Enea si “Romus Primus” (si romaku i parë), e madje dhe si Butrotas!

(s. guraziu – ars poetica, k 2019 – art klasik – aktualizuar: n 2023)

[ piktura ngjitur: Merry-Joseph Blondel (1781-1853) – Venera duke e shëruar Enean e plagosur, 1805-10 (detaj) ]

(…kishte nevojë për ndryshim rrënjësor të “Kushtetutës Olimpike”. Tjetër që Zeusi vetë zot vetë kryezot, kur i pëlqente s’i përfillte as kushtet as kushtetutat : )

***
Sipas Virgjilit, Enea qe plagosur rëndë gjatë luftimeve me Turnusin, kështu që i duhej ndihmë mjekësore serioze, përndryshe do vdiste. Natyrisht, qe vizituar fshehurazi nga nëna, nga perëndesha Venera (kuptohet… në pikturë ne e shohim tani, figuracionet pikturale duhet të shpalosen, përndryshe do ngeleshim pa “idenë”, njësoj siç e “shihte” piktori Blondel e shohim dhe ne – mirëpo Venera dhe perëndeshat zakonisht ishin të “padukshme”, Venera gjithmonë rrinte fshehur diku prapa reve. Shërimi ndodhte (siç dhe sot e kësaj dite ndodhë ndonjëherë…) si mrekulli.

T’jesh bir perëndeshe dhe t’mos ketë asnjë magji shpëtimtare, s’do pinte ujë. Pa një grimë magji s’do i kishte hije as mitit… as legjendave. Pas kësaj ndërhyrjeje ose ndihme amësore-hyjnore, Enea e pati vazhduar luftën si luan, dhe duke i dhënë fund epikës virgjiliane mes Akejve e Trojanëve.

***
Paraardhësi legjendar i romakëve, Enea pati ardhur në jetë tinëz si aferë dashurie mes “hyjnores dhe tokësores”. Amoriadat e tilla tinëzake për mitologjinë ishin fare normale, zotat kishin sa të duash “zotësi” për takime tinëz syve të botës. Në rastin tonë të shembullit hyjnorja dhe tokësorja takoheshin gjatë natës në malin Ida. Nga takimet mes kryebukuroshes Afërdita (ose Afrodita – ose Venera, sipas vers. mit. romak) dhe dashnorit të saj tokësor, bariut trojan Ankhise, pati ardhur në jetë Enea.

Të takoheshe me perënditë e me perëndeshat ashtu-kështu ishte një privilegj “ultimativ”…
Zakonisht, dënimi për vdekatarët, për johyjnorët, për shpirtrat e “rëndomtë”, qoftë dhe nëse padashtas ta shihnin një perëndi a perëndeshë, ishte të gurëzoheshin, të ktheheshin në gur.

Mirëpo kjo “rregull” kaq strikte e zotave nuk vlente dhe për të dashurin e vetë Perëndeshës së Dashurisë. T’jesh Perëndeshë e Dashurisë dhe t’mos mund ta takohesh të dashurin e zgjedhur, s’do kishte fare kuptim. E qartë, bazuar në vullnetin hyjnor, ndonjëherë do kishte dhe përjashtime.

Në fakt, në rastin e Zeus-valentinianit (le ta marrim si krye-shembull, meqë ishte tepërues i jashtëzakonshëm i “thyerjes” së rregullës), nevoja ishte fort serioze, kishte nevojë për ndryshim rrënjësor të “Kushtetutës Olimpike”. Tjetër që Zeusi vetë zot vetë kryezot, kur i pëlqente s’i përfillte as kushtet as kushtetutat : )

Se përse Afërdita e pati zgjedhur pikërisht një bari të Trojës si “dashnor”, s’kemi si ta dimë. Mirëpo lumturushi Ankhise, babai i Eneas, s’ishte dhe bash “kushdo” si i zgjedhur. Tekefundit ishte një lumturush të cilit vetë Perëndesha ia kishte “vënë syrin”, kjo absolutisht s’do ishte pak.

Pastaj ishte një bari “ekstraordiner”… jo i tillë sepse sorollatej duke i rënë fyellit kodrinave të Trojës, por e jashtëzakonshmja kishte t’bënte me faktin se Ankhise ishte kushëriri i parë i atij mbretit të famshëm Priam (të dy, edhe Ankhise edhe Priami, ishin nipërit e Ilusit, të vetë themeluesit të Trojës).

Kështu që Enea (djali i Ankhise) do ishte diç si kushëri i dytë për fëmijët e Priamit. Anise në “domenin” mitologjik subjektet atëbotë shpesh i kishin nga më “shumë fëmijë sesa përmenden zyrtarisht”. Mitologjia greko-romake sikur gjithmonë do kishte figurash “rezervë”, herë figurash legjitime, herë aso jashtëmartesore. Natyrisht nuk “nderoheshin” të gjithë si figura mitologjike, nderimet vinin vetëm nëse përrallat t’kishin nevojë për një figurë a karakter specifik, që hëpërhë s’e “mbulonin” figurat aktuale.

Nuk bënte përjashtim as Priami, edhe ky si mbret kishte sa të duash dashnore e fëmijë (të gatshëm për t’u përdorur kudo në storiet). Shkollarët thonë se mund të përpilohet një listë e “përgjithshme” prej 18 vajzash dhe 68 djemsh. Nga këto 18-20 vajzash të Priamit, katër prej tyre përmenden si vajza legjitime (me gruan Hekuba) – Iliona, Kasandra, Laodika, dhe Poliksena. Mitologjia na i rrëfen disa detaje për vajzat legjitime të mbretit Priam, gjithsesi deri tani s’ka referenca mitologjike të kënaqshme për 12-14-16 vajzat tjera (jolegjitime).

E njëjta mund t’thuhet dhe për djemtë – dimë për heronjtë kryesor (për princat legjitimë, për mbrojtësit e famshëm të Trojës). Si djem legjitimë të Priamit e të Hekubasë, shkollarët thonë se na janë të njohur 10 prej tyre, Hektori, Parisi, Difobusi, Helenusi, Polidorusi, Troilusi, Politi, Antifusi, Pamoni dhe Hiponusi.

Për afro 60 të tjerët mitologjia s’di “aq”, ose dhe asgjë. Ngase, dhe sepse duke qenë “fëmijë jashtëmartesor”, jolegjitimë – s’duhet çuditur. Afërmendsh, në cilësinë e Kryeheroit, mitologjia na e mundëson të “dimë” më shumë për Hektorin, për luftëtarin më të madh trojan, djalin e parë të Priamit dhe të Hekubasë. Po ashtu, vëllai i Hektorit, Parisi shfaqet në një numër legjendash.

Mirëpo mitologët pothuaj sikur ndiejnë keqardhje që rreth 60 prej vëllezërve tjerë të lashtësisë ngelin në “errësirën e mitologjisë”. Shkurt, Priami mund t’i ketë patur mbi 100 fëmijë, si lehtësim vetes le t’themi që Enea ishte kushëri i heronjëve të mirënjohur (i kryetrimave iliadesk) si Hektori e Parisi.

Mitologjia kujdeset na e rrëfen sadopak dhe “historinë” e tij. Edhe ky përmendet në Iliadën, xha Homeri s’e pati “harruar”. Më vonë, frymëzuar nga storiet homerike, figura e Eneas nga romakët do kishte një trajtim më të plotë (dmth. në mitologjinë e tyre). Më gjerësisht kapërthehet në epin Eneida të Virgjilit (shkruar mes v. 30-20 pes., e cila vepër nga shumkush konsiderohet si “magnum opus”, si kryeveper e tij). Andaj, “Venera duke e shëruar Enean e plagosur” si pikturë e Blondel do ketë qenë frymëzim kryekëput virgjilian.

Nga ajo Troja e shkatërruar (siç e dimë Troja qe shfarosur pa mëshirë nga grekët) Enea do udhëtonte drejt viseve të Italisë dhe ku do t’bëhej paraardhësi, do bëhej babai i romakëve. Enea do ishte paraardhës i Remit dhe i Romulit, i themeluesve të Romës. Në mitologjinë romake Enea është diç si Romus Primus, si romaku i parë, si heroi i parë i Romës.

Nëse Enea nëpërmjet pasardhësve të vet i “vuri themelet gjenetike” të Romës : ) epo… kjo në rregull, pse jo, kështu insiston mitologjia. Mirëpo sipas Virgjilit, Enea ishte madje dhe butrotasi i parë, dmth. edhe Butrinti qe themeluar nga Enea. Nëse “indirekt” (si Roma) apo direkt… duke e ndërtuar vetë me duart e veta kasollën e parë, Virgjili mund ta ketë ditur, për fat të keq ne tani s’dimë “detajesh” kaq të thella…