjoja ende s’kishin dëgjuar për të, o vërtet s’e njihnin : )

 

Haremi – As vetë rrezet e diellit s’do kishin qasje

Haremi ishte një labirint i madh odajash, apartamentesh, dhomash, korridoresh. Si objekt, në kuptimin muzeal s’ka ndryshuar gjë, akoma është i njëjti labirint (siç pati qenë për shekuj me radhë). As sot e kësaj dite publiku s’ka qasje në gjithçka, jo i gjithë kompleksi por vetëm një pjesë është e hapur për publikun turistik. Mbase do jetë për arsye teknike, mund të kuptohet dhe kjo, duhet rinovuar, e sidomos duhet konservuar, duhet mbrojtur dhe duhet parandaluar – duhet marrë me analizat, me ekspertizat, me shkencat e kimisë, 4-5 shekuj janë kohë aq e gjatë, bie fjala gjithçka prej druri tani vetiu do jetë aq e ndieshme, kështu që fillimisht duhet marrë me procesin kompleks të konservimit etj etj.

Sipas fjalëve të Dr. Cimilli, haremi i kompleksit Topkapi ishte një segment skjashmërisht misterioz. I njohur në vendet e tjera të Orientit si perde (Purdah), Zenâne ose Endrûnr, haremi mbretëror në Pallatin Topakapi njihej si Dâr-üs-saâde, ose Vendi i Lumturisë. Dr. Cimilli ka shkruar se pjesa e haremit (dmth. segmenti privat brenda kompleksit të madh Topkapi) ishte planifikuar me aq kujdes, gjërat qenë mirëllogaritur deri në cikërrimat, në mënyrë që t’ngelej sekret, që t’mos shihej nga ndërtesat shtetërore dhe nga oborret e Topkapi, ku kryheshin punët publike të perandorisë.

Sipas meje, fjalët e Dr. Cimilli përputhen dhe me vrojtimin më të thjeshtë, me syrin e ekspertëve përpthen patjetër, por dhe me syrin e cilitdo kujt. Psh. bazuar në strukturën arkitekturale dhe sipërfaqen kulmore, e qartë se për mjaft pjesë të pallatit diellosja e natyrshme ishte e pamundur. Sipas meje, s’do e arrinte as arkitekt Sinani as vetë Sulltani, qëkur haremi duhej të ngelej i padukshëm. Afërmendsh, as rrezet diellore s’kanë si ua bëjnë me hile ca ligjeve të fizikës.

Shihet se oborret ose kopshtet e konkubinave s’e kishin lukzsozitetin e oborrit (të hapur) të zonjave të preferuara, të “favoriteve” të Sulltanit. Mund ta quash “kopsht” një pavijon të mbuluar, por vallë vërtet do jetë kopsht! Dhe kjo mangësi e kopsht-luksozitetit për konkubinat s’pati ndryshuar për 4 shekuj. Thuase aq e vështirë na qenkësh për Sulltanin t’ua dhuronte bukurosheve pak rreze, me shekuj e shekuj s’qenë kujtuar, s’i pati vajtur mendja asnjërit sulltan, secili më koprrac se tjetri. E qartë se pati ngelur “mangësi” e qëllimshme, sepse gjërat e haremit me çdo kusht duhej mbajtur sekret, larg syve të botës.

E vështirë derisa ndonjëra nga konkubinat të “favorizohej”, derisa ta arrinte statusin “e preferuar”. Pastaj kishte sa të duash luksozitet, mund t’i shijonte dhe rrezet, në fakt po aq sa dhe vetë Sulltani. Nëse ai të hante hurma, po t’i tekej mund t’i provonte dhe e preferuara, askush s’ia ndalonte. Favorizimi varej nga bukuria, nga edukata, nga talentet (e lindura, dhe ato të instaluara), nga inteligjenca, nga sjellja, nga veset pozitive psh. nga buzëqeshja, nga “spektro-ngjyrat” e zërit, nga prirjet e natyrshme (psh. lidhur me artet) dhe nga shumçka tjetër, detajet mund t’ishin të panumërta. Mirëpo asgjë nga këto s’do çonte peshë nëse hëpërhë ndonjëri detaj t’mos përputhej me shijen e “Valide-s”.

Gjatë shekujve dhe mund t’ketë patur raste të tilla të dhimbshme të zhgënjimit. Për fat të keq kronikat perandorake s’përmendin gjë në këtë drejtim. Sidoqoftë, kur Nëna e Sulltanit vendoste për favorizimin, thjesht e kryer, e gjitha çfarë ngelej për Sulltanin ishte vërtetimi i “ëmbëlsisë”, kaq : )
Aty-këtu gjatë historisë ndonjëra nga “favoritet” arrinte fuqi, respekt e autoritet, e edhe fuqi të qeverisjes, të bashkëqeverisjes, psh. Hurrem Sultan (Rokselana e Polonisë, konkubina e favorizuar e Sylejmanit. Dihet se dhe direktivat e Rokselanës ishin “vulat” vendimtare në çështjet e mëdha të bashkë-qeverisjes perandorake. Marrëdhënia e tyre qe thelluar e përparuar, aq sa ndoshta dhe qenë “dashuruar”, i patën dorëzuar zemrat me Sylejman e me Rokselanë.

Tingëllon aq njerëzore, aq e njerëzishme kjo, tingëllon normale, s’ka më bukur, s’ka më ëmbël se dashuria. Nga ana tjetër, vallë si mund të quhet “dashuri” kur fillimisht të kanë skllavëruar, në harem ke ardhur si skllave, të kanë shfrytëzuar në çdo aspekt të mundshëm të jetësores… jo vetëm psiko-shpirtërisht, por dhe fizikisht e seksualisht. Derisa pas vitesh e vitesh të skllavërisë psikologjisjet ngadalë mund t’jenë bërë dhallë, asimilim e turqizim total, who cares… pas viteve të skllavërisë vetiu do jetë “lodhur” zemra, do jenë topitur me ndjenja e me brenga.

Autoriteti më i madh në Harem ishte Nëna e Sulltanit (njihej si “Valide Sulltan”). Meqë aty jetonin dhe motrat, të gjithë të afërmit e Sulltanit, andaj sikur qe konsoliduar dhe përkryer një hierarki unike, gjithçka nën mbikqyrjen e “Valide-Sulltaneshës”. Në harem patjetër, por Nëna e Sulltanit ishte personi i dytë më i autorizuar në gjithë pallatin perandorak, kishte ndikim të madh tek Sulltani. Psh. gjatë luftrave, nëse Sulltani dhe Veziri i Madh (dora e djathtë e sovranit) duhej të shkonin në luftë, nëna do kujdesej për gjithçka, jo vetëm për Haremin por dhe për çështjet shtetërore.

Pallati perandorak Topkapi (ose më saktë “grumbull-kompleksi i pallateve”) ishte diç si labirint super-kompleks. Ishte zgjeruar e “arnuar” përgjat 4 shekujve, shpesh do ndryshohej planimetria, gjatë kohës aty-këtu dhe administratat e perandorisë do ishin sadopak “organike”, do pësonin ndryshime, numri i banorëve të haremit do rritej, do shtoheshin kthina e bujtinash, do ndodhnin dhe fatkeqësi e “kalamitete” (zjarre e dëmtime), do rindërtohej, do rinovohej nga lloj-lloj administratash të sulltanëve, sipas shijes e sipas radhës në pushtet.

Bie fjala, dihet se odajat private të Sulltanit (Muradit III) qenë projektuar e rregulluar nga vetë i madhi Mimar Sinani, arkitekti famoz dhe prestigjioz i perandorisë, nën emrin e të cilit dihet se mund të vargëzohen me dhjetra e qindra projekte, si perlat. Aq saktë s’i di askush mbase, por rreth 60 xhamia (ndokush nga studiusit thotë rreth 100 sosh), rreth 70 medrese, rreth 60 hamame (banjo), rreth 40 mausoleume (varre), rreth 40 pallate e vilash, rreth 10 ura… etj. Në aspektin arkitektonik dhe të arritjeve të kohës, secili projekt më madhështor se tjetri. Por kishte dhe nxënës (të cilët nën tutelën e tij do pavarësoheshin ngadalë, ama) dmth. si meritë dhe mjaft projekte tjera mund t’thuhet se i “takojnë” Mimar Siananit, ose dmth. markës, prestigjit, emrit të tij arkitektural. Si shembull, ndoshta në këtë kategori mund të futet “Xhamia Blu” etj., projekte të ngjashme.

Kishte ca përjashtime, aty-këtu ndër intervale të shkurtra kohore ndodhnin ndryshime, por Pallati Topkapi ishte “shtëpia” e gjithë sulltanëve osmanë, deri në mbretërimin e Abdulmexhidit I (1839-1860), periudhë prej afro 4 shekuj. Siç e përmendëm, me kalimin e viteve (e edhe të shekujve) kompleksi i pallateve do i nënshtrohej “evolucionit” të vazhdueshëm. Disa nga shkollarët shprehen se pallati ishte diç si “strukturë organike”, nuk ishte ndonjë ndërtesë e vetme masive (në traditën e madhështisë klasike perëndimore).

Ky pohim i tyre aq i saktë dhe i gjetur, saktësia mund të piketohet nga gjithkush, e sidomos nëse “shihen” kulmet e pallatit, e qartë se kishte arnime, e qartë se qenë shtuar oxhaçe dhe tyrli-lloj kupolash si këpurdhat. Fort e saktë se Topkapi qe adaptuar përgjatë kohës, ishte diç si strukturë organike, kurrë statike dhe do i pasqyronte stilet e shijet e shumë periudhave artistike. Por dhe do pajisej me mjaft njësi të pavarura ngjeshur me funksione dhe kërkesash individualiste të banorëve (dmth. të sulltanëve përgjatë shekujve, afërmendsh sipas qejfit të tyre, ata ishin boss-at).

Anise, sipas meje as pallati i Versajes nuk qe madhështor-izuar tek ashtu, me sa di unë s’qe bërë pallat grandioz me një hov “luigj-or”, me një frymë të tij.
Pra kompleksi madhështor i Stambollit e kishte dhe hapësirën private, haremin perandorak, hapësirë e ngopur me luksozitet dhe e optimizuar për nevojat e jetës perandorake. Në mënyrën e thjeshtë mund të thuhet se haremi ishte shtëpia private e Sulltanit (siç dhe ne duhet të kemi shtëpi, ok… ndokush pakëz më luksoze ama në thelb dhe vetë Shtëpia e Bardhë është shtëpi). Se Familja e ngushtë e Sulltanit jetonte aty, nëna, motrat, bashkëshortet e tyre, nipat, mbesat… etj, ndoshta gjithë rrezja farefisnore. E lehtë të thuhet se Haremi ishte krijuar si nevojë-kërkesë e jetës familjare perandorake, si nevojë-kërkesë e stilit të lartë, royalistik. Mbrohej me kujdes të jashtëzakonshëm dhe dallonte nga pjesët tjera të pallatit Topkapi, që lidheshin me administratën, me çështjet shtetërore perandorake.

Gjithçka në rregull, suitave perandorake ashtu-kështu u takon të jenë “perandorake”, në Dubai sot madhje dhe suitat e hoteleve e gëzojnë statusin “perandorak”. Mirëpo problemi sikur na “problematizohet” dhe ca më tepër, pasi aty jetonin dhe konkubinat, me qindra e qindra bukuroshe, zgjedhur siç ia thuhet me “kokallë”. Haremi (i emërtuar me ndihmën e termit arab “haram”) nënkuptonte paprekshmëri, madhështi, pastërti, fshehtësi, privatësi etj. siç e shohim, i vishen të gjitha atributet e dinjitetit familjar. Absolutisht në rregull, jo vetëm familjet e sulltanëve… por të gjitha familjet e kësaj bote janë të pastra dhe të shenjëta, është supozuar ta gëzojnë privatësinë dhe lumturinë absolute. Përputhet gjithçka, s’na çoroditet as logjika as vërtetësia.

Siç e ka cekur dhe Dr. Cimilli, haremi si koncept nuk gjendej vetëm në shtetet islame, dhe as vetëm në Perandorinë Osmane, por dhe ndër mbretëritë asiriane e bizantine etj. Dmth. nuk është se e patën “shpikur” sulltanët. Nëse perandorët e mbretërit qenë “caktuar” me vullnetin hyjnor që të sundonin mbi popujt (ashtu pati vendosur perëndia, Allahu, ishte normale që Luigjat e Francës të pandehnin se ishin vetë Dielli, se ishin diç si “Ra”… jo ai i Egjiptit të lashtë por i Francisë moderne, saudo-sheikët e Arabisë dhe sot e kësaj dite pandehin se vulat mbretërore u qenë dhuruar e bekuar nga Allahu), atëherë e lehtë ta “imagjinojmë” se gjithçka e kësaj bote ishte pronë e Sulltanit, gjithçka i takonte atij, secili shpirt, me mijëra e mijëra ushtarët e vrarë dhe ata të gjallë, gjithë “gjeneralët e vdekur të ushtrisë”, gjithë shpirtrat e perandorisë, secila rreze e diellit, secili detaj i universit. Përndryshe “haremi” do binte paksa në kundërshti me logjikën e thjeshtë ordinere të neve vdekatarëve (të njeriut të zakonshëm : )

Natyrisht, mizat s’duhet bërë buaj, s’shembet bota për 1 a 2 dashnore, sa për 2-3 konkubina mbase s’i shihen për të madhe askujt. Sa i përket hedonistikave dhe qejfeve, s’është se osmanët na qenkeshin aq origjinalë dhe as unikalë, pothuaj gjithçka të hedonistikave e patën “kopjuar” nga romakët. Kronikat e perandorisë s’e përmendin këtë detaj, por ndoshta ekzakt njësoj siç sot kinezët dinë të kopjojnë gjithçka, s’ka mjet dhe s’ka raketë që kinezët s’ditkan ta kopjojnë.

Edhe ata të perandorisë osemane i patën kopjuar të gjitha qejfet e Romës, të gjitha hedonistikat e botës – me kushtin e adaptimit skajshmërisht me muhamedanizmin, pra kishte vetëm 1 kusht rigozoz. Mirëpo sulltanët s’ishin budallenj as mendjelehtë, i mbanin gjërat fort sekret, askush s’duhej të kishte qasje në harem. Vetëm Kaligula dikur para mijëvjeçarësh, thuase na ishte çmendur, i bënte me ahengje, me festa e me orgji gjithçka publike. Madje, disa gjëra të historisë kaliguleske mund ta kenë frymëzuar dhe vetë Berluskonin modern. Tjetër se dhe për këtë detaj zyrtarët e politikave italiane shtiren sikur s’ditkan gjë : )

Shkurt, as Everesti as bota s’shemben për 2-3 gejsha, ama t’i mbash me qindra ngujuar në pallat, të të presin virgjërisht me vite, për të zgjedhur ti kur të të teket, qebesa ashtu s’qenë kujtuar as vetë Zeusat e mitologjikave, askush. Madje Zeusi mozomokeq, i përdorte të gjitha teknikat mashtrimtare, metamofogon sa i pandreqshëm aq dhe i pangopshëm, qe bërë gazi i botës, gazi i dy botëve (i kësaj… botës njerëzore, dhe i asaj të hyjnorëve), por s’qe kujtuar ashtu. Në Olimp, përveç gruas së tij Hera s’flinte kush, s’kishte as karrem as harem, madje ia kishte frikën Herës sa s’ka më. Xhelozia e saj ishte më e rrezikshme sa vetë rrufeja në duart e tij, thjesht do e ulte kokën, s’guxonte as gëk as mëk para saj.

Konkubinat e Sulltanit vinin nga gjithandej, nga katër skajet e perandorisë, me spektrin më të larmishëm etnik dhe të moshës, që nga vajzat adoleshente e deri tek zonjat e rënda, krye-zonjat. Duhej ardhur të reja në pallat sepse duhej të rriteshin e të piqeshin sa më ëmbëlsisht, sëpaku për 9 vite. Së bashku me personelin (stafin e punëtorëve dhe të shërbyesve të ndryshëm, pa të cilët makineria e pallatit perandorak, zor se do funksiononte, psh. inkluzivisht kuzhinierët), banorët e haremit mund t’arrinin mbi 1000 frymorë, kjo varej nga periudhat e ndryshme, përgjatë shekujve.

Konkubinat, zgjedhur me kujdes nga provincat e ndryshme të perandorisë, ishin nën mbikqyrjen apo administrimin direkt nga vetë Nëna e Sulltanit (Valide Sulltanesha). Derisa konkubinat mund t’thuhet (sadopak “poetikisht”) se ishin diç si zogj ekzotikë në kafaz, shpirtra të kulluar engjëjsh të pafajësisë tek cicërojnë me ëmbëlsi, e mgjithatë na imponohet imagjinata sikur gjithë ata 1000 shpirtra duhej frymuar për t’ia bërë sadopak qejfin fillimisht Valide-s, e pastaj nëse asaj t’i mbushej mendja, dhe vetë Sulltanit.

E thamë se Haremi (siç pandehte Sulltani dhe familjarët e tij) nënkuptonte paprekshmëri, madhështi, pastërti, fshehtësi, privatësi etj. i qenë veshur të gjitha atributet e dinjitetit familjar. Nganjëherë thuase vetë absurdi “kryqëzohej” me ndonjë absurd tjetër, thuase për t’u bërë absurd2 (në katror : ) Psh. fratricidi sulltanesk sikur e tejkalon absurdin e marrëzisë perandorake, dhe vetë absurdin e intrigës, çdo absurd të mbijetesës, të verbërisë.

Krahasuar me absurdin dhe me aktet e Sulltanit, Agripina e romakëve (nëna e Neros) padyshim do na dilte e shenjtë. Agripina qe marrë me “mbijetesën” perandorake fare ndryshe, fare denjësisht. Thjesht s’pati bërë asnjë mëkat. Do vdiste, vdiq… e saktë kjo, s’e mohon as historia, e vrau vetë i biri i saj, ama e ruajti pushtetin. Vetë ajo (pa intriga) e solli Neron në pushtet, e bekoi vetë vrastarin e vet, pa asnjë dredhi, pa asnjë tradhti, pa asnjë intrigë, 100% engjëllushë e pafajshme. Panumër shekuj para Sulltanit, e megjithatë Agripinë faqebardhë, i pati ujdisur ca komplote vrastare, i pati vrarë tinëz ca fatkeqë, nja 2-3 burrat e vet, ama s’pati qenë nevoja t’i vriste 19 vëllezër…

Ndërsa Sulltani, për ta ruajtur pushtetin dhe “pastërtinë” familjare (siç e koncepton haremi), gjoja si Padishah mund t’i vriste 19 vëllezër në pikë të ditës, në pikë të diellit a të dritës. Vëllezër të vërtetë, sepse froni cenohej nga vetë gjaku i vet. Pikërisht ashtu dhe pati bërë. E çfarë pastaj… ndoshta as që pati dëgjuar për Agripinën, ndoshta absurdi mund të zbutej me ndihmën e haremit, me ndihmën e qindra konkubinave. Më vonë do vinte “kafazi”, haremi do kishte odaja speciale të quajtura “kafaz”, ekzekutimi i vëllezërve do braktisej por s’është se qe lehtësuar pafatësia as vuajtja e të ngratëve.

Vetë Ibrahimi i “Çmendur” (si Sulltan) do ishte shembulli i Sulltanit të tmerruar, sulltan-pasojë e sulltanizmit të traumatizuar, sulltan-viktimë e çmendur në “kafaz”. Shkurt, e qartë, familje e madhe, më e madhja që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit. Thjesht marramendje e privatësisë, e lumturisë, e shenjtërisë, e pastërtisë, e paprekshmërisë… për 4 shekuj me radhë. Haremi s’mund të prekej, madje as të shihej, 100% i paprekshëm dhe i padukshëm, as vetë dielli s’kishte qasje. Ama publiku patjetër se duhej të merrej me tragjedinë kombëtare të fratricidit, me ceremenoitë, me shpenzimet, me funeralet e 19 vëllezërve të Sulltanit. Sepse sëpaku ishte siguruar froni i tij, s’cenohej tutje as haremi as muharremi…

Dr. Cimilli e ka përmendur se Tursun Beu (një kronist në kohën e Sulltan Mehmed “Pushtuesit”) diku në kronikat e veta pati shkruar: “Nëse dielli në persisht t’mos i takonte gjinisë femërore, as vetë rrezeve të diellit s’u lejohej qasja në harem”. Ok, pakëz e “hijeshova”, e shtrembërova një grimë përkthimin sipas qejfit, por dmth. e qartë se restriksioni perandorak rreth-e-rrotull çështjeve të haremit ishte i jashtëzakonshëm.

[ ngjitur: zonjë myslimane në ambientin e haremit, duke pushuar pranë një nargjileje, litografi me ngjyra nga P. Bureau, rreth ~1870 (detaj), bazuar në veprën paraprake të Emile Prisse d’Avennes (1807-1879) ]

Haremi – 100 fëmijët e sulltanit, dhe 1000 të tjerët e Xhingis Khanit

Në v. 2019 britaniku Simon Watson e pati bërë veten të famshëm (mbase në Twitter) duke ia shpalosur botës rekordin se i kishte lënë shtatzënë 13 gra brenda muajit, për vetëm 26 ditë.
Lidhur me temën tonë të Haremit, duhet cekur se Watson s’kishte harem, dhe as nuk i kishte 13 gra. Shtatzania për 13 femra pa u bërë muaji, patjetër se është rekord mëvete, rekord i natyrës së vet. Gjithsesi, detajet e këtij “rekordi” do i sqarojmë pak më poshtë.

Sulltan Muradi III do ishte babai më i “madh” i gjithë sulltanëve të Perandorisë Osmane. I “madh” në kuptimin qe bërë baba i mbi 100 fëmijëve, sëpaku 103 thonë disa burime. Mirëpo, sado e famshme Porta e Lartë me haremin e vet, sado e fuqishme si perandori e si Topkapi, ja që as Sulltan Muradi s’mund të shtyhej me haremin e Xhingis Khanit të Mongolisë. Thjesht pohim mjaft i vërtetë, jo kuriozitet i ububushëm por si fakt i palëkundur i historisë.

Ky i fundit në haremin e vet i mbante rreth 3000 konkubinash, dhe qe bërë baba i më shumë se 1000 fëmijëve. Në fakt fare lehtë (anise historianët s’kanë prova “shkencore”) por gjithë sulltanët e otomanizmit mund t’jenë “filizash” të Xhingis Khanit. Pse? Epo, sepse… nëse për hiçgjë tjetër atëherë sepse gjithçka e “lidhur” me veset aziatike, me veset mongoloide. Thuhet se Xhingis Khani të gjitha femrat që i mbante në harem (shifra 100% të sakta s’ka thonë shkollarët, por afro 3000 femra), të gjitha i konsideronte të “bukura”.

Andaj dhe i mbante, afërmendsh… s’është se i “koleksiononte” shëmtaraçet e perandorisë, por të bukura do kenë qenë, secila më bukuroshe se tjetra. Shkurt, i mbante të gjitha, s’i bënte zemra punë që të ndahej nga to, t’i linte të shkonin, t’i lironte.
Ç’është e çuditshme në këtë mes (dmth. sipas tezës sonë) është fakti se t’i kesh 1000 fëmijë, 1000 pasardhës “vulosur” me kromozomet e tua, stampuar me gjenetikat perandorake, dhe askush prej tyre, as dhe 1 ta “arrijë” madhështinë tënde! Hm, mjaft i çuditshëm ky devijim, ky lëshim-dështim i historisë.

Ose ndoshta asgjë e çuditshme, qëkur historia s’ka patur shans për t’i përcjellur kromozomet e 1000 fëmijëve të Xhingis Khanit. As kronikat, as statistikat, asgjë e shek. XII-XIII s’mund t’jetë aq e saktë – s’janë të sakta as sot e kësaj dite. Ehuuu, s’ke si i gjenë çertifikatat e 1000 fëmijëve të Xhingis Khanit.
Historia moderne mezi i del ta “njeh” gjenealogjinë e Luigjit të Francës, imagjino sa vone ishte ky. Edhe nëse ia del disi, prapë s’ke siguri të garantuar, 1 dashnore sekrete më tepër dhe gjithçka e Luigjit, gjithë lisi komplet, gjithë gjenealogjia duhet rillogaritur, gjithcka nga e para.

Madje dhe vetë ish-Presidenti Obama (si shembull fare i freskët i historisë) mezi e pati gjetur çertifikatën e vet të lindjes (i duhej të ngratit ta dëshmonte amerikanizmin, padyshim ju kujtohet, pretendenti Donald Trump e pati akuzuar gjoja si “joamerikan”, i pati nxjerr mjaft telashe, “simpatik si çokollatë, i thoshte – por jo dhe amerikan, jo i lindur këtu”).

Pastaj mos të flitet për gjoja “saktësinë” e kohës së Xhingis Khanit. Si gjeneralizim, dihet se gjithçka e Azisë i takon Azisë, ashtu-kështu, edhe Lindja e Afërt, edhe e Mesmja edhe Lindja më e largët, qoftë dhe vetëm 2 m përtej Japonisë, të gjitha i takojnë Azisë. Teza jonë thotë se me osmanë e me sulltanë varg e varg padyshim do jenë pasardhësit e Xhingis Khanit. Përndryshe mund t’shtrohet pyetja: ku janë, cilët pra janë ata 1000 fëmijët e tij, si është e mundur që askush nga 1000 pasardhësit s’e trashëgoi as 1 kromozom të babait! Mjaft e çuditshme kjo, si anomali e historisë!

Sipas tezës sonë, shkollarët s’kanë si e përjashtojnë mundësinë. Gjithçka e kalifateve, para sulltanëve (deri sa do binin nën thundrën e sulltanëve më vonë) kishte t’bënte me “historinë” aziatike, me sferën aziatike, me luftrat aziatike, me perandoritë aziatike, me veset aziatike, me haremet e me hanumet… dmth. me veset xhingiskaneske. Vetëm Xhingis Khani e kishte haremin aq të madh, vetëm ai i mbante afro 3000 gra, i vetmi ai në historinë e njerëzimit, s’ia kaloi kush as nuk iu afrua kush.

Le ta kishte haremin e madh, askush s’ia pati “prishur” qejfin – sipas llogarisë së vet, në njëfarë mënyre dhe e meritonte. Ok, normale që pakëz dhe ego-ja me qejfet e veta, secili sulltan e secili mbret i ka dozat e egotizmit të vet. Mirëpo (haremin e meritonte) jo se qe bërë Khani i parë i Perandorisë Mongole, as jo se perandoria do bëhej perandori e madhe (kompakte sa i përket tokës) më e madhja e historisë, por sepse pothuaj tërë jetën qe marrë me bashkimin e fiseve mongole.

I pati bashkuar më mirë se askush, kurrë në historinë e fiseve s’pati ndodhur një mrekulli e tillë. Ta bashkosh popullin, t’i pajtosh princat e armiqësuar, t’i afrosh princat e përçarë, t’i ulësh në një tryezë principatat (siç pati bërë dhe Skënderbeu psh.), t’i bashkosh kalorësit e “tryezës së rrumbullakët” apo çfardo tryeze të ketë qenë, ta arrish “unitetin kombëtar”, ta zgjerosh perandorinë pothuaj deri në paskajësi etj. etj. këso gjërash të bashkimit, kuptohet se është gjëja më e madhe dhe më e shenjtë që një khan-prijatar mund ta bënte.

Andaj dhe ato 3000 bukuroshet e haremit, andaj dhe justifikohen 1000 engjëjt. Askush dhe asgjë deri sot e historisë s’ia ka kaluar Xhingis Khanit. Asnjë mbret, as perandor, as faraon i Egjiptit të lashtë, as vetë Ramzesi i Madh.
Për ta arritur Xhingis Khanin (si shembull, krahasim) sulltan Muradit do i duheshin sëpaku nja 10 jetë, dhe atë secilën herë të flinte me nga 100 hanume, dhe secilën herë asgjë t’mos dështonte, t’vinin në jetë nga 100 engjëj. Shkurt, s’është ekzagjerim, rrotulloje kah të duash, Xhingis Khani ngelet “kategori” mëvete, ngelet i paarritshëm.

Sot vetëm epruvetat e shkencës mund t’i afrohen Xhingis Khanit, asgjë dhe askush tjetër. Kuptohet, gjatë dekadave të fundit shkencat gjenetike kanë përparuar shumë. Ka një dokumentar (enkas për këtë temë) në Netflix, për fat të keq s’më kujtohen numrat… madje as titulli, i kam harruar tani. Aty përmenden shifrat e epruvetave, numri i kërkesave qenka rritur gjatë dekadave jashtëzakonisht, pertej parapritjeve – duke i tejkaluar tashmë dhjetra milionat e “fëmijëve” sjellur në jetë me epruvetat spermatike.

Lart, në krye të shkrimit, thamë se britaniku Simon Watson e pati bërë veten të famshëm në Twitter. Watson është thjesht një donator i “farës mashkullore”, ashtu siç e kërkojnë kushtet e laboratoreve moderne. Edhe në v. 2016 qe bërë i famshëm me pretendimin se i paska mbi 800 fëmijë. Watson poston rregullisht “cicërima” informative në Twitter.

Në vitin 2018, njëri nga “fëmijët” e Watson e paskësh bërë ADN-testin dhe sakaq rezultatet e testit e paskan “bashkuar” me 40 vëllezër e motra. Ec e mos buzëqesh… pretendon se i ka “ngjizur” 800 fëmijë, jo si dikur Xhingis Khani por tani në bashkëkohësi, pohon se i ka lënë shtatzënë 13 femra brenda muajit, me ndihmën e shkencave moderne, me ndihmën e epruvetave, mburravec aq i madh në Twitter, e prapë akoma aq larg Xhingis Khanit : )

Përndryshe edhe sulltan Muradi, edhe Ramzesi i Madh… ngelen mbrapa Xhingis Khanit “dhjetëfish”. Muradi III krenohej me rekordin e Haremit të Portës së Lartë, 103 fëmijë, më i zoti nga gjithë sulltanët varg e varg. Edhe Ramzesi II si faraon po aq, rreth 100 fëmijë, rekord ky i faraonëve të lashtë. Madje dhe mbreti Saud (i Arabisë Saudite, djali i Ibn Saudit), jo mbret i lashtësisë por mbret modern i shek. XX, edhe ky jo larg sulltanit as larg faraonit, si rezultat i haremit të vet, 52 djem dhe rreth 54 vajza, dmth. 100 e kusur.

Lidhur me fëmijët dhe me gratë e shumta, si diç mjaft e “veçantë” ndoshta duhet veçuar rasti i Ramzes faraonit. Njësoj si Muradi III i perandorisë Osmane, edhe Ramzesi II i Egiptit të lashtë i kishte mbi 100 fëmijë. Mirëpo jo të gjithë me 2 gra, as me 4 gra… as me ndonjë harem konkubinash, ngjashëm si Muradi i Portës së Lartë – një pjesë të këtyre “100” fëmijëve Ramzesi do i sillte në jetë me “ndihmën” e 4 vajzave të veta.

Nefertari ishte e para “Grua e Madhe” e tij (Nefertari hyn në rangun e mbretëreshave të njohura, ngjashëm si Nefertiti, si Hatçepsut, si Kleopatra). Ajo ishte gruaja “favorite” me të cilën do i kishte 10 fëmijë. Gruaja tjetër ishte Isetnofret, historia thotë së bashku me Nefertarin ishte nga më të shquarat mbretëresha të Egjiptit të lashtë. Përndryshe Isetnofret do ishte dhe nëna e pasardhësit të Ramsesit të Madh, e Merneptahut.

Përveç këtyre dyjave, gjatë mbretërimit të vet Ramzesi II do i bënte “gra mbretërore” dhe 4 vajzat e veta, të cilat quheshin Bintanat, Meritamen, Nebetavi dhe Henutmire (për këtë të fundit, ndonjë burim thotë se mund t’ishte motra e tij, jo vajza – shkollarët s’janë të sigurtë). Po ashtu, Ramzesi i pati martuar dhe 2 vajzat e mbretit të hititëve, Hatusili III.
Pra me gjithsej 8 gra, gjysma e tyre duke qenë vetë vajzat e veta, Ramzesi do i kishte mbi 100 fëmijë. Do bëhej “kampion” i faraonëve të lashtë, njësoj sikur dhe Muradi III, “kampion” i haremit të Portës së Lartë.

[ ngjitur: pikturë e Giulio Rosati (1858-1917) – “Vallëzimi në Harem ]

| – – – v i j o n – – –

 

====================================

(sguraziu – ars poetica, sht 23)

…kësaj radhe vetëm ca foto përcjellëse (për artikullin në gatitje e sipër) – sëshpejti dhe një artikull modest si përmbledhje lidhur me pallatin shekullor ose kompleksin “Topkapi”, lidhur me kompleksin perandorak të Stambollit, duke qenë famoz e mbretëror, royalistik e madhështor, dhe njëkohësisht duke e patur haremin “sekret”, për pothuaj 400 vite dhe me afro 400 dhoma, sipas meje padyshim i takon të quhet pallati më famoz i historisë : )

…ishte Harem i Ndaluar rreptësisht, ashtu-kështu dhe vetë termi “harem” (nga arabishtja “haram”) na i përkujton “ndalesat, restriksionet, sekretet, frikërat, dyshimet, paragjykimet” etj. mirëpo i njëjti pallat ku sorollateshin të burgosura me qindra konkubina të Avrupës dhe të Azisë, i njëjti Topkapi-pallat i ruante dhe shpatat e Pejgamberit Muhamed, çelsin e Qabes, njërin nga dhëmbët e tij (në një betejë Muhamedi i pati humbur 2 dhëmbë), e ruante dhe ende e ruan dheun nga varri i tij, dheun e Mekës etj. këso gjësendesh të shenjëta…

…sidoqoftë, mbretërit e Kinës e kishin Qytetin e Ndaluar, Franca e kishte Pallatin e Versajës, në Vjenë e kishin Pallatin Hofburg, Londra e kishte dhe ende e ka Pallatin Buckingham, madje dhe presidentët e ShBA e kanë Shtëpinë e Bardhë… etj etj… dhe kështu osmanlinjtë e kishin Pallatin Topkapi, ishte shtëpia e sundimtarëve, ishe edhe=edhe, em presidenca em rezidenca e sulltanëve të Perandorisë, rezidenca e rrethit të tyre familjar-haremistik për gati 400 vjet, shkurt pakashumë njësoj siç dhe Shtëpia Moderne dhe e Bardhë e gëzon statusin e dyfishtë rezidento-presidencial : )

***
[ fotot: Rose Palmer, Dick Osseman, Bilkent University, Topkapi Museum ]