Vrasësit e Hënës së Luleve (Killers of the Flower Moon)

(s. guraziu – ars poetica, t 23 – koment)

(…nga brend Kosovën e njohin gjithë popujt e vet, e njohin si të pavarur e si shtet (ok, rrallë aty-këtu përjashtohet ndonjë serb), por si krahasim Amerika dikur ishte mozomokeq : )

Bazuar në librin e autorit David Grann, 2017, “Killers of the Flower Moon” (Vrasësit e Hënës së Luleve), dhe me buxhet prej 200 milionë $, regjisori famoz Martin Scorsese me aktorë po ashtu të famshëm si Leonardo DiCaprio, Robert De Niro etj. do e bënin filmin me të njëjtin titull, i cili ende nuk është distribuar për publikun, por do shfaqet sëshpejti, pas ca ditësh… më 19, apo 20 Tetor. Sidoqoftë premiera pati qenë në Maj, në Festivalin e 76-të të Kanës…

Dihet se kur bëhen bashkë Scorsese, DiCaprio, De Niro, Al Pacino… e këso Hollivud-italianësh a la mifiozo : ) patjetër se do ketë vrasje, komplote vrastare, pothuaj e “garantuar” se do jetë ndonjë film i “përgjakshëm”. T’i shpenzosh 200 milionë $ për film me revolesh e me oshtima, dhe t’mos ketë vrasje, thjesht s’pi ujë. Tematika e filmit është e njëjta me atë të librit, vërtitet rreth një serie vrasjesh të indianëve, pjestarë të fisit Osage, gjatë viteve 1920. Emri i fisit indian “Osage” është term i frëngjishtes që do t’thotë “ujë i qetë”.

Ironia është se vrasjet për të cilat flet filmi (ose libri pararendës), patën ndodhur pasi qe zbuluar naftë në tokat e indigjenëve, ironia ëshë se deri në v. 1924 indigjenët e fisit Osage ende s’ishin “qytetarë as shtetas” të ShBA. Kishte pothuaj 150 vite që amerikanët e patën fituar “revolucionin” dhe e patën shpallur pavarësinë në v. 1776, por ja që tek në vitin 1924 presidenti Calvin Coolidge do i takonte nja 3-4 burra si “uji të qetë” dhe do ua garantonte “amerikanizmin”.

Pas 150 vjet të “mosnjohjes”, më në fund edhe indianët Osage ia patën bërë si burrat, do uleshin e do e firmosnin doumentin e ashtuquajtur “Indian Citizenship Act”. Qe çliruar gjithë Amerika nga një ankth i madh, sepse jo-shtetësia, jo-qytetaria e fiseve autoktone, mosqenia e tyre si qytetarë e shtetas të Amerikës, fort e pahijshme. Indiferenca e tyre ishte dhe e dhimbshme sepse po bëheshin 150 vite të shtetësisë, sepse evropianët (para “shtetësisë” dhe pas saj) i patën shfarosur pothuaj afro 95% të fiseve indiane. Ishte sa kontradiktore po aq dhe brengosëse që ca fise të “qeta si uji” ende s’e njihnin “as shtetësinë as pavarësinë e Amerikës”.

Deri atëherë kur qe nënshkruar “akti” pothuaj 3/4 e indianëve të tjerë vec ishin pajtuar tashmë që t’jenë qytetarë “amerikanë”, i paten bindur disi. Për fat të mirë edhe burrat e fisit Osage më në fund qenë pajtuar, nënshtetësia dhe qytetaria u garantoheshin nga “njeriu i bardhë… i cili 25 herë flet por vetëm 1 herë nuk gënjen”.

S’dimë sa e vërtetë është kjo thënie indianësh, e dinë ata vetë. Thjesht patëm dëshirë t’i rrahim ca detaje të “ironisë” historike : )

***
Historia shpesh na i servir mjaft detaje të “ironisë” historike, s’është shaka… por e vërtetë kjo. Nganjëherë sikur ia fillon me kujtesat e me zbulesat, na i sjell ndërmend ca detaje të “ironisë”. Siç e pamë, amerikanët autoktonë, as 150 vjet pas shpalljes së pavarësisë amerikane, nuk ia njihnin as pavarësinë… dhe as vetë Amerikën, asnjërën.

Kohë e gjatë është 150 vjet, sa për indianët kot qe lodhur Washington-i, kot revolucioni. S’e njihnin Amerikën sepse vetë ende s’ishin “amerikanë”. Ndërsa padyshim amerikanët do i kenë lutur po aq gjatë, nja 150 vjet, që nga Washington-i e këndej. Gjithë lutjet kot, ngelën indiferentë, sepse padyshim s’donin t’jenë “amerikanë”, s’u pëlqente.

Mirëpo historia i lidh gjërat dhe i bën “vegëza” sa herë i teket. Për t’i kuptuar më lehtë ironi-detajet e historisë, psh. imagjinoje pakëz “historinë krahasimtare”… me Kosovën, sille ndërmend rastin e Kosovës. U desh ta priste Amerikën për 1 shekull (që nga çlirimi i Ballkanit, atëherë dmth. nga zgjedha e shekujve të otomanizmit) edhe pse kishte Evropën në prag.

Kosova vetë ishte pragu i Evropës, por kot… pa Amerikën zor se do i vinte çlirimi. Ndërsa dihet, edhe Amerika, edhe Kanadaja, edhe Australia etj. janë “rezultat” i Evropës. Pa Evropën e pa grykësinë e saj të pashterrshme s’do kishte as Amerikë (jo këso Amerike siç e njohim), as Tasmani, as Kolumbi.

Të njëjtën Amerikë e pati zaptuar-çliruar vetë Evropa, ndërsa Kosovën në prag dhe s’donte ta çlironte, rrinte indiferente. U desh të kollitej Amerika që t’vulosej UÇK-rezistenca dhe impenjimi, pa Amerikën sikur s’do i vinte as liria Kosovës, pa Amerikën s’do i vinte as pavarësia, as shtetësia, asgjë… sikur s’do rehatohej kurrë, as oxhaku as shpia. Ra Amerika dhe i erdhën të gjitha.

Kuptohet, të mirat e historisë janë diç si ëmbëlsira. Ka vite e vite tashmë Kosova e feston pavarësinë e vet, ashtu siç i ka hije, secilin vit përvjetor e festivitet. Pas shekujve në errësirë, pas 1 shekulli ekstra të robërisë nën serbo-sllavinë, tani krenaria s’ka fund si Kosovarlushe e lirë.

Dikur “newborn”, dhe ok… ca kohë tutje kuptohet se duhet me cucllën. Ende s’janë as 30 vjet, as 50 vjet pavarësi, as 100 vjet. Nga njëra anë Kosova sikur ende s’e ka harruar “cucllën” mirëfilli, nga tjetra anë merakoset që gjysma e botës ende s’e njohin si shtet. Madje shumë prej tyre s’e njohin as si “neutralitet”…
Nëse i referohemi historisë, sakaq ndeshemi me ato detajet e “ironisë”. Psh. nën sundimin osman punërat e Ballkanit për nja 4-5 shekuj me ato dekadencat e me prapangeljet. Perandoria i administronte hesapet sipas qejfit me ato “vilajetet e veta”, në rregull, gjithkush ia bën sipas qejfit të vet.

Në v. 1913 pa i pyetur kush kosovarët, i ashtuquajturi “Vilajet i Kosovës” iu ngjit Mbretërisë së Serbisë. E cila mbretëri pak vite më tutje, në v 1918 do e formonte ish-Jugosllavinë 1. Pas 1-shit, më vonë do vinte ish-Jugosllavia 2 (e tito-izmave, e komunizmave).

E njëjta Kosovë, pa qenë tashmë as “vilajet as shtet”, anise Jugosllavia 2 qe formuar në v. 1946, do e gëzonte autonominë politike tek në v. 1963. Vonesë kjo, padyshim e ironi-zuar nga historia serbe e Jugosllavisë.
Kishte atëbotë nja 30 vite që Titoja ishte në “skenën jugosllave” (sëpaku që nga e 1937-a), por autonomia do vinte nga Jugosllavia e Titos tek në v. 1963. E njëjta autonomi do “zgjerohej” paksa përmbajtësisht me Kushtetutën e Jugosllavisë së v. 1974, ende Jugosllavi e Titos, ende nuk qe ri-shpallur Jugosllavi e Serbëve.

E njëjta autonomi e kohës së tito-izmit (ashtu-kështu e vonuar) për fat të keq do i merrej Kosovës në v. 1990. Autonominë rishtas do ia pezullonin pikërisht serbët. I qe “dhuruar” nga jugosllavët, jo me pëlqimin e serbëve, paçka se dhe këta sllavë, të Sllavisë. Kot, rishtas dhunim politik, për pikë të qejfit, njësoj si dikur para një shekulli me “inkorporimin e vilajetit”.

Ja pse kosovarët ndoshta s’duhet dhe s’kanë pse “nguten” me pikëllime rreth mosnjohjes së pavarësisë. U humbi 1 shekull duke e pritur Amerikën, tani sëpaku do presin të pavarësuar, qoftë nevoja pritje dhe 1 shekull tjetër.

Veç e thamë, as Amerikën s’e njihnin, të njëjtën Amerikë plot fise popujsh aty brenda Amerikës, amerikanë të vërtetë, në tokën e vet me tapi e me dekret, dhe s’e njihnin. E çuditshme t’mos e njohësh pavarësinë e vendit tënd – s’e njeh Amerikën jo 10 vjet, jo 20 as 60… por nja 150 vjet.

Vallë a nuk është Kosova diç si lulishte e pavarësisë, nëse t’krahasohej me pavarësinë e dikurshme të Amerikës. Ka shumë dallim, Kosovën e njohin nga brend gjithë popujt e vet, e njohin si të pavarur e si shtet (ok… rrallë aty-këtu përjashtohet ndonjë serb), por si krahasim Amerika dikur ishte mozomokeq : )

(ngjitur: poster i filmit “Killers of the Flower Moon”, dhe ca foto – Presidenti Calvin Coolidge dhe “Indian Citizenship Act”, 1924, si dhe fushë e naftës në Signal Hill, Kaliforni, 1941)