Tutje (ndoshta) pa “sigurinë” anti-indoktrinuese!

(sguraziu – ap t, 23 – koment, dhe fotogaleri – konflikti izraelito-palestinez nëpërmjet fotove të The Associated Press)

…dihet se kohët e fundit falsiteti i lajmeve është aq marramendës sa kurrë ndonjëherë në historinë, “fake news” dhe qasje të tilla sikur janë kthyer në një lloj tragjedie tjetërfare, mund ta quajmë “eufori” por sikur s’është vetëm aq, ballafaqohemi me diç si toksicitet i cili shtriqet paralelisht me gjithçka që ndodhë rrotull nesh, thuase njeriu vetë kujdeset që t’ia “shkaktojë” vetes marramendjen, mjerimin, trullosjen, ngatërrimin, psh. gjatë pandemisë gjendja qe kthyer po ashtu në diç si “pandemi infodemike”, por dhe kur është fjala për konflikte si tani në Gaza e Izrael, infodemia thuase i merr trajtat e pakapshmërisë, shpesh gjërat e thjeshta si amebat pësojnë shtrembërime e “mutacione” deri në çudi, thuase kthehen në dinosaurë a monstra të informatikës, vërtet e pakapërthyeshme, andaj padyshim jo kot, jo pa arsye, jo tek ashtu Associated Press e përdor si moto “advancing the power of facts” (duke avancuar fuqinë e fakteve)…

…sipas meje 3 foto mund t’jenë 30 herë më të sinqerta sesa 30 artikuj-interpretime si grumbuj fjalësh, fotot thjesht janë “burimi” i lajmeve më të sakta, na imponohet t’i “lexojmë” 50 foto (jo vetëm si foto… por me një gjuhë speciale) për t’ardhur tek 5 fjalë kyç, tek një kokërr objektivitet dhe paanësi, e saktë kjo, mirepo ia vlen sepse e mbrojmë vetë integritetin tonë – sepse tashmë në kohëra kaq të bujshme, me veset tona të “njëjta” (konfliktuoze), përkundër avancimeve të jashtëzakonshme tekno-mediatike, sikur prapë e kotë sepse dhe vetë mediat bien ndesh mes vete, sepse ndeshen vetë interesat e mediatikëve – për fat të keq, sikur s’mund ta themi asnjë fjalë për asnjë konflikt të kësaj bote, përveç t’i “dënojmë” luftrat, vrasjet, përveç t’i lusim palët që t’i kthehen paqes, jo sepse s’do dinim të themi diç dhe ne, ende e kemi arsyen të shëndoshë, s’kemi probleme me mjegullim-gjykimin, por thjesht s’e kemi as vullnetin as kohën t’i lexojmë-dëgjojmë me qindra e mijëra lajme, vallë kush paska kohë t’i përcjell mediat e panumërta të së sotmes…

…ndoshta dhe thjesht sikur të lodhur nga bujshmëria e trazirave politike, nga konfliktuoziteti, njeriu gjatë historisë së vet kurrë s’diti të ndalur me mosmarrëveshjet e me luftrat, pse do ndalej tani, dikur 1 miliard njerëz (e madje dhe më pak, psh. atëherë në kohën e Romës, a të Kleopatrës) tani dhe ca dekada tutje e do bëhen ndoshta 10 miliardë, bota në historinë e vet kurrë s’ka patur më shumë tërthurime, më shumë kryqëzime interesash, andaj dhe mediat thjesht janë qind-fishuar, shkurt o duhet t’i përcjellësh të gjitha lajmet globale pa asnjë përjashtim o sikur tutje s’të takon e “drejta e fjalës”, sepse thjesht s’je i informuar as mirë, as objektivisht, as sa duhet, dmth. meqë ke ngelur mbrapa sa i përket informimit dhe sidomos, s’e ke sigurinë për “siguresën” e indoktrinimit (s’e ke sigurinë rreth vetë informimit tënd të shëndetshëm), kuptohet atëherë s’e ke as kapacitetin… e kështusoj as të drejtën për t’thënë gjë, thjesht duhet të heshtësh, të imponohet ajo keqardhja memece, të imponohet gojëmbyllja…