Jean-Leon Huens – Galileo, 1974

Jean-Leon Huens (1981-1984) – Galileo, 1974
[ porositur dhe përdorur nga National Geographic Magazine, Maj 1974 ]

parë nga këndvështrimi teologjik, dhe vetëm vëzhgimet e Hënës nga Galilei ishin “problematike”. Pasi Hëna, një planet i pastër, pllakë e përkryer, a disk i lëmuar e pa të meta (siç shihej atëherë), simbolizonte ose ishte përfaqësim i pastërtisë, i virgjërisë së Marisë. Duke vëzhguar e duke skicuar, duke i përshkruar topografikat e terrenit hënor, Galileo thjesht e pati përmbysur tezën se sipërfaqja e Hënës ishte e lëmuar, siç besohej

***
Lindja e Shkencës – Galileo duhej t’i “hante fjalët” e veta!
S. Guraziu – ArsP, T 2021

| – – – (fragment) – – –
Teleskopi i parë si shpikje u takon holandezve, kështu thotë historia. Para Galileos, syzologët holandezë mund t’i ketë frymëzuar ndonjë muzë e largpamësisë.
Galileo ende s’e kishte idenë, do mjaftonte vetëm të dëgjonte sëpaku, thjesht një pëshpërimë e shurdhër si lajm, do ishte i kënaqur me aq. Dhe ja, një ditë do ndodhte, më në fund lajmi do i kumbonte në veshët.
Me të dëgjuar për “syzet” holandeze, pa një pa dy do i përvilte mëngët dhe do ta ujdiste vetë një teleskop. Pothuaj si mrekulli, thuase lajmin vërtet ia pati sjellur Muza, askush tjetër. Mrekulli, sepse s’kishte parë kurrë në jetën e vet teleskop, thjesht ashtu i pati shkrepur e gjithë “imagjinata”. Emri “teleskop” për instrumentin nuk qe “shpikur” nga Galileo, termi qe farkuar nga matematikani grek Demisiani në v. 1611.

Me teleskopin e parë s’do ishte dhe aq i kënaqur, mund t’i “afronte” gjërat vetëm nja 8 herë. Duke qenë i pakënaqur me gjenialitetin e vet, do i bënte ca përmirësime të “magjisë” largëpamëse dhe gjërat pastaj do bëheshin jo më pak por 20 herë “zoom”. Pastaj, ashtu krenar e gjenial, do ia paraqiste Senatit të Venedikut mrekullinë teleskopike. Galileo ua pati sqaruar, kishte demonstruar si një maestro i vërtetë. Burrat qenë mahnitur varg e varg. Për mrekullinë largpamëse dhe për gjenialitetin, Senati do ta shpërblente duke e emëruar lektor (Universiteti në Padova), madje do ia dyfishonin dhe pagën.

Tani duke e patur “largpamësinë”, e gjitha çfarë kishte ngelur ishte që t’ia drejtonte qiellit. Teleskopi i tij ishte fort largpamës, më i avancuari – le t’merren holandezët me studimin e horizontit të oqeanit, ata le t’i zbulojnë anijet e piratëve, qëkur teleskopi i tyre aq kapacitet ka. Unë do e studioj qiellin, do ia drejtoj qiellit, e madje dhe Diellit. Anise, për këtë të fundit i ngrati do ta “paguante”. Në kohën e tij ende s’dinin se me vështrimin e diellit ashtu mund të dëmtoheshin sytë.

Dhe kështu, do bëhej i pari i njerëzimit që do ta studionte qiellin i përgatitur me një intrument të mirëfilltë, me një teleskop. Pikërisht si një shkencëtar i vërtetë. Mendohet të jetë shkencëtari i parë “i vërtetë” eksperimental. Pa instrumentet as shkenca e sotme s’ia del dot, edhe tani na duhen Hubble-teleskopat, dhe panumër instrumente tjera. Galileo do ta studionte Hënën, do t’i zbulonte hënat e Jupiterit, do t’i zbulonte fazat e Venerës, unazat e Saturnit, do t’i zbulonte dhe “njollat ​​e Diellit”. Për fat të keq, siç thamë “njollat diellore” dhe do ia dëmtonin sytë.

Duke i studiuar këto Galileo do ta kishte sigurinë e mirëfilltë, falë teleskopit e pati kuptuar mjaftueshëm shkencërisht se nuk ishte Toka “qendra e universit”. Të dhënat sugjeronin Dielli ishte qendra e universit. Mençuritë gjeocentrike që dominuan për 14-15 shekuj pra ishin gabim. Ndërsa kushdo që mendon si Aristarku i lashtësisë, apo si Koperniku modern, inkluzivisht dhe si unë vetë, do kemi të drejtë.

Parë nga këndvështrimi teologjik, dhe vetëm vëzhgimet e tij të Hënës ishin “problematike”. Pasi Hëna, një planet i pastër, pllakë e përkryer, a disk i lëmuar e pa të meta (siç shihej atëherë), simbolizonte ose ishte përfaqësim i pastërtisë, i virgjërisë së Marisë. Duke vëzhguar e duke skicuar, duke i përshkruar topografikat e terrenit hënor, Galileo thjesht e pati përmbysur tezën se sipërfaqja e Hënës ishte e lëmuar, siç besohej. Skicat e tij publikuar në “Sidereus Nuncius” (Lajmëtari Yjor) do u vinin pastaj në ndihmë astronomëve dhe sa e sa brezave të artistëve.

Në fakt, për sipërfaqen e Hënës kishte lloj-lloj imagjinatash. Psh. në “Codex Leicester” jo ndokush tjetër por vetë da Vinçi ndër të tjera pati spekuluar se “…sipërfaqja e Hënës është e mbuluar me ujë, prandaj shkëlqimi, prandaj reflektimi i rrezeve të Diellit…”. Padyshim da Vinçi pandehte se ia kishte qëlluar pikës, ja pse reflektoheshin rrezet, ja pse ishte aq e ndritshme, ja pse shkencë e përtej shkence.

Sorry Leonardo, i pate shpikur panumër gjëra të mençura, madje dhe glida e kopterë, ose dhe vetëm për “…Lizën” pirolla të qoftë (s’prish punë që ua fale francezëve, le ta mbajnë, le t’krenohen dhe ata me gjenialitetin tënd). Por ja që unë kam shpikur teleskopin largpamës, disa herë më t’mirë se t’lulandezëve, dhe mund ta shoh, mund ta skicoj terrenin e Hënës, s’është nevoja të spekuloj.

Dhe kështu, do ulej Galileo e do ta qëndiste veprën dialogjike “Dialogo”…
| – – – (fragment) – – –